LAJMI I FUNDIT:

“Telex” dhe Sejati i papërsëritshëm

“Telex” dhe Sejati i papërsëritshëm

Edhe pse të gjithë thonë se këndojnë me zemër, pakkush këtë e bën sikur Sejat Jakupi. Pa marrë parasysh se a i doni këngët e tij apo jo, duhet patjetër ta pranoni që ngjyra dhe forca e zërit të Sejatit është e papërsëritshme. Ai është njëri ndër yjet më të mëdhenj të muzikës rok në hapësirat tona, i cili në asnjë moment të karrierës së tij nuk e ka humbur shkëlqimin e vet. Në kohë të vështira kur çdo gjë matet me para, Sejati akoma jeton për këngën dhe miqtë e tij.

Sejat Jakupi karrierën e gjatë tri decenie si solist, kitarist dhe kompozitor e ka filluar me bendin “Telex”, i cili përbëhej edhe nga Shpend Ahmeti, Enver Bunjaku, Ismet Shahini, Idaver Xhemaili, Ylli Ismaili e pak me vonë edhe Bekim Ajdini, që i qëndruan besnikë zhanrit të tyre të muzikës. Ndonëse ishin të shpërndarë, anëtarët e grupit herë pas here bëheshin bashkë, për të mos e harruar zanatin e vjetër.

I njohur për nga sinqeriteti dhe forca që – siç thekson – arti vlerësohet dhe krijohet në realitet, sot Sejati kënaqet me karrierën e tij, ndërsa thotë se gjithmonë përpiqet t’i qëndrojë konsekuent profesionit dhe ta jetojë jetën dinjitetshëm.


Jeni një nga rokerët më të njohur, që keni sjellë këngë të cilat ende dëgjohen nga publiku. Dekada me radhë merreni me krijimtarinë muzikore, por si i kujtoni fillimet tuaja me këngën?

Fillimet e këndimit tim, apo të daljes sime para mikrofonit, e kanë zanafillën qysh kur isha në fëmijërinë e njomë. Teksa po ndiqja mësimet në shkollën tetëvjeçare, arsimtari im sikur kishte hetuar tek unë një talent të fjetur i cili duhej të zgjohej dhe të kultivohej. Madje, me insistimin e arsimtarit (kujdestarit), unë e bëra “zemrën gur” dhe dola para nxënësve, ku fillova të këndoja disa këngë. Për befasinë time të mirë, këngët u duartrokitën dhe kjo sikur më dha krah.

Si ta them, ndonëse dëgjuesit e mi të parë ishin të rinjtë, madje fëmijë, vlerësimi i tyre për mua ishte një vetëbesim që të vazhdoja në rrugëtimin tim. Për atë kohë ishte normale që të këndoja vetëm këngë popullore. Disi ndihesha sikur ”Yll” i klasës sime.

Një ditë në radio e dëgjova ”Superstition” prej Stevie Wonderit. Kjo këngë më goditi si vetëtima. Fillova çdo ditë, nga disa orë të ushtroja këndim (përafërsisht) sikur ai. Por, u mundova kot… As sot nuk mundem të këndoj sikur Wonderi! Dhe, siç thotë Coelho në një roman të tij “…buzë lumit Piedra, u ula dhe qava”…

Më pas, si vijoi jeta juaj me krijimtarinë muzikore?

Në gjimnazin ”Zef Lush Marku” të Shkupit vazhdova krijimtarinë time muzikore, gjithnjë duke e thelluar dhe avancuar atë. Aty u takova me Shpend Ahmetin, të cilin prej vegjëlisë e njoh. Të dytë jemi fansa të “soul” muzikës. Filluam me bashkëpunimin tonë të frytshëm në dy fronte: ai si krijues i teksteve, kurse unë si kompozitor.

Shumicën e këngëve, si p.sh. ”Vetëm për ty” apo “Më merr…”, i kemi krijuar bashkë. Aty e pata edhe daljen e parë më serioze në skenë para publikut. Me shokun tim Yll Ismailin, në kitarë, e këndova këngën e grupit The Animals, “Don’t let me be misunderstood”. Prej atij momenti sikur i njoha edhe zemrat e femrave më të bukura të gjimnazit.

