LG Electronics do të shfaqë një telefon të palosshëm ekskluzivisht për klientët e saj të biznesit në Mobile World Congress 2019 në Barcelonë, muajin e ardhshëm.

“LG do të shfaqë telefonin e palosshëm për klientët e saj VIP në një kabinë private në MWC” një burim, i cili është i afërt me divizionin e komunikimeve mobile të kompanisë, tha për The Korea Herald të dielën.

Raporti pohon se ndryshe nga rivalët e saj në biznesin e telefonave, LG nuk ka vendosur nëse kompania do të njoftojë publikisht progresin e saj në zhvillimin e telefonit të palosshëm gjatë ngjarjes së Barcelonës.

Deri më tani, është konfirmuar se LG do të prezantojë edicionin e tetë të telefonave të tyre kryesorë G (G8). Parashikimet e industrisë thonë se LG është gjithashtu duke planifikuar të shfaqë atë që quhet telefoni “me ekran të dyfishtë”, i cili paraqet një ekran të dytë në anën e pasme. /Telegrafi/