LAJMI I FUNDIT:

Të pengohet zbrazja e Kosovës

Të pengohet zbrazja e Kosovës

Apelet e Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur të Kosovës, që të ndërmerren masat e duhura nga të gjitha subjektet politiko-shoqërore – në rend të parë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Kuvendi i Republikës së Kosovës, asociacionet humanitare, bashkësitë fetare etj. – për të penguar shpërnguljet e pakontrolluara, nuk u mirëpritën dhe, në një aspekt u nënçmuan, duke theksuar se “këto janë lëvizje të rëndomta të popullatës…”!

Mirëpo, se vërejtjet tona ishin me vend dhe të qëlluara, për fat të keq këto i dëshmoi praktika. Shpërnguljet masive të familjeve shqiptare nga Kosova, për në dheu të huaj – që po bëhen para syve tanë, e sipas disa të dhënave në këtë dhjetëvjetëshin e fundit Kosovën e kanë lëshuar mbi 500 mijë veta – tregojnë se kjo dukuri, sa shqetësuese aq më shumë e dhembshme, po merr përmasa katastrofike për kombin tonë. Është plotësisht i pakuptueshëm dhe i pashpjegueshëm qëndrimi indiferent ose angazhimi formal verbal, pa një përkushtim të duhur serioz dhe të sinqertë nga subjektet dhe faktorët më me përgjegjësi në Republikën e Kosovës, dhe jashtë saj, ndaj kësaj çështjeje kaq të rëndësishme kombëtare, sepse nesër çdo gjë mund të jetë tejet e vonë, e historia këtë kurrë nuk do të na falë.

Meqë situata është tejet alarmuese, shtrohet si detyrë – mbi të gjitha detyrat kombëtare – para të gjitha subjekteve të Republikës së Kosovës që të koordinojnë aktivitetin e tyre dhe bashkërisht të angazhohen dhe të veprojnë me aksione konkrete për parandalimin e shpërnguljes së mëtejmë, për kthimin e atyre që dëshirojnë të kthehen, si dhe për punësimin e atyre që vërtet kanë nevojë për një gjë të tillë. Para kësaj murtaje që kërcënon kombin tonë, askush nuk ka të drejtë morale, politike, juridike, ekonomike, fetare e të tjera që t’i mbyllë sytë, veshët dhe të heshtë e të mos angazhohet që bashkatdhetarët tanë, e sidomos ata që më se paku kanë nevojë t’i braktisin trojet e tyre e të parëve të tyre, t’ia kthejnë shpinën Kosovës në këto qaste më te vështira në historinë e saj.

Kosova dhe populli i saj shqiptar, gjatë historisë përjetoi dhunë, gjenocid dhe terror. Dihet po ashtu se pati edhe shpërngulje të shumta të dhunshme. Por, braktisje të tilla, si këto që po bëhen sot, nuk njeh historia jonë kombëtare. Subjektet tona më përgjegjëse politike e shoqërore, që morën përsipër të udhëheqin kombin, gjithsesi duhet ta parandalojë zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare. Në të kundërtën, do të jenë përgjegjës para gjeneratave të ardhshme, por edhe para të gjithë atyre martirëve që ranë për lirinë e Kosovës dhe çështjen shqiptare.

Duhet t’u themi sheshazi të gjithë atyre që pa ndonjë arsye ekzistenciale apo të sigurisë personale u detyruan që ta braktisin Kosovën: veprimi i tyre është në përputhshmëri me planet e shovinistëve për serbizimin e Kosovës, dhe deshën ata apo nuk deshën, në këtë mënyrë u vunë në shërbim të politikës së armiqve që Kosovën e zbrazët ta dorëzojmë. Ndaj, ftojmë kryetarin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçin, të gjitha subjektet e tjera politike e shoqërore, asociacionet humanitare, kulturore, shkencore, arsimore e fetare, që me autoritetin e vet të angazhohen për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova dhe të ftohen të gjithë bashkatdhetarët tanë që të kthehen në Kosovë. Pra, ata të cilët nuk patën arsye dhe as nevojë të shkojnë jashtë.