“Ta gjen mami një sheik”, “Vetmia s’është për ty”, “Dhoma 121”, “Çdo gjë vjen me vonesë” dhe disa variante të hitit “Qeshu” janë ndër kryeveprat e “Telex”-ave. Suksesin e patët arritur shumë shpejt…

…me këngën ”Vetëm për ty”. Kjo këngë edhe sot besoj se është “Evergreen”, për shkak të muzikës, por edhe tekstit të fuqishëm. Kisha fatin e madh që tekstshkrues fantastik ishte Shpendi. Për suksesin tonë gjithsesi kanë merita edhe drejtuesit e RTP-së (Radiotelevizionit të Prishtinës) së atëhershme, e cila na përkrahu dhe na dhuroi hapësirë të mjaftueshme që të dëshmonim vlerat tona. Për këtë dua t’i falënderoj edhe pas një kohe shumë të gjatë.

Vetëm dy vjet pas themelimit, jeni shpallur grupi i vitit në valët e RTP-së së atëhershme (1982-83). Një vit më vonë fituat “Mikrofonin e artë”.

“Mikrofoni i artë” për mua dhe grupin nuk ishte vetëm një shpërblim, ose mirënjohje, por një verifikim i vlerave dhe i kualitetit tonë muzikor. Besoj, nuk e teproj kur e them se, deri atëherë, nuk ka pasur zhanër të muzikës të tillë në botën shqiptare. Ky miks me rock, funk, pop, është karakteristikë për grupin “Telex”.

Shumë koncerte gjithandej do të shënonte grupi juaj, ndërkohë që do t’i bashkoheshit grupit të njohur jugosllav “Bjelo Dugme” në turne…

Në atë kohë, “Bijelo Dugme” në Shkup, incizonte albumin e ri. Goran Bregoviqi kishte një ide për një këngë në gjuhën shqipe. Nëpërmjet Agron Berishës, tashmë të ndjerë, u mor kontakti me Shpendin i cili e shkroi tekstin për këngën “Kosovska” dhe “Mos e humb bozhurin”. Pastaj, unë edhe Shpendi qëndruam disa ditë në Sarajevë, si mysafirë të Goranit. Ai na sugjeroi që të organizonim një turne nëpër Kosovë.

Mund të them se ky turne ishte shumë i suksesshëm dhe në kujtesën tonë ka mbetur i paharruar. Në bënim muzikë çdo natë para mijëra adhuruesve dhe në një atmosferë fantastike. Sot, atë që disa grupe e tregojnë në Facebook, ne e kemi bërë qysh atëherë (live).

Po atë sukses e kishte edhe kaseta (albumi) juaj e parë (1985)…

Atëherë RTP-ja e themeloi një fabrikë për shtypje të kasetave, ndërsa ne ishim ndër të parët që e bëmë një të tillë. Kemi pasur kushte fantastike, studion gati çdo herë të lirë, bashkëpunëtorë të mirë… Në produksion i kishim duart të lira, diçka që për atë kohë ishte luks. Me një fjalë, kishim përkrahje të hatashme, prandaj edhe sukseset ishin të pritura.

Sa më kujtohet, kjo kasetë është shitur në disa mijëra copë, që për atë kohë nuk ishte keq. Fatkeqësisht, kufiri me Shqipërinë ishte i mbyllur, përndryshe jam i sigurt se edhe atje do të kishim arritur simpati dhe sukses të paparë. Muzika jonë në Shqipëri, fatkeqësisht, konsiderohej si dekadente, prandaj ata që merrnin guximin ta dëgjonin, përfundonin prapa grilave.

Grupi qe shpërndarë në një kohë të vështirë për shqiptarët në ish-Jugosllavi dhe “Telex”-at do të merrnin udhën e Evropës….
Kjo është e saktë. Pas shërbimit ushtarak ku dy vjet isha në ishullin kroat, Hvar, unë shkova pastaj në Gjermani, Enver Bunjaku në Zvicër, ndërsa Shpend Ahmeti dhe Ismet Shahini mbetën në Shkup.

Me këngë që destinacion kanë pasur vetëm hitin dhe me albume që janë në fonotekën e çdo adhuruesi muzike, tregut muzikor i jeni rikthyer me këngën “Të vdes duke kënduar”, më pas me albumin e ri “Për mua dhe për ty”…

Në vitin 2004 unë dhe Shpendi bëmë një koncert, së bashku me Zanzi Bendin (një grup fantastik) në Prishtinë, ku mysafirë ishin Eliza Hoxha, B.B Poqi, Xuxi etj. Kjo ishte një natë e paharrueshme për të gjithë ata që ishin aty. E kuptova se sa shumë adhurues kemi dhe sa shumë këtë grup e donin.

