LAJMI I FUNDIT:

Të rinjtë e Maqedonisë të painteresuar të përfshihen në tregun punës

Të rinjtë e Maqedonisë të painteresuar të përfshihen në tregun punës

Borisi, i cili është në të dyzetat, asnjëherë nuk është paraqitur për të kërkuar punë në Entin për Punësim në Maqedoninë e Veriut, pasi siç thotë, me nivelin e pagave sa janë në vend, ai nuk mund të sigurojë as kërkesat elementare të familjes së tij.

Andaj me vite ai angazhohet për disa muaj në vit si punëtor sezonal në anije.


“Dy ditë punë në anije është sa e gjithë rroga mujore në Maqedoni [të Veriut], nuk ka leverdi të punoj këtu. Prandaj, punoj disa muaj në anije dhe pjesën tjetër të vitit qëndroj me familjen”, tregon ai.

Borisi është një nga 190 mijë personat e aftë për punë nga mosha 25 deri 55- vjeçare në Maqedoninë e Veriut, të cilët nuk kanë interes të përfshihen në tregun e punës, e njohur si fuqi punëtore joaktive .

Në bazë të të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, këta persona janë të shënuar si ‘popullsi joaktive në tregun e punës’, pasi në formë aktive nuk kërkojnë punë.

Në Entin për Punësim figurojnë vetëm 120 persona, të cilët kërkojnë punë në formë aktive.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave, EUROSTAT, popullsia joaktive në tregun e punës të Maqedonisë së Veriut është më e lartë sesa mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian.

Në bazë të këtyre të dhënave, më pak se 74 për qind e popullsisë nga mosha 25 deri 54-vjeçare është e inkuadruar në tregun e punës ose është në kërkim të një vendi të punës, përderisa kjo kategori përbën 85 për qindëshin e popullsisë në vendet e BE-së.

Në shtetet si Suedia Zvicra, Lituania dhe Sllovenia, mbi 90 për qind e popullsisë e cila është e aftë për punë është e përfshirë në tregun e punës.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 2/3 e popullsisë që nuk përfshihen në tregun e punës janë gra, të cilat kujdesen për rritjen e fëmijëve të tyre apo kujdesen për familjen dhe kryejnë punë amvisërie.

Nora Kaliqi, e cila drejton organizatën për të drejtat e grave thotë se për këtë zgjedhje gratë nuk përcaktohen me vetëdëshirë, veçanërisht ato në viset rurale, për shkak të mungesës së institucioneve për kujdesin e fëmijëve.

“Si të vendosë një grua për të punuar kur pjesa më e madhe e vendbanimeve të komunave rurale, edhe pse janë në rrethinën e Shkupit, si Saraji, Haraçina, Studeniçani, nuk posedojnë kopshte për fëmijë. Këto gra ku t’i lënë fëmijët e tyre?!”, shprehet Kaliqi.

Ajo thotë se me një pagë mesatare, atyre do t’u duhet të paguajnë dikë që do të kujdesej për fëmijët e tyre apo të sigurojnë të ardhura për mirëqenien e familjes.

Mbi këto gra, si amvise, shton ajo, bie edhe barra e përkujdesjes për familjarë të gjeneratës më të vjetër.

“Edhe ato gra që kanë shkollim adekuat derisa të rriten fëmijët nuk janë të interesuara të përfshihen në tregun e punës. Në vendet evropiane familjet me më shumë fëmijë stimulohen me mjete financiare nga ana e shtetit, madje dhe u sigurohet dado duke mbuluar shpenzimet po nga arka e shtetit”, thotë Kaliqi aktiviste për të drejtat e grave.

Zoran Koçovski, i cili drejton një nga agjencitë e shumta në Maqedoni që ndërmjetësojnë për gjetjen e një pune jashtë vendit, thotë për Radion Evropa e Lirë se 10 mijë punëtorë brenda vitit angazhohen si punëtorë sezonalë jashtë vendit. Ai thotë se këta punëtorë sezonalë punojnë në anije apo në puset e naftës, kurse një pjesë e tyre punojnë gjatë sezonit turistik në Kroaci dhe Malin e Zi. Gjithashtu, ka punëtorë të përfshirë në punë bujqësorë në Itali, apo që punojnë fshehurazi me vizë turistike prej tre muajsh që e mundëson liberalizmi i vizave.