E shohim të udhës t’u themi të gjithë shqiptarëve, brenda e jashtë Kosovës, se Kosova nuk zhvillohet nga Stokholmi, Londra, Boni, Nju-Jorku e Sidnei, por nga Shala e Bajgorës, Kaçaniku, Prizreni, Skënderaj, Llapi e Rugova… Detyrë e të gjithë shqiptarëve sot është të qëndrosh në Kosovë dhe ta ndash fatin e përbashkët me të gjithë. Ky është amaneti i të parëve tanë. Kush e shkel këtë porosi, e mallkon kombi, e mallkon historia. Por, ata që e udhëheqin popullin kanë përgjegjësi edhe më të madhe, sepse populli i zgjodhi që ta çojnë në rrugë të drejtë e të mbarë e jo të lejojnë shpërnguljen.

Për pengimin e kësaj sëmundjeje të rëndë, e më qëllim të shërimit të saj të shpejtë, Shoqata për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur të Kosovës propozon që kryetari i Republikës së Kosovës, Parlamentit dhe Qeveria e Kosovës dhe të gjitha subjektet e tjera politike, shoqërore, shkencore, fetare dhe humanitare – që kanë ndikim të madh dhe gëzojnë autoritet në popull – të angazhohen dhe të ndërmarrin këto masa të domosdoshme:

1. Qeveria e Republikës së Kosovës të nxjerrë sa më parë një platformë për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre etnike;

2. Të shqyrtohet nevoja dhe kushtet për themelimin e fondit solidar kombëtar, për pengimin e shpërnguljes dhe kthimin e shqiptarëve të shpërngulur;

3. Të departizohet diaspora; në këtë kuadër Qeveria të sjellë urdhëresat e nevojshme;

4. Të formohet një delegacion i përbashkët i partive politike, i shoqatave, i sindikatave, i cili do t’i vizitonte herë pas here të mërguarit tanë në disa shtete, me kërkesë për një bashkim dhe solidaritet më të madh mes nesh dhe për një lidhje më të ngushtë me vendlindjen;

5. Të formohet kompania ajrore kombëtare, për një siguri më të madhe të udhëtimit të mërgimtarëve tanë;

6. Nëpër shtete e Evropës të hapen filialet e Bankës Kombëtare Shqiptare;

7. Të shikohet mundësia e ndalimit të reklamimit të agjencive turistike në mjetet tona të informimit (kompensimin financiar ta bëjë Ministria e Financave);

8. Në të gjitha nivelet e arsimit të mbahen ligjërata kushtuar shpërnguljes (mbi pasojat dhe rrezikun e zbrazjes së Kosovës);

9. Bashkësitë fetare, si ajo katolike ashtu edhe ajo myslimane, të organizojnë biseda me besimtarët e vet për nevojën e qëndresës në trojet shekullore;

10. Të vazhdojë aksioni “Të gjithë kundër shpërnguljes”.

12. Të informohen të gjitha organizatat ndërkombëtare mbi eksodin e shqiptarëve, të cilin Qeveria Serbe po e bën në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë në mënyrë direkte dhe indirekte, vetëm e vetëm që të spastrohen nga elementi etnik shqiptar.

Këto janë vetëm disa çështje të cilat mendojmë se janë detyrat prioritare që duhet të ndërmerren në parandalimin e shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre dhe kthimin e të gjithë atyre që janë shpërngulur viteve të fundit e që dëshirojnë të kthehen.

Në trend

Më shumë
Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Katër votat kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe një abstenim, gjithçka që duhet të dini

Muhamet Hajrullahu
“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

“Ka pak Kosovë brenda meje, ndihem danez”, talenti që po mahnit Danimarkën nuk i konsideron Dardanët

Përfaqësuesja e Kosovës
Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Momenti kur roja i sigurisë së Dua Lipës e ndalon fansen që të fotografohet me të - ia gjuan telefonin në tokë

Magazina
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

I pyetur nga Bundesliga se cilit person të famshëm ia ka numrin e telefonit - Xhaka zgjodhi legjendën e futbollit

Bundesliga
Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Detaje të reja nga krimi që la të vdekur dy persona në Prishtinë – policia njofton se është arrestuar një i dyshuar që po trajtohej në QKUK

Drejtësi
Kalo në kategori