LAJMI I FUNDIT:

Tesla ul çmimet e modeleve të saj në mbarë botën

Tesla ul çmimet e modeleve të saj në mbarë botën

Raportohet se Tesla ka ulur çmimet e tre prej pesë modeleve të saj në SHBA, e më pas vazhdoi me uljen e çmimeve në mbarë globin, duke përfshirë edhe Kinën dhe Gjermaninë.

Ky hap nga kompania vjen pasi ajo po përballet me rënie të shitjeve dhe ndodhet në luftë të intensifikuar shitjen e automjeteve elektrike.


Bëhet e ditur se kompania e Elon Musk ka ulur çmimet e Modeleve Y, X dhe S.

Tashmë Modeli Y në SHBA kushton 42,990 dollarë, Modeli S 72,990 dollarë dhe Modeli X 77,990 dollarë, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Gjithashtu, Tesla ka ulur edhe çmimin e softuerit “Full Self-Driving” nga 12 mijë në 8 mijë dollarë.

Ndërkohë, në Gjermani çmimi i Modelit 3 është ulur në 40 mijë euro nga 42 mijë sa ka qenë. Ulje çmimesh ka pasur edhe në vende tjera evropiane, në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë.

Ndryshe, kompania e Musk ka njoftuar edhe për shkurtimin e 10 për qind të stafit global të saj.

E këto veprime thuhet se i kanë dhënë fund një jave kaotike që përfshinte tërheqjen e të gjithë Cybertrucks shkaku i një defekti në pedalin e gazit.

Kompania ka njoftuar se shitjet e saj në mbarë botën kanë rënë ndjeshëm pasi konkurrenca është rritur dhe shitja e automjeteve elektrike është ngadalësuar. /Telegrafi/