Koçovski bën të ditur se një pesë e punëtorëve sezonalë nga Maqedonia për disa muaj angazhohen për të punuar deri në Alaskë ku pagat janë shumë të larta, veçanërisht në kantieret për pastrimin e peshqve dhe më pas kthehen.

“Këtë gjë, pra hovin e migrimit të fuqisë punëtore ne nuk mund ta ndalojmë, përderisa vendet evropiane sigurojnë kushte më të mira për punë dhe paga më të larta. Por, problemi është se një pjesë e madhe e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut në vendet e Bashkimit Evropian punojnë me pasaporta bullgare, dhe me këtë 9 për qind e kontributeve sociale që ata paguajnë në institucionet e këtyre vendeve kthehen në fondet e Bullgarisë, pasi ata në tregun evropian paraqiten me pasaportë bullgare”.

“Andaj shteti ynë duhet të lidhë marrëveshje me vendet e Evropës, për këta perona që kanë shtetësi të dyfishtë, që një pjesë e kontributeve për sigurim social të kthehet në vendin tonë. Kështu ne do ta dimë saktë sa shtetas të Maqedonisë së Veriut përmes pasaportave të shteteve të tjera, punojnë në vendet e BE-së”, sqaron Koçovski.

Për ekspertët e ekonomisë numri prej 190 mijë qytetarëve të aftë për punë, të cilët nuk përfshihen në tregun e punës, paraqet përqindje të lartë pasi përbën 10 për qind të popullsisë, ndërkohë që shumë kompani rrezikojnë të mbyllen pasi nuk arrijnë të sigurojnë punëtorë.

“Nuk do mend se mosshfrytëzimi i resurseve njerëzore paraqet kosto të lartë për shtetin. Kemi të bëjmë me investimin e mjeteve të konsiderueshme financiare nga ana e shtetit për përgatitjen e kuadrove adekuate që janë të nevojshme për sektorin e biznesit, gjithsesi dhe për atë bujqësor”.

“Në këtë drejtim, kemi parë se migrimi masiv i qytetarëve nga vendi ynë është pikërisht nga sektorët që është investuar për përgatitjen e kuadrove siç është sektori i shëndetësisë, ku duhen disa mijëra euro për të përgatitur një kuadër. Kemi edhe persona që janë të papunë, por migrojnë për disa muaj që të punojnë jashtë vendit” thotë Arben Halili, ligjërues i Ekonomisë në Universitetin e Tetovës.

Një pjesë e popullsisë, mbi moshën 50-vjeçare, e cila nuk është e interesuar për t’u përfshirë në tregun e punës, preferon që të kujdeset për nipërit e mbesat gjatë dimrit, derisa verës merren me prodhimin e produkteve bujqësore për nevojat familjare.

Pas Maqedonisë së Veriut me popullsi joaktive në tregun e punës riradhitet Turqia, Mali i Zi dhe Italia./REL/

Në trend Lajme

Më shumë
Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Djegia e shtëpisë dyshohet të jetë shkaktari i vrasjes së djeshme në Pejë – viktima dhe i dyshuari ishin miq

Jehona Hulaj
KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

KSHZ pas numërimit të 99.85% të votave, Osmani 13.36%, Taravari 9.21%

Politikë
U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

U arrestua për sulm fizik ndaj një vozitëse dhe kanosje ndaj vozitësit tjetër, Policia jep detaje të rastit në Prishtinë

Kronika e Zezë
Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Fitim Doda ndalohet për vrasjen në tentativë në rrugën 'Haxhi Zeka', prokuroria kërkon paraburgim

Drejtësi
KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

KSHZ publikon rezultatet e para përfundimtare, këto janë rezultatet

Politikë
Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Arrestohen 17 persona në Serbi, falsifikonin dokumente të pronave të serbëve për shqiptarët nga Kosova

Lajme
Kalo në kategori