Të krijosh armikun tënd!

Nga: Umberto Eco
Vite më parë, tek shëtisja në Nju-Jork me një shofer taksie, pakistanez, emri i të cilit ishte i vështirë për t'u mbajtur mend, më pyeti se nga vija dhe iu përgjigja se vija nga Italia. Më pyeti për popullsinë tonë dhe u habit që jemi një popull kaq i vogël, por më shumë u habit kur i tregova se italianët nuk kanë gjuhën e nënës anglishten.
Pastaj pyeti se kush ishin armiqtë tanë. Unë e pyeta me habi: "Si thatë, zotëri"? Taksisti më pyeti me durim se donte të dinte se me cilët njerëz kemi qenë në luftë me shekuj për shkak të mosmarrëveshjeve territoriale, urrejtje mbi baza etnike e fetare etj.
I thashë se nuk kemi qenë në luftë me askënd. Ai më shpjegoi përsëri me shumë durim se donte të dinte se cilët ishin kundërshtarët tanë në aspektin historik - kush na vrau dhe kë vramë. I thashë sërish se një gjë e tillë nuk kishte ndodhur, se nga lufta e fundit kishte kaluar më shumë se gjysmë shekulli dhe atë luftë e filluam me një armik dhe e përfunduam me një tjetër.
Shoferi mbeti i pakënaqur me përgjigjen që i dhashë: Si mund të ketë një popull pa armiq?
Kur zbrita nga taksia, i lashë bakshish dy dollarë për të kompensuar paqedashjen tonë mjerane, por më pas m'u kujtua përgjigjja që duhej t’i kisha dhënë:
Nuk është e vërtetë që italianët nuk kanë armiq. Italianët nuk kanë armiq të jashtëm (ose nuk janë në gjendje të bien dakord se cilët janë armiqtë e tyre), sepse janë shumë të zënë duke luftuar njëri-tjetrin:
Lucca me Piza, Gibellinët me Guelfët, Veriu me Jugun, partizanët me fashistët, shteti me mafien, gjyqtarët me qeverinë (fatkeqësisht në atë kohë dy qeveritë Prodi nuk kishin rënë ende, përndryshe mund t'i kisha shpjeguar se çfarë do të thotë të humbasësh në luftë nga zjarri miqësor).







































