LAJMI I FUNDIT:

Të gjithë të gatshëm për zgjedhje në Podujevë, LDK thotë se nuk do të bëjë presion me kërkesa në KQZ

Të gjithë të gatshëm për zgjedhje në Podujevë, LDK thotë se nuk do të bëjë presion me kërkesa në KQZ

Subjektet politike në Komunën e Podujevës janë shprehur të gatshme për të mbajtur zgjedhjet për kryetar të kësaj komune, por sikur edhe çdo veprim tjetër, institucionet shëndetësore të Republikës së Kosovës e kanë në dorë edhe fatin e mbajtjes ose jo të zgjedhjeve në këtë komunë.

Tash e disa muaj Podujeva udhëhiqet nga ushtruesi i detyrës së kryetarit, Nexhmi Rudari, pas dorëheqjes së Agim Veliut nga kjo pozitë, kur ai u emërua ministër i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike në Qeverinë Kurti.


Zgjedhjet në këtë komunë me vendim të presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, janë shtyrë pas pranimit të rekomandimit nga kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka më 14 mars të këtij viti, e kjo për shkak të gjendjes me pandeminë COVID-19, shkruan Telegrafi.

Thaçi shtyn zgjedhjet në Podujevë
Lexo po ashtu Thaçi shtyn zgjedhjet në Podujevë

Gjatë të martës (sot), dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë iu drejtua Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me kërkesë për mbajtjen e zgjedhjeve në këtë komunë gjatë muajit qershor.

Vetëvendosje dorëzon në KQZ kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë
Lexo po ashtu Vetëvendosje dorëzon në KQZ kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të kësaj komune, njëherit edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit në Podujevë, Nexhmi Rudari ka thënë për Telegrafin se janë të gatshëm për zgjedhje, kurdo që të jenë krijuar kushtet për mbajtjen e tyre, por tha se nuk do të bëjnë presion për mbajtjen e tyre.

“Ne përgatitjet i kemi përfunduar atëherë për zgjedhje. Por, nuk kemi bërë e as nuk e kemi ndërmend të bëjmë presion ose kërkesë në KQZ. Për këtë çështje duhet të vendos Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë, nëse kanë pushuar rrethanat që i kanë shty zgjedhjet dhe vlerësohet se nuk kemi rrezik nga pandemia ne jemi të përgatitur. Kurdoherë që ato të ndodhin ne jemi të gatshëm”, tha Rudari.

Rudari tha se e kanë prioritet jetën e shëndetin e qytetarëve, ndërkaq shtoi se komuna edhe pse me ushtrues detyre, nuk ka mbetur asgjë keq gjatë kësaj kohe.

“Sidoqoftë, për neve me rëndësi ka qenë edhe atëherë edhe mbetet ende jeta dhe shëndeti i qytetarëve sesa zgjedhjet, sepse ato mund të ndodhin tashmë mund të ndodhin pas një muaji nuk është shumë e rëndësishme. Me rëndësi është që komuna ka vazhduar të udhëhiqet me ushtruesin e detyrës së kryetarit dhe asgjë keq nuk ka mbetur”, tha Rudari.

Në anën tjetër, Bahri Selimi, Sekretar Organizativ i Lëvizjes Vetëvendosje në Podujevë tha për Telegrafin se vlerësojnë se kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve tashmë janë krijuar, duke shtuar se ata kanë bërë vetëm kërkesë. Ndërsa sa i përket vendimit, ai tha se kjo i mbetet institucioneve shëndetësore të vendosin në bashkëpunim me KQZ-në.

“Realisht për mbajtjen e zgjedhjeve ne kemi qenë të gatshëm edhe në kohën kur janë nulu zgjedhjet. Nuk kemi filluar ndonjë përgatitje më të veçantë por, aty ku kemi mbetur ne vetëm kemi vlerësu që tashmë kushtet janë pjekur për të mbajtur zgjedhjet, për arsye se komuna jonë ka afro një muaj ose më shumë që nuk ka asnjë rast me COVID-19. Të gjitha rastet janë të shëruar dhe kemi vlerësuar se kushtet janë pjekur për zgjedhje. Mirëpo, ne kemi dorëzu një kërkesë te KQZ-ja, që në bashkëpunim edhe Ministrinë e Shëndetësisë edhe me Institutin e shëndetësisë që ta marrin edhe ata një vendim nëse vlerësojnë se ka mundësi për të mbajtur zgjedhje”, tha Selimi.

Selimi tha se kanë vazhduar me përgatitjet dhe se kanë publikuar edhe një video, ku jepen udhëzime se si mund të votohet në kohë pandemie.

