LAJMI I FUNDIT:

Thaçi e Dacic interpretojnë ndryshe marrëveshjen

Thaçi e Dacic interpretojnë ndryshe marrëveshjen

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar pas nënshkrimit të marrëveshjes se është arritur një ujdi e cila është plotësisht në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Por, kryeministri serb Ivica Dacic ka pretenduar se marrëveshja e arritur nuk i cenonte interesat e Serbisë.

Dacic ka përmendur në këtë rast se nga marrëveshja tashmë është hequr Pika 14, e cila tashmë nuk specifikon çështjen e anëtarësimit të Kosovës në institucionet evropiane.

Varianti i mëhershëm i kësaj pike specifikonte se asnjëra nuk do të bllokojë palën tjetër, apo të inkurajojë të tjetër që të bllokojnë kërkesat për anëtarësim në organizatat dhe forumet ndërkombëtare.

Ndërkohë, sipas korrespondentit të KTV-së në Bruksel, marrëveshja parasheh që Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës do ta caktojë komandantin e stacioneve policore në tri komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por ai duhet të jetë i nacionalitetit serb.


Gjithashtu, pritet që palët në të ardhmen të arrijnë pajtim për afate kohore për implementimin e këtyre marrëveshjeve. /Telegrafi/