LAJMI I FUNDIT:

Të mbikualifikuar për punën që bëjnë (Video)

Të mbikualifikuar për punën që bëjnë (Video)

Kundër dëshirës dhe përgatitjes së tyre, për shkak të gjendjes socio-ekonomike në Kosovë, të rinjtë shprehen të gatshëm të bëjnë punë nën nivelin e kualifikimit të tyre.

Sipas një raporti të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për vitet 2016-2017, rreth 20 për qind e të rinjve kosovarë, punojnë në vende pune, për të cilat janë të mbikualifikuar.


Gjatë një viti, në universitetet publike dhe kolegjet private në Kosovë diplomojnë rreth 10 mijë studentë në nivelin bachelor dhe më shumë se dy mijë në nivelin master.

Në mungesë të vendeve adekuate të punës, mijëra të diplomuar detyrohen të bëjnë punë, për të cilat nuk nevojitet diploma.

Studentja Leonora Krasniqi, thotë se do ta bënte atë punë me të cilën e ka kryer fakultetin.

“Varet, sepse ka raste kur fakulteti të ndihmon vetëm për ta perfeksionuar atë lloj pune, kështu që ai do të ishte veç një lloj plusi. Por, sipas mendimit tim, do ta shfrytëzoja mundësinë që e kam diplomën dhe do t’i shfrytëzoja aftësitë e mia, që i kam specializuar gjatë tërë këtyre viteve. Kështu që mendoj se do të vazhdoja me atë lloj pune që do të më përshtatej me fakultetin që e kam kryer”, thotë Krasniqi.

Florent Goqaj, qytetar nga Prishtina, shprehet se kjo varet nga gjendja ekonomike e individit.

“Kjo varet krejt nga gjendja ekonomike, në të cilën gjendet individi. Nëse nevoja për punë është më e madhe sesa avancimi në karrierë, normal që punon çfarëdo pune edhe nëse je i mbikualifikuar. Varet pagesa, mënyra e pagesës, kushtet e punës”, shprehet Goqaj.

Ndërsa, Elona Leci, studente, tregon se edhe nëse nuk je i kualifikuar, cdo punë është e mirëseardhur.

“Po, nëse është që të pëlqen ose nëse e ke pasur hobi edhe nëse nuk je e kualifikuar për atë punë, po, pse jo? Është e mirëseardhur”, tregon studentja Leci

Për Endrit Binakaj, qytetar nga Prishtina, tregu në Kosovë është i imponueshëm dhe puna e bërë është për ekzistencë.

Të them të drejtën nëse e shohim në aspektin pak normativ, nuk do të punoja, por pasi tregu është pas a shumë i imponueshëm, atëherë puna është bërë, si të thuash, për vetë ekzistencën, kështu që është pak si e detyrueshme që edhe nëse je i mbikualifikuar për një pozicion atëherë është, si të thuash, e imponueshme për ta bërë atë punë, ndoshta edhe pse e bën pa dëshirë.

Raporti i BERZH-it thotë se 40 për qind janë të kënaqur me punën që kanë. /REL/Telegrafi/