Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme në Shqipëri, ka ndarë mesazhin e ambasadorit të Shqipërisë në Japoni, Ermal Muça, pas tërmetit të fortë të regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm, me epiqendër në prefekturën Ibaraki, i cili u ndje edhe në zonën e Tokios.

Sipas ambasadës shqiptare në Japoni, deri më tani nuk raportohen viktima apo dëme të mëdha, ndërsa janë raportuar persona të lënduar, të cilëve ambasada u ka uruar shërim të shpejtë.


Në kushtet e situatës së krijuar nga tërmeti, por edhe nga reshjet e dendura të ditëve të fundit, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Japoni u ka bërë thirrje shtetasve shqiptarë që jetojnë në Japoni, si dhe atyre që ndodhen për vizitë në vend, të ndjekin me vëmendje informacionet zyrtare dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve vendase.

Ambasada rekomandon që qytetarët të informohen për situatën përmes burimeve zyrtare të autoriteteve japoneze, përfshirë Agjencinë Meteorologjike të Japonisë (JMA), portalin e parandalimit të fatkeqësive të Ministrisë së Tokës, Infrastrukturës, Transportit dhe Turizmit, si dhe NHK WORLD-JAPAN.

Ambasada shqiptare në Tokio ka vënë në dispozicion edhe kontaktet për raste nevoje. Shtetasit shqiptarë mund të kontaktojnë ambasadën në WhatsApp në numrin +81–70-9023-3905 ose përmes adresës elektronike [embassy.tokyo@mfa.gov.al](mailto:embassy.tokyo@mfa.gov.al).

Ambasada u kërkon qytetarëve shqiptarë në Japoni të tregojnë kujdes dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve vendase për garantimin e sigurisë së tyre.