LAJMI I FUNDIT:

Të mos i nënvlerësojmë njerëzit si “humbës të AI-së”

Të mos i nënvlerësojmë njerëzit si “humbës të AI-së”
Fotomontazh (FT/Dreamstime)

Nga: Sarah O’Connor / The Financial Times
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Teknologët dikur ishin tipa optimistë – shpeshherë aq entuziastë sa të shkonin në nerva. Prandaj, kohët e fundit ishin paksa çorientuese, teksa shihnim paradën e liderëve të teknologjisë që lëshojnë paralajmërime publike për pasojat e tmerrshme të mundshme të shpikjeve të veta.


Mustafa Suleyman, një nga bashkëthemeluesit e laboratorit të inteligjencës artificiale DeepMind, në një ngjarje në San Francisko, gjatë këtij muaji, tha se AI-ja [inteligjenca artificiale] do t’i kërcënojë punonjësit e privilegjuar të zyrave dhe se do të krijojë “një numër serioz të humbësve” që do të jenë “shumë të pakënaqur, shumë të shqetësuar”. Qeveritë, tha ai, duhet të mendojnë se si t’i kompensojnë ata.

Sam Altman, shefi ekzekutiv i OpenAI, javën e kaluar ishte inkurajues në dëshminë e vet në Kongres, teksa foli për potencialin për krijimin e punëve të reja, por megjithatë tha se do të ketë “ndikim në vendet e punës”, gjë e cila do të “kërkojë partneritet midis industrisë dhe qeverisë, por kryesisht veprime nga qeveria për të kuptuar se si duam ta zbusim këtë”.

Mirë për ta, mund të thuash. Më mirë të jesh i sinqertë në lidhje me rreziqet e mundshme që automatizimi paraqet për disa punëtorë, sesa të jesh verbërisht optimist. Në fund të fundit, të gjithë i mbajnë mend mësimet për luditët e fillimit të shekullit XIX në Angli, të cilët ishin aq të zemëruar saqë mësynë shkatërrimin e makinave të endjes që kishin zëvendësuar ata. Do të pajtohesha me këtë. Por, gjithashtu mendoj se ka diçka të rrezikshme në narrativën se AI do të krijojë fitues dhe humbës, dhe se humbësit duhet të kompensohen.

Ta jep përshtypjen se rezultati i ndryshimit teknologjik është i pashmangshëm dhe se gjithçka që mund të bëjmë është t’i nxisim qeveritë që t’i lajnë pasojat. Por, se si AI-ja i ndryshon vendet e punës, kjo nuk është aspak e paracaktuar: do të varet nga ekuilibri i fuqisë në miliona vende të ndryshme pune; nga legjislacioni dhe zbatimi i ligjeve; nga rezultati i ballafaqimeve për idetë, ligjet, kushtet e punës dhe shpërndarjen e përfitimeve të prodhimtarisë.

Siç argumentojnë ekonomistët Daron Acemoglu dhe Simon Johnson në librin e tyre të ri, Fuqia dhe përparimi, ky ka qenë rasti gjatë gjithë historisë – nga bujqësia në Mesjetë e deri te fabrikat e revolucionit industrial.

Në fakt, luditët janë shembull i mirë. Ata nuk ishin aq shumë kundër vetë teknologjisë, sa ishin kundër mënyrës se si po zbatohej për t’i nënvlerësuar aftësitë e tyre dhe për t’i zëvendësuar ata me produkte të dobëta të bëra nga punëtorët ose fëmijët e pakualifikuar. Të dëshpëruar, ata iu kthyen shkatërrimit të makinerive, por kërkesat e tyre nuk ishin të paarsyeshme për veshët e shekullit XXI: idetë e tyre përfshinin pagat minimale, standardet minimale të punës dhe një taksë për pronarët e makinerive për të ndihmuar në mbështetjen e punëtorëve të papunë. Ata thjesht nuk kishin fuqi për të gjetur zgjidhje.

Ka jehonë të asaj frike te shkurtimi i vendeve të punës dhe nënvlerësimi i aftësive, në luftën që po zhvillohet sot në Hollivud mes skenaristëve dhe studiove për mënyrën se si AI-ja mund të përdoret në procesin e shkrimit të skenarit. Të mbështetur nga sindikatat e forta, skenaristët mund të jenë në gjendje ta negociojnë një qasje më të duhur për të ardhmen.

Problemi tjetër me narrativën “kompensoni humbësit”, është se e bën këtë të tingëllojë thuajse qeveria është zgjidhja e vetme. Kjo ua lejon kompanive të mos kenë telashe, dhe gjithashtu nënkupton se individët nuk mund të ndërhyjnë.

Një politikë e re në Suedi është shembull interesant i qasjes alternative: vendi ka krijuar atë që në fakt është një skemë e tipit të pushimit, për avancim të mëtejshëm në jetë. Sipas marrëveshjes midis punëdhënësve, sindikatave dhe qeverisë, punëtorët mund të marrin pushim për t’u trajnuar në diçka të re, ndërsa paguhen me 80 për qind të pagës së tyre (deri në një kufi).

Kjo nuk pret që njerëzit njëherë të pushohen nga puna dhe pastaj t’jua ofroni atyre një kurs të lirë, në mënyrë që të mund ta plotësoni katrorin e “rikualifikimit” në manualin “e kompensimit të humbësve” (i cili nuk shkoi aq mirë në zonat e shumë vendeve të zhvilluara, që gjatë dekadave të fundit i kufizuan veprimtaritë industriale).

Në vend të kësaj, ideja është të jemi proaktiv – t’i ndihmojmë punëtorët të reagojnë ndaj ndryshimeve në vendet e punës dhe t’ju ndihmojmë punëdhënësve duke e ngritur bazën e aftësive të fuqisë punëtore. Është ende herët dhe ka disa rreziqe, për shembull pushimi për trajnimin e ofruar nga punëdhënësi.

Por, sindikatat suedeze shpresojnë se “anëtarët do t’i bëjnë më të sigurt në tregun e punës dhe më rezistentë ndaj forcave shkatërruese që gjithmonë ekzistojnë në punët e një ekonomie të vogël të hapur”, thotë ekonomisti Fredrik Söderqvist, për LO – konfederatën e sindikatave suedeze. “Ky lloj thekson parimin bazik të modelit suedez – siguria në tregun e punës supozohet të sjell siguri në punën individuale, jo anasjelltas”.

Është koha të ndalojmë së thëni se AI-ja do të prodhojë fitues dhe humbës, thuajse e gjithë kjo do të jetë jashtë kompetencave tona. Krijon mundësi dhe rreziqe. Se si zhvillohet, kjo varet nga ne. /Telegrafi/