LAJMI I FUNDIT:

A do të mësojnë shqiptarët nga disfata e Erdoganit?

A do të mësojnë shqiptarët nga disfata e Erdoganit?
Ilustrim

Bedri Islami

Disa ditë më parë, në shtetin turk, u zhvilluan zgjedhjet vendore, të cilat dhanë dy pamjet e saj të pritshme: Erdogani, njeri me pushtet gjysmë sulltanor dhe gjysmë autokrat, mori një shumicë gati të përmbysshme të votave, rreth 52 për qind, por humbi në dy qytetet e mëdha: Stambollin dhe Ankaranë.


Ishte një humbje e papritur për të, por që ishte pritur nga diplomacia ndërkombëtare, e cila kishte vërejtur se, edhe në referendumin e zhvilluar pak vite më parë, që lidhej me kompetencat presidenciale dhe ndryshimet kushtetuese, në dy qytetet e mëdha kishin hedhur rrënjë fillesat e një kundërshtimi, që tani do të merrte përsipër edhe shpalljen e parë të dukshme të vënies së një pushteti turfullues dhe, në rrafshin demokratik, mediokër.

Pas dhënies së rezultateve të para, në Shqipëri dhe në Kosovë, thuajse njëherësh, media dhe analistë të ndryshëm filluan të bëjnë krahasimet mes opozitës në Shqipëri, e cila ka braktisur sistemin për të ngritur precedentin e anti-sistemit, i cili mund të përsëritet në çdo rotacion pushteti, dhe që, sipas analistëve, mund të kishte fituar shumë më tepër nëse nuk do të ishte tërhequr nga lufta politike, qoftë në parlament, qoftë në rrugë apo në paradhomat dhe sallat e diplomacisë ndërkombëtare.

Opozita në Shqipëri, sidomos e tashmja, e lënë të dorën e dy rioshëve politikë, ende nuk e di rregullin themeltar që, për të fituar luftën politike, duhet të kesh lënë hapur portat e paqes. Ata, edhe pas ngjarjeve në Turqi ende nuk e kanë të qartë se është një punë e vështirë, por e urtë të ndalosh një fushatë përpara çastit kur lodhja shndërrohet në rraskapitje.

Zgjedhjet vendore në shtetin turk , mbi të gjitha duhet të ishin mesazhi më i prekshëm për shefin e qeverisë, Edi Rama. Kjo është domosdoshmëria e një lideri, i cili duhet të mësojë jo vetëm nga gabimet e tij, por edhe nga ajo që ndodh me si vëllezër të tij, qofshin në miniaturë, si në rastin e tashëm, qoftë në rrugëtimin politik.

Rama dhe Erdogani, shto këtu edhe Thaçin, janë njerëz të afërt me njëri-tjetrin. I bashkon mendimi politik, bindja drejtuese përmes një dore autokratike, rrëmbimi i pushtetit dhe lejimi i korrupsionit si një praktikë qeverisëse.

Të gjitha krahasimet çalojnë, thonë gjermanët, edhe krahasimi i Ramës me Erdoganin ka çalimet e tij, por ka edhe të vërtetat që qëndrojnë.

Jo pak herë Tirana zyrtare, ndryshe nga sa ndodh me institucionet themelore të Bashkimit Evropian, ka mbështetur veprimet autokratike e deri diktatoriale të Erdoganit; ka patur deklarata rrëmujë dhe jo të natyrshme për të mbështetur atë në goditjen e lëvizjes guleniste, duke kërkuar nga shteti shqiptar që të kthehet në një provincë turke për goditjen e tyre. Për fat, në Tiranë nuk ndodhi ajo që ishte në Prishtinë, por jo thjeshtë për meritën e zyrtarëve qeveritarë, por edhe të institucioneve perëndimore, të cilat treguan se vija e kuqe nuk mund të preket dhe nuk u prek.

Shqipëria është po ashtu, në pragun e zgjedhjeve vendore. 30 qershori do të jetë testi i parë i madh në vërtetësinë e zgjedhjeve politike të vitit 2017. Do të jenë po ashtu një dëshmi i zgjedhjeve të ndershme apo fakti i manipulimit.

Rama ka premtuar se, nëse opozita fiton qoftë edhe një bashki më shumë se shumica qeverisëse, vendi do të futet në zgjedhjet e parakohshme politike.

Por, në asnjë rast dhe nga asnjëra palë, konkretisht dhe saktë, nuk është folur dhe rënë në një mendje se çfarë do të ndodhë me çrregullimet e mëdha kushtetuese të vitit 2008, kur sistemi i vlerave u ngushtua dhe u bë harakiri i të drejtës për të zgjedhur. Afrimi i oligarkëve të mëdhenj të opozitës së tashme, aso kohe në pushtet, me oligarkët politikë të shumicës, aso kohe në opozitë, edhe pse të parët demokratikas dhe të dytët socialistë, ndërmjet tyre ekziston një marrëveshje e heshtur për të larguar nga pushteti këdo që mendon në mënyrë të rrezikshme për qeverisjen e tyre. Ndershmëria dhe puritanizmi që njeh si autoritet vetëm ndërgjegjen, mbahet larg jetës politike.

