LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë pinë shumë që ta jetojnë të ardhmen si nën anestezi!

Të rinjtë pinë shumë që ta jetojnë të ardhmen si nën anestezi!

Nga: Umberto Gallimberti
Përktheu: Beti Njuma

Përse duhet t’u flasim të rinjve?

– Të rinjtë nga mosha 15 deri në 30 vjeç kanë fuqinë maksimale seksuale, por është një fuqi jo riprodhuese sepse nuk bëjnë fëmijë para moshës 35-40 vjeç. Ata kanë fuqinë maksimale krijuese: Ajnshtajni zbuloi formulën e tij në moshën 24 vjeçare, Leopardi shkroi “L’infinito” në moshën 21-vjeçare, Google dhe Apple i shpikën disa studentë universiteti. Dhe, maksimumi që ne u ofrojmë janë kontratat e projekteve. Atëherë unë them: kushtojini vëmendje të rinjve. Kur të rriturit u drejtohen duke u thënë “në kohën time” kjo është e paturpshme, sepse kohërat tona ishin shumë bujare. Unë jam bërë profesor në moshën 23-vjeçare. Tani nëse dikush studion filozofi, gjëja e parë që duhet të dijë është se nuk do të japë kurrë mësim filozofie. Për ata që janë të rinj, e ardhmja nëse nuk është një kërcënim, është e paparashikueshme. Dhe, nëse e ardhmja nuk është më një premtim, atëherë motivimi zvogëlohet: pse duhet të studioj, pse duhet të punoj shumë? Dhe, në ndonjë rast ekstrem edhe: çfarë bëj në këtë botë. Madje kam shkuar deri aty sa të mendoj se të rinjtë pinë shumë që ta jetojnë të ardhmen si nën anestezi: ata jetojnë të tashmen absolute. Dhe nëse i pyet përse janë keq, të përgjigjen: boh.

Çfarë do të thotë?

– Në vitin 1976 De Mauro bëri një anketë për numrin e fjalëve që dinin gjimnazistët: 1600. Njëzet vjet më vonë ishin 600. Sot mendoj se dinë rreth 300. Por mungesa gjuhësore është mungesë mendimi.

Nuk ka shpresë?

– Shpresa është një fjalë që Pasolini e kish hequr nga fjalori i tij e që edhe unë e kam hequr sepse është një fjalë pasiviteti. Nëse Zoti ka vdekur, e ardhmja mbaron si pritje dhe fillon nihilizmi: qëllimi mungon. Heidegger shkruan se është e kotë të mos e pranojmë, sepse ka kohë që endet rreth nesh: detyra jonë është ta shohim në sy.

Po pastaj?

– Ata që e bëjnë këtë ose dorëzohen ose bëhen nihilistë aktivë: nuk e mohojnë, por aktivizohen. Bëj një master, shko shit akullore në Gjermani, bëhu fermer. Por, nëse qëndroni shtrirë në divan, e vetmja gjë që vini në lojë është dorëzimi juaj. Në Teramo gjatë izolimit nga pandemia një ortoped u largua nga puna për një vit për të kuptuar se çfarë bënin të rinjtë. Kur e pyeta se në çfarë përfundimi kishte arritur, ai u përgjigj: 20 për qind janë në rregull. 80 për qins i kemi humbur. Në librin “Fjala për të rinjtë” kam mbledhur letra nga nihilistët aktivë, të cilat tregojnë se si kanë shpëtuar. E botova që të rinjtë ta lexojnë.