LAJMI I FUNDIT:

Tërmkolli: 23 marsi i ’89-ës, kur u hoq autonomia e Kosovës, dita që ngriu frymën e kosovarëve (Video)

Tërmkolli: 23 marsi i ’89-ës, kur u hoq autonomia e Kosovës, dita që ngriu frymën e kosovarëve (Video)

Më 23 mars të vitit 1989, nën rrethimin policor e ushtarak të Serbisë, në Parlamentin e Kosovës, u hoq autonomia e Kosovës.

Ato momente i kujton  sot pas 30 vitesh ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, e cila atë kohë ishte deputete e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës.


Tërmkolli në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se ajo ngjarje ishte e përcjell me momente të vështira dhe frikësuese.

Ajo ka thënë se 23 marsi i vitit 1989 ishte një ditë e rëndë për Kosovën.

“Nga perspektiva sot 30 vjeçare nuk ka ndryshuar asgjë në kuptimin e kujtimit të asaj date. Ishte një nga ditët më të rënda,  në të cilat po kalonte populli i Kosovës, për faktin që ushtrohej një lloj terrori edhe psikologjik edhe fizik ndaj shqiptarëve të Kosovës. Atë ditë Kosova ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe këtu operonin njësitë federale edhe të ushtrisë edhe të policisë”.

“S’ka si të mos ishte një ditë e rëndë, aq më tepër kur kishim të bënim me një dokument apo me të drejtat tona si shqiptarë, që i kishim fituar me shumë mund dhe sakrifica për të ardhur deri tek Kushtetuta e ’74-ës, ani pse realisht meritonim të ishim Republikë. Por, edhe kjo tashmë po cenohej dhe po suprimohej me trysninë e madhe dhe me kërkesën që kishte bërë regjimi i Millosheviqit”, ka thënë Tërmkolli.

Tërmkolli ka thënë se atë ditë po bëhej një okupim klasik i Kosovës nga Serbia.

Ish-deputetja Melihate Tërmkolli gjatë intervistës për Telegrafin

“Nuk ishte veç suprimimi i autonomisë, por po suprimohej edhe statusi federal i Kosovës, sepse Kosova atë kohe përveç si autonome me Kushtetutën e Jogusllavisë, kishte edhe statusin e njësisë federale, dhe si e tillë në fakt Kosova po okupohej. Me suprimim të autonomisë ne e kemi okupimin klasik të Kosovës nga Serbia”, ka thënë ajo.

Ish-deputetja Tërmkolli atë kohë ishte 24 vjeçare, dhe sipas saj ishte barrë e rëndë për ta përjetuar atë ngjarje.

“Nuk ishte e lehtë ajo ditë. Ishte një ditë që ishte ngri gjithçka, edhe shpirti edhe fryma e qytetarëve në pritje të krejt asaj se çka do të ndodhë. Nuk ishte e lehtë me marr barrën, pasi që veç sa i kisha mbushur 24 vite. Për atë periudhë kohore, për krejt ato rrethana dhe ata deputetë që kishin vendosur ta kundërshtonin, mendimi i parë ishte që nuk do të mund të ktheheshin fare më në familje. Por, ishte një ditë shumë përcaktuese për t’i bërë me dije Serbisë dhe të tjerëve që nuk mund lehtë të kalohet mbi Kosovën, pavarësisht trysnisë dhe terrorit që ushtronte. Ndonëse ajo u miratua nën rrethimin e tankeve dhe ushtrisë jogusllave, nuk ishte e lehtë. Po ashtu brenda Kuvendit njerëz të sigurimit shtetërorë na bënin trysni, por edhe njerëz që në mënyrë naive mendonin që nuk është mirë që të kundërshtohet, dhe se duhet të miratohet”, është shprehur ajo.

Në Hajvali arrestohen hajnat që shtien me armë në drejtim të policit

Tërmkolli ka thënë se derisa në Serbi festohej, në Kosovë vriteshin fëmijë e të rinj nga ushtria serbe.

“Miratimi i amandamenteve u bë definitiv në Kuvendin e Serbisë më 28 mars, dhe deri sa në Serbi festohej me festat e tyre kishtare, në Kosovë vriteshin filizat, fëmijë, që kishin dalë të kundërshtonin krejt atë që po ndodhte. Shembull kemi Shukrije Obertinca 16 vjeçare e cila është vrarë, pastaj Ajrin Badallaj 13 vjeçar, Afrim Bytyqi 14 vjeç, Elfete Humolli 17 vjeçe,  e shumë të tjerë. Ishte një gjendje tejet e rëndë për t’u përjetuar. Ata që mendonin se Serbia do të zbutej nëse miratohen këto amandamente e panë që në fakt është e kundërta. Serbia jo vetëm që nuk zbutej, por kishte plane të saj të thella duke përfshi terrorin, vrasjet, pa kursyer fëmijë”, ka thënë ajo.

Që nga ajo kohë janë bërë 30 vite nga suprimimi i Kushtetutës së Kosovës dhe heqja e autonomisë./Telegrafi/