Më vonë hyra në studio me Shpendin, bëmë produksionin e dy këngëve ”Zemra zemrës” dhe “Kthehu në atdhe”. Këto dy këngë nuk janë tipike për ne, sepse janë pak më shumë në stilin “house”. Komentet e shumicës tregonin që këto këngë janë okej, por kjo nuk është “soundi” i “Telex”-it.

Pas disa viteve, me Shpendin në studio dhe Artan Kastratin si producent, përgatitëm albumin e ri, ”Për mua dhe për ty”. Është interesant të them se shumica e këngëve në këtë album ishin këngë që ne, në vitet ‘80, planifikonim t’i përgatisnim për kasetën e dytë, p.sh. “Të vdes duke kënduar” apo “Për mua dhe për ty”. Besoj se me këtë album iu kthyem atij “soundit” që neve na karakterizonte.

Këngët tuaja janë ndër të paktat këngë që edhe sot e kësaj dite teksa i dëgjon, duket sikur është hera e parë që po i shijon. Sipas jush, çfarë i bën të veçanta këto këngë?

Me të vërtetë, nuk e di. Ndoshta është mënyra se si kompozoj, se si këndoj, por mund të jetë edhe dora mjeshtërore e tekstshkruesit – Shpendit. Vetëm një gjë e di se ne të dy gjithmonë e kemi bërë muzikën që na ka pëlqyer. Ndoshta ky fakt ka bërë që këngët tona janë kaq të popullarizuara.

Me ngjyrën specifike të zërit unik dhe me aftësitë impresionuese, keni bërë për vete publikun kudo që jeni paraqitur. A do të na bëni një paralele midis këngëtarit solo dhe këngëtarit në grup?

Të kënduarit në grup është më mirë, sepse fokusi nuk është vetëm te këngëtari. Është shumë më lehtë edhe sa i përket organizimit. Nga ana tjetër, si solo këngëtar nuk ke aq nevojë për kompromise, e bën atë që ti e do, por ke pak më shumë punë.

Më shumë se 33 vjet jeni në skenë, keni biografi dhe diskografi të pasur, gjenerata të tëra të cilat rriten me këngët tuaja… Si ka qenë dikur dhe si është sot?

Atëherë kushtet ishin më të mira se sot. Gati çdokush që kishte talent, kishte mundësi të hynte në studio, të incizonte pa pagesë. Kishim përkrahje të fortë nga RTP-ja dhe mundësi që të merrnim pjesë në shumë emisione muzikore. Çdo vit organizohej festivali i muzikës “Boom”, ku merrnin pjesë grupet më të mira. Ishte një gjeneratë muzikore, për mua, më e mira e tërë kohëve.
Sot, më lehtë bëhen incizimet, gati çdo këngëtar ka studio në shtëpi, por kjo nuk e rrit kualitetin e muzikës. Me këtë “Ballkan-Pop” ne jemi duke u larguar nga Evropa. A është kjo mirë, apo jo, nuk e di. Më bëhet se gjithnjë e më shumë po fiton teknika karshi talentit të lindur. Është mirë që ka shumë grupe që muzikën popullore e përpunojnë në mënyrë moderne; po ashtu është mirë që po vjen një gjeneratë e re e muzikantëve me një talent të jashtëzakonshëm. Pastaj, është mirë që sot ka Facebook, YouTube etj.

Është fakt që sot roku ka rënë në plan të dytë. Përse ka ndodhur kështu dhe si do ta përshkruanit skenën e sotme muzikore?

Kur në librat shkollorë shkruan se “rokerët” janë kriminelë, atëherë kjo e shpjegon sadopak pse roku është në plan të dytë. Shkaku tjetër është se grupet e sotme nuk bashkëpunojnë mes vete sa duhet, sikur që dikur e bënim ne. Në “Boom” krejt grupet kishin vetëm dy a tre instrumente, dhe këto i përdornin të gjithë së bashku. Ndërkaq, sot, është problem se ende nuk ekzistojnë strukturat që mundësojnë zhvillimin e muzikës. Duhet të mbrohen të drejtave autoriale.

