LAJMI I FUNDIT:

Temat kryesore që po diskutohen në Forumin Ekonomik Botëror 2019

Temat kryesore që po diskutohen në Forumin Ekonomik Botëror 2019

Rreth tre mijë pjesëmarrës, duke filluar nga udhëheqës botëror, titanë të korporatave, akademikë dhe mendimtarë u takuan në Davos, për të zhvilluar takimin e përvitshëm të Forumit Ekonomik Botëror.

Ky takim i elitës botërore, këtë vit përmban rreth 350 sesione, të përqendruara në çështje si përmirësimi i bashkëpunimit botëror, trajtimi i ndryshimeve klimatike dhe revolucioni dixhital.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, së bashku edhe me disa liderë të tjerë botërorë, përfshirë kryeministren e Britanisë së Madhe, Theresa May dhe presidentin francez Emmanuel Macron e kanë anuluar pjesëmarrjen e tyre në minutën e fundit, për shkak të vështirësive të shumta në shtetet e tyre.

Presidenti Trump, i cili mbajti fjalimin kryesor vitit të kaluar, e anuloi pjesëmarrjen e tij në këtë takim, duke qenë se qeveria amerikane ende nuk e ka miratuar kërkesën për një buxhet federal që përfshinë fondet për ndërtimin e një muri në kufi me Meksikën.

Fillojnë punimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës
Lexo po ashtu Fillojnë punimet e Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës

Javën e kaluar, ai vendosi që edhe pjesa tjetër e delegacionit të SHBA-së, duke përfshirë këtu sekretarin e Thesarit, Steven Mnuchin dhe sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo të mos merrnin pjesë në Forum.

Në pjesën tjetër të Atlantikut, May e anuloi pjesëmarrjen pas një disfate të rëndë parlamentare mbi marrëveshjen e saj për BREXIT-in.

Ndërsa, arsyeja e mungesës së presidentit të Francës, Macron, ishte si pasojë e protestave të shumta që tronditën Francën nga rritja e taksës së naftës. Mungesa të tjera të rëndësishme janë edhe ato të Xi Jinping, kryeministrit kinez i cili po përballet me një ngadalësim ekonomik të shtetit të tij dhe Narendra Modi të Indisë, i cili po përballet me zhvillimin e një fushate rizgjedhjesh, mes goditjes së disfatës së turpshme të partisë së tij në zgjedhjet shtetërore muajin e kaluar, përcjell Telegrafi.

Forumi Ekonomik Botëror, dhjetë gjëra që mund të mos i keni ditur për Davosin
Lexo po ashtu Forumi Ekonomik Botëror, dhjetë gjëra që mund të mos i keni ditur për Davosin

Megjithatë, në këtë takim janë të pranishëm edhe shumë liderë të tjerë botërorë të rëndësishëm, duke përmendur këtu Angela Merkel, Giuseppe Conten presidentin e ri brazilian, Jair Bolsonaro.

I etiketuar ndryshe si ‘Trumpi i tropikut’, Bolsonaro do të jetë një prej emrave më të diskutueshëm të këtij viti dhe një prej personave që do të marrë numrin më të lartë të kritikave në lidhje me çështje të tilla si mjedisi dhe të drejtat e njeriut.

Shwab: Globalizimi nuk do të zhduket, por do të thellohet më tej
Lexo po ashtu Shwab: Globalizimi nuk do të zhduket, por do të thellohet më tej

Në listën që Forumi Ekonomik Botëror u kërkoi pjesëmarrësve që të plotësonin në lidhje me një prej çështjeve më shqetësuese për ta, kryesonte “shqetësimi për ndryshimet klimatike”. Anëtarët e Forumit frikësohen se ngjarjet ekstreme të klimës po bëhen gjithnjë e më të zakonshme dhe se bota nuk ka një mekanizëm efektiv për t’iu përgjigjur një situate të tillë alarmante.

Disa çështje të tjera të cilat përbëjnë shqetësim për të pranishmit në Davos 2019 janë edhe armët e shkatërrimit në masë dhe krimi kibernetikë. Me rritjen e nacionalizmit dhe nxitjen e proteksionizmit ekonomik, ekziston frika në rritje që shtete të ndryshme mund t’i kthejnë kurrizin bashkëpunimit botëror për çështjen e ndryshimeve klimatike, ashtu siç bëri Trump duke u tërhequr nga Marrëveshja e Klimës së Parisit në 2015, përcjell Telegrafi.

Shprehjet frymëzuese në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit
Lexo po ashtu Shprehjet frymëzuese në Forumin Ekonomik Botëror të Davosit

Optimizmi arriti kulmin vitin e kaluar në Davos, por fatkeqësisht sfondi ekonomik ka ndryshuar shumë. Me përshkallëzimin e luftës tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës, pasigurisë mbi BREXIT-in, paqëndrueshmërisë së tregjeve financiare dhe situatës së vështirë të qeverisë amerikane, pesimizmi po rritet.

Në parashikimin e saj ekonomik, FMN, tha se ekonomia botërore po dobësohej më shpejt se sa ishte parashikuar. Shifrat e reja përfaqësojnë një ndryshim të rëndësishëm për opinionin botëror dhe vijnë si rezultat i të dhënave të dobëta në Evropë dhe Azi. Të dhënat e reja të PBB-së të Kinës, treguan se rritja tani ishte ngadalësuar për tre tremujorë radhazi, duke rritur shqetësimin midis investitorëve se situata mund të ndikonte negativisht edhe në ekonominë botërore. /Telegrafi/