Për të nëntëmbëdhjetën herë në Prishtinë, do të mbahet panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit “Agrokos”. Me datën 23, 24 dhe 25 në sallën ”1 Tetori”, do të mbahet ky panair, ku do të marrin pjesë shumë kompani të agrobiznesit vendor, si dhe nga Mali i Zi, Bosnja e Heregovina dhe Austria.

Në këtë panair, konsumatori kosovar do të ketë mundësinë që të njohë e shijojë prodhimet bujqësore dhe blegtorale vendase.

Bekim Xhafa nga kompania CEO thotë se ky panair tashmë është bërë tradicional, duke shënuar edicionin e nëntëmbëdhjetë.

Ndërkohë, tregon se cilat janë të veçantat e edicionit të sivjetëm të këtij panairi.

“E veçanta është se kemi sjellur produkte të reja, kompani të reja nga vende të reja dhe mendoj që do të jetë një atraksion tre ditorë gjatë kësaj kohe. Gjithë qytetarët e këtij vendi, në veçanti bizneset që e kanë mundësinë të vijnë në “Agrokos”, sepse janë shumë kompani të huaja të cilat kanë ardhur për të gjetur partnerë në Kosovë, dhe janë shumë kompani vendore të cilët janë prodhues dhe nuk janë të shtrirë në tërë territorin e Kosovës, dhe kanë nevojë për partnerë në disa vende të Kosovës, por jo vetëm, janë kompani që kërkojnë tregje edhe në Shqipëri edhe në Maqedoni, dhe në Bosnje-Hercegovinë. Ne do të arrijmë që në panairin “Agrokos”, të krijojmë lidhje direkte mes këtyre dy palëve, sepse vërtetë kemi sjellur një numër jo të vogël të kompanive nga i tërë regjioni, të cilat do të jenë prezente për tri ditë në Prishtinë”, tregon Xhafa, për KosovaPress.

Në panairin “Agrokos”, Xhafa thotë se do të jetë një mundësi e mirë edhe për vetë qytetarët që të vijnë dhe të shijojnë produkte të cilat janë të certifikuara nga insitututet për produktet organike. Pra, produktet më të shëndetshme që eksiztojnë në treg.

Mes tjerash, tregon synimet që kanë me organizimin e këtyre panaireve.

“Synimi jonë ka qenë që me pas një panair në Prishtinë, i cili u ofron mundësi bizneseve të huaja të kalojnë përmes Prishtinës të shtrihen në ballkan dhe bisneseve tona të shtrihen më lehtë në tregun vendor dhe të arrijnë pastaj edhe përmes panairit tonë në Prishtinë të arrijnë në regjion. Ky është synimi i jonë dhe besoj kemi arritur mirë që një numër i madh i bizneseve që sot operojnë në Kosovë kanë lindur me ne në panairet tona në Prishtinë dhe panairet tona që i kemi organizuar jashtë vendit”, shton Xhafa.

Që nga fillet e para organizimit të panaireve e deri më tani, Xhafa konsideron se ka pasur mjaft ndryshime.

Sipas tij, përmes tyre kanë arritur të krijojnë një industri e cila nuk ka ekzistuar fare, megjithatë, ai konsideron se ende duhet punuar shumë.

“Ky sukses do të ishte shumë më i madh në qoftë se do ta kishim shtetin e vetëdijshëm, shtetin që kupton rëndësinë e saj, shtetin që e sheh panairin si pasqyrën më reale, ekonomike të vendit të vet. Shteti i cili e sheh panairin si ambasadë ekonomike të vendit të vet dhe e shfrytëzon si pikëtakim, si një arenë, ku takohet informacioni për bizneset për cdo industri”, thotë Xhafa.

Programi ekspozues i këtij panairi është duke filluar nga fara, mbjellja e saj, kujdesi, rritja e fidanit, pjekja e frutit, vjelja, përpunimi i frutit, ambalazhimi dhe servimi në kuzhinat apo marketet tona. Të gjitha këto do të jenë të ekspozuara në panairin “Agrokos”.

Panairi Ndërkombëtar i Agrobiznesit dhe Ushqimit “AGROKOS”, do mbahet nga data 23-25 tetor, duke filluara nga ora 10:00, në ambientin e sallës 1 Tetori në Prishtinë./kp/Telegrafi/