Sa e di, nuk ekziston shtëpi diskografike e financuar nga shteti. Kjo është me rëndësi për të gjitha artet e muzikës që nuk janë komerciale, por që një rëndësi të madhe kanë për kulturën e shtetit. Në skenën e sotshme muzikore sundojnë video-klipet dhe “Casting-Shows”, ku rinisë i sugjerohet më pak punë për t’u bërë më shpejt të famshëm. Me këtë filozofi nuk krijohen kurrfarë vlerash muzikore.

Kujtimi juaj më i bukur në skenë dhe që e kujtoni ndër vite?

Kam shumë kujtime, por do të veçoja si më të mirin koncertin e parë që e organizuam me “Bijelo Dugme” nëpër Kosovë dhe, atëherë kur njerëzit ende më mbajnë mend, më vlerësojnë, më përshëndesin. Madje, ka të tillë që më thonë se edhe sot e tërë ditën e pëlqejnë muzikën time dhe, po patën mundësi, do ta dëgjonin me ëndje dhe kërshëri.

Jeni shumë më i preferuar nga të tjerët. Po cilët janë këngëtarët tuaj më të preferuar?

Stevie Wonder, Al Jarreau, Marvin Gaye, James Brown, Prince, Aretha Franklin. Prej skenës shqiptare më pëlqen Eugent Bushpepa.

A ju vjen keq ndonjëherë që nuk e keni provuar karrierën duke kënduar edhe në anglisht?
Jo, nuk më vjen keq, sepse jam duke punuar në solo-projektin tim në gjuhën angleze.

Cili është sekreti që ju ka bërë të dukeni kaq i ri?

Faleminderit shumë për komplimentin, edhe pse pasqyrat te unë në shtëpi tregojnë diçka tjetër. Ndihem i ri, sepse kam këtë privilegj të punoj me disa muzikantë të rinj dhe shumë të talentuar si Art Lokaj, Dukagjin Muhaxheri apo Vigan Kuqi. Shumë herë kam mundësi të bëj “Jam-Session” me muzikantë të rinj, edhe kjo më jep shumë kënaqësi.

Pas kaq vitesh të krijimtarisë aktive, a ndjeni lodhje? A ju është shpenzuar energjia?

Jo. Unë kam aq shumë plane saqë as kohë nuk kam për t’u lodhur. Kur jam në skenë e shoh se si publiku këndon dhe luan me ne, atëherë kjo më jep shumë energji.

A mendon një yll muzike – me kaq shumë përvojë në skenë – se duhet të kalojë në ujëra më të qeta…?

Po. Në të ardhmen do të orientohem më shumë në ‘songwriting’, d.m.th. kompozim të këngëve për artistë të tjerë. Ndoshta bëj një “Jazz Combo”, se disa herë pata provuar të këndoja xhaz dhe, besoj, se jam tani në gjendje këtë muzikë ta këndoj.

Cilat janë projektet e radhës dhe surpriza që do t’ia dhuronit dashamirësve tuaj?

Unë e incizova një këngë që quhet “Take it easy”, do ta bëj edhe videon, ndërsa në pranverë e kam mendjen ta bëj një koncert “unpluged”, me këngët e Telexit dhe këngëve që gjithmonë kam dashur t’i këndoj.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

Shkëlqeu ndaj Man Cityt dhe në klub ende e duan, por veterani i Real Madridit ia ka kumtuar Perezit largimin për në fund të sezonit

La Liga
“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

“Të ngrehi zhag”, deklarata e bashkëshortes së Riza Muratit, e cila e ka denoncuar kapitenin e policisë për dhunë

Drejtësi
Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Reagon presidenti iranian, Zelenskyt hatërmbetje me aleatët – detaje dhe pamje, minutë pas minute, rreth ‘hakmarrjes’ së Izraelit ndaj Iranit

Botë
Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Kosovari i arrestuar në kufi, Serbia pretendon se ishte pjesë e luftës, mohon OVL-UÇK

Siguri
Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Izraeli e njoftoi në minutën e fundit SHBA-në për sulmin ndaj Iranit

Azia
Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Zinedine Zidane ‘një hap larg’ emërimit si trajner i gjigantit të njohur evropian

Ndërkombëtare
Kalo në kategori