LAJMI I FUNDIT:

Tërheqja e Bankës Botërore rrezikon projektin për ndërtimin e ‘Kosovës së Re’

Tërheqja e Bankës Botërore rrezikon projektin për ndërtimin e ‘Kosovës së Re’

Tërheqja e Bankës Botërore nga financimi i termocentralit “Kosova e Re” nuk do të ndikojë asgjë në realizimin e projektit. Të paktën kështu janë shprehur në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik (MZHE). Në këtë institucion kanë deklaruar se projekti do të finalizohet me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Deklarimet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) se termocentrali “Kosova e Re” do të finalizohet patjetër pavarësisht kundërshtimeve të Bankës Botërore po i mohojnë ekspertët e ekonomisë.


Ata po paralajmërojnë kosto të lartë të huamarrjes, të cilën taksapaguesit do të detyrohen ta paguajnë përmes shtrenjtimit të rrymës ose buxhetit shtetëror.

Por, përfaqësuesit e MZHE-së shprehen të bindur se projekti do të finalizohet për të arritur sigurinë e furnizimit me energji.

“Projektin e TC ‘Kosova e Re’ do ta finalizojmë, sepse është e vetmja zgjidhje për të arritur sigurinë e furnizimit me energji, që direkt ndikon në sigurinë nacionale të vendit. Ne do të avancojmë me projekte alternative nga burimet e ripërtërishme, por nuk mund dhe as nuk guxojmë të eksperimentojmë me sigurinë energjetike të vendit”, thuhet në përgjigjen me shkrim të Ministrisë. /Zëri/Telegrafi/