Rama, ashtu si edhe Erdogani, në pushtetin e tij, ka vragë të ndjeshme të korrupsionit, të cilat, në fundin e vitit 2018, u bënë edhe më të dukshme. Skandalet me firmën fantazmë DH Albania dhe qëndrimi i papërgjegjshëm qeveritar ndaj saj është ajo maja e aisbergut që duket hapur dhe që nuk zhytet më. Po ashtu, rrethimi i shefit të qeverisë përmes një oligarkie të fuqishme financiare, e cila njërën këmbë e ka tek opozita dhe tjetrën tek qeveritarët e sotëm, ka dëmtuar atë nyje që duhet të lidhë një drejtues të së majtës me votuesit e tij. Korrupsioni po e gërryen qeverinë Rama, po nxjerr në dritë skeletimin e një qeverie të lëvizshme, që ecën në qeverisjen e saj pa një përcaktim konkret, që përcjell pasurinë kombëtare në vetëm disa duar, të cilat, edhe mund të jenë vetëm tre për qind e popullsisë, zotërojnë mbi 90 për qind të pasurisë kombëtare; korrupsioni dhe mosndëshkimi i së keqes, të mëhershme dhe të tashme, janë plagët që mund të fundosin një qeveri që është ngritur mbi dy premisa: premtimin e begatimit të shtresës së varfër dhe ndëshkimin e së keqes që kishte ndodhur para saj. Ashtu si Erdogani, edhe qeveria Rama, dalëngadalë, po bëhet ortake e oligarkisë së fuqishme financiare, po bëhet palë me të, pikërisht me këtë furi njerëzore që nesër do e tradhtojë e para në vizionin dhe në qeverisjen e tij.

Veti të tilla njerëzore, si serioziteti në parimet, besnikëria ndaj vizionit qeverisës, mos-korruptimi po bëhen të huaja për një qeveri, e cila u votua dy herë pikërisht mbi bazën e këtyre koncepteve qeverisëse.

Erdogani shquhet si një lider autokrat, me hapësirë sulltanore të mendimit dhe me ashpërsinë e një junte ushtarake kundër mendimit ndryshe. Shpesh herë, qëndrimi i gjatë në pushtet, sjell atë që quhet autokracia demokratike, por limitet e saj janë kaluar kohërisht nga lideri i Rilindjes. Natyrisht, mes tij dhe liderit të mëparshëm, Berisha, nuk ka pika krahasimi të autoritarizmit, por kjo nuk është më pikë referimi dhe as një temë e tejkaluar. Deri më tani, e majta në pushtet, është përshfaqur si një forcë liberale, novatore në tejshkrimin e saj qeveritar, ka hapur hapësirat e ekonomisë dhe ka synuar të rritë shkallëzimin e nivelit material të popullsisë. Kjo e ka mbajtur atë si forcën më të afirmuar dhe më të votuar. Edhe sot, në sondazhet më të rënda për të, përsëri mbetet forca kryesore politike. Është e lehtë për PS-në të fitojnë në qytete të njohura si bastione të saj politike, të themi në Vlorë, por, nëse nuk arrihet ruajtja e pushtetit vendor në qytete të ndjeshëm ndaj korrupsionit dhe bandave , gjysmë politike e gjysmë financiare, të themi në Durrës apo në Elbasan, apo nëse shumica do të ketë një bashki më shumë dhe ajo do të jetë një periferike, atëherë pësimi do të jetë i rëndë dhe autokracia do të kthehet në dënim.

Humbja e qyteteve kryesore në Turqi nga forca politike e Erdoganit, megjithëse sundon me dorë të hekurt, nuk duhet të lexohet si një rastësi. Atje militantizmi ndaj pushtetit është më i furishëm dhe më i fuqishëm se mbështetja që baza socialiste i jep pushtetit të saj. Në shtetin turk ky militantizëm, nga i cili përfiton Erdogani, u shfaq në ditët e përpjekjes për grusht shteti, nga njëra ndër ushtritë më të fuqishme të kohës, kur njerëzit u përleshën me tanket. Megjithatë, kjo nuk i pengoi mendjet opozitare të vazhdojnë përpjekjen e tyre dhe hoqën disa gurë nga pushteti erdoganist.

Është, ndoshta momenti i duhur që pushteti i sotëm të kthehet nga baza që e ka deleguar, nga forca politike që e mbështet dhe të mos krijojë edhe më tej këtë ndasi pushtet humbëse. Nëse Rama do të mendojë si Erdogani se, ai është shteti, nuk ka për të mbetur asgjë nga qeverisja e tij.

Rama dhe Erdogani nuk janë si vëllezërit siamezë, por nga fillimi i dështimit të të dytit, duhet të mësojë edhe i pari.

Rama ka përballë tij një opozitë gjysmë foshnjore dhe inatçore, sa të hallakatur, aq edhe të pakujdesshme, që e ka më të lehtë të shantazhojë me portretet e Musolinit dhe të Pteçait, varur kokë poshtë se sa me vizonin e saj qeverisës; ai ka përballë një klasë politike opozitare e cila, edhe sot e kësaj dite, nuk e di pse ka lënë parlamentin dhe është në rrugë dhe që shpreson se rruga do e dërgojë të qeverisë vendin. Ky është fati i tij, por jo fati i shqiptarëve, që, edhe pse mund të mos e votojnë opozitën në tërësi, e shohin si vlerë, dhe që, përmes saj, të korrigjohet qeverisja e një vendi, i cili, tani për tani, po e pranon autokracinë dhe pushtetin suprem të shefit të qeverisë, por që një ditë, si votuesit e Ankarasë dhe të Stambollit, mund të kenë momentin e tyre të rebelimit dhe të mohimit.

Është koha për të mësuar nga dështimet e një miku.