“Ne kemi dërguar kërkesë, në bashkëpunim edhe me Institutin Shëndetësor por edhe me Ministrinë e Shëndetësisë, ne kemi vlerësu se ata do të marrin masat. Ne si Lëvizje e kemi shpërndarë një video udhëzuese se si mund të mbahen zgjedhjet në kohë pandemie, siç janë mbajtur edhe në shumë vende tjera. Bazuar në atë video kemi vlerësuar që kushtet janë pjekur për të mbajtur zgjedhje. Sidoqoftë ne kemi bërë vetëm kërkesë por në bashkëpunim me institucionet e shëndetësisë edhe me KQZ-në, ata duhet ta japin fjalën përfundimtare”, tha Selimi.

Ndërkaq, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, për kryetar të Podujevës, Naim Fetahu, po ashtu u shpreh i gatshëm për zgjedhje, duke shtuar se kjo varet nga institucionet shëndetësore.

“Ne jemi të gatshëm për zgjedhje kurdo që organizohen zgjedhjet, kurdo që e shohin institucionet përkatëse se janë krijuar kushtet për tu mbajtur zgjedhjet, ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në zgjedhje. Ne jemi në kontakt me strukturat tona, ne kemi komuniku ashtu siç na kanë lejuar kushtet e rrethanat, duke respektuar të gjitha kërkesat e Institutit të Shëndetit Publik dhe kemi qenë të përgjegjshëm në komunikim por komunikimi jonë ka vazhduar edhe gjatë kësaj kohe”, tha Fetahu, për Telegrafin.

Kurse, sa i përket kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor, analisti politik, Ramush Tahiri ka thënë se faktor kyç për këto zgjedhje janë rekomandimet e institucioneve shëndetësore.

“Zgjedhjet për shkak të pandemisë i shtyu presidenti i Republikës së Kosovës, sepse ai i shpall dhe cakton datën, e jo KQZ-ja. Komisionin Qendror i Zgjedhjeve cakton vetëm anën teknike me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ajo që është me rëndësi është se Vetëvendosje i është drejtuar me kërkesë KQZ-së, edhe pse ndoshta adresa nuk është tamam. Iu ka drejtu opinionit, e jo presidentit për shkak të raporteve që ka me të, duke i kërkuar një afat të caktuar që të mbahen zgjedhjet në Podujevë. Në kohën e pandemisë duhet disa faktor kyç, njëri që është Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në çfarë rregulla duhet me u mbajt zgjedhjet, sepse ende jemi nën masa shëndetësore të pandemisë dhe pasi të mbahen zgjedhjet lokale në Podujevë”, tha Tahiri për Telegrafin.

Sipas Tahirit, nëse mundësohet mbajtja e zgjedhjeve në Komunën e Podujevës, atëherë ka kushte për tu mbajtur edhe zgjedhjet në nivel qendror.

“Politikisht edhe praktikisht mund të mbahen zgjedhjet edhe në nivel të Kosovës, nëse deklarohen edhe partitë politike tjera dhe nëse Vetëvendosje dëshiron të mbahen zgjedhjet ashtu siç u deklarua edhe kryetari i saj së fundmi, me u mbajt zgjedhjet parlamentare. A do të ndodh kjo ose jo, mua ma merr mendja se jo, të paktën jo për 2-3 javët e ardhshme, sepse janë tjerë faktor që vendosin për mbajtjen e zgjedhjeve, në ndërkohë unë besoj që krijohet shumica parlamentare për me u zgjedh Qeveria e re, e nëse zgjedhet qeveria e re, atëherë zgjedhjet lokale janë më pak të rëndësishme, ani pse janë të rëndësishme për garën ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosje. Vetëvendosje i është drejtu KQZ-së për me animu opinionin edhe si një lloj njoftimi. Partitë pjesëmarrëse dhe ministria përkatëse i drejtohen Presidentit sepse ai është që i dekreton datën e zgjedhjeve ashtu siç  e ka anulu mbajtjen e tyre. Jashtë tij nuk ka asnjë institucion tjetër që merr vendim, pa marrë parasysh kush është president”, tha Tahiri.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme në Komunën e Podujevës do të garojnë tri parti politike, Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Veç tre kandidatë në garë për kryetar të Podujevës
Lexo po ashtu Veç tre kandidatë në garë për kryetar të Podujevës

Lidhja Demokratike e Kosovës do të garojë me Nexhmi Rudarin, Lëvizja Vetëvendosje me Shpejtim Bulliqin dhe PDK me Naim Fetahun. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Ekipet e reja për mbledhjen e mbeturinave, Rama njofton se janë sulmuar fizikisht punëtorët në lagjen Dardania

Lajme

"Daily Mail" shkruan për kosovarin me nënshtetësi angleze që po mbahet në një burg ferri në Serbi

Lajme
Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Gashi: Mandatori i ardhshëm për kryeministër duhet së pari të flasë me ne

Lajme
Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Pasuria e kryetarit të Suharekës e deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit

Lajme
Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Hyri ilegalisht nga Serbia në Kosovë, policia ndalon të dyshuarin

Kronika e Zezë
Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Kryetari i Istogut deklaron mbi 3 mijë euro kursime në bankë, e bashkëshortja e tij vetëm 30

Lajme
Kalo në kategori