Tetovë, masa kundër të shtënave në dasma (Video)

Ky fenomen nuk ka të ndalur, përkundër apeleve të shumta të policisë. Së fundi, sektori për punë të brendshme në Tetovë ka vendosur të marrë masa akoma më radikale ndaj dasmorëve që përdorin armë.
“Do përballen me masa shumë të ashpra ligjore, madje jo vetëm ata që përdorin armët, por edhe të zotët e dasmës. Të gjithë do përballen me kundërvajtje apo padi penale. Vetëm në dy javët e kaluara në rajonin e Tetovës dhe Gostivarit u regjistruan disa plagosje nga plumba qorr të shkrepur nëpër ahengje familjare, si dhe dëmtime automjetesh dhe objektesh të tjera”, deklaroi Marjan Josifoski, zëdhënës i SPB-së Tetovë, transmeton “Alsat-M”.
Me qëllim të ruajtjes së jetës dhe pronës së qytetarëve, si dhe parandalimit të të shtënave me armë zjarri nëpër ahengje, Policia parashikon masa të ndryshme, përfshirë edhe ndalimin e dasmës, kolonës së dasmorëve, si dhe bastisjet e tyre apo të shtëpive ku organizohet dasma. Policia është e vendosur në luftimin e kësaj dukurie.
“SPB e Tetovës edhe njëherë u bën apel qytetarëve që të përmbahen nga përdorimi i armëve, sepse në të kundërtën, pa përjashtime do t[ përballen me masa të rënda ligjore”, tha Josifoski. /Telegrafi/
















































