LAJMI I FUNDIT:

Të djeshmit dhe e sotmja

Barinjtë e përrallave, nëpërmjet të cilave fëmijëve u dëshmohet se sa e dëmshme është gënjeshtra, gënjenin nga tri herë me radhë që më në fund të mos u besojë askush. Pastaj, barinjtë e këtyre përrallave, bërtasin nga maja e malit duke shpresuar se ata poshtë nuk e dinë çka ndodh pas maleve. Por më në fund, siç shpjegon tutje fabula e këtyre përrallave, do pësojnë vetëm delet e bariut gënjeshtarë dhe fshati do vazhdojë të jetojë me mosbesim ndaj të gjithë atyre që janë vëllazëruar me gënjeshtrat.

Barinj të tillë, të kohëve moderne, e të cilët janë vëllazëruar me gënjeshtrat politike kemi edhe sot. Madje me bollëk, sa na ndodh edhe për kushedi të satën herë me radhë, t’i dëgjojmë të njëjtat gënjeshtra, të artikuluara në forma të ndryshme, sa që kur ajo e kryen qarkun e vet të destinuar dhe kthehet deri te autori, edhe vetë gënjeshtari i beson asaj. Siç ndodhi për shembull me Isa Mustafën, i cili, gjatë fushatës për balotazh, e brohoriti me aq gëzim dhe urrejtje fitoren e LDK – së në Gjilan dhe Prizren, sa dukej se filloi të besojë edhe ai vetë se betejat politike fitohen me thirrje të rreme, si dikur, në kohët e rinisë së tij, kur partia paraprakisht e dinte se kënd e do dhe cilin medoemos do e votojë populli. Pra, ai praktikoi dhe praktikon betejat politike që i njeh, ato që popullin e konsiderojnë si një turmë e cila duhet të votojë atë që ia ka zgjedh partia. Apo Isa Mustafa, si eksponent i partisë që ka të kaluar, por jo edhe të ardhme, i beson bindjes së vetë gënjeshtare se mjafton edhe sot, njësoj si dukur, të thirresh në amanetin e atyre që nuk janë dhe ta fitosh betejën politike. Ai, pra, beson se ata që dikur kishin punuan për lirinë e këtij vendi, kanë pasur vetëm një qëllim: që pasardhësit e tyre përjetë të drejtojnë vendbanimet e shtetin tonë dhe Kosovën.


Nëse krahasohet LDK-ja e dikurshme me atë të sotshmen dhe nëse merret parasysh pakënaqësia e anëtarëve të shumtë të dikurshëm, e të cilët sot ose janë orientuar në një parti tjetër, ose kanë hequr dorë nga politika duke mos dashur ta tradhtojnë vizionin që në një kohë shumë të largët i kanë besuar, atëherë arsyetohet edhe kjo fushatë e egër politike, e cila s’ka se si mos ta krijojë përshtypjen se përfaqësuesit e sotshëm të LDK –së veprojnë të frikësuar se do t’u bie maska e do zbulohet se LDK –ja gradualisht shndërrohet në një fantazmë që ka të kaluar por jo edhe projekt për të ardhmen. Apo thënë ndryshe, LDK-ja e dikurshme kishte ideal të barabartë me atë të të gjithë kosovarëve – lirinë vendit – , e sot ka mbetur vetëm me etjen për pushtet . Dhe se atë e drejtojnë padronë të cilët mirëqenien e vet e barazojnë me atë të popullit dhe besojnë se vetëm kur janë ata në pushtet populli ndjehet mirë.

Por, duhet pranuar se barinjtë e sotshëm modern e kanë kuptuar se edhe gënjeshtra kërkon art. Kështu që gënjeshtrën e njëjtë ata e përsërisin në forma të ndryshme, duke i shtuar asaj elemente të cilat paraprakisht populli nuk i ka dëgjuar. Pra, ata mendojnë se në një vend si i yni, i cili ende përballet me betejën të konsolidohet dhe të bëhet subjekt ndërkombëtarë, nuk është e vështirë popullit t’ia mjegullosh vështrimin me lloj-lloj iluzionesh, me propagandë gënjeshtare e cila ka për qëllim mirëqenien e partisë, por jo edhe atë të popullit. Dhe për ta realizuar këtë qëllim nuk është se nuk e kanë zgjedhur formulën e duhur: kjo parti udhëhiqet nga dy grupe pleqsh, të cilët i kanë ndarë rolet me mjeshtëri – disa ta shpalosin “planin A” duke aktruar rolin konstruktiv për afirmimin e shtetit, ndërsa tjerët, të ngarkuar me realizimin e “planit B”, do ta aktivizohen të zbulojnë rrugë si ta bëjnë Kosovën pronë të një partie. Dhe me këtë plan, i cili edhe u ka hije njerëzve që jetojnë në të kaluarën e jo në të sotmen, ata duan të minimizojnë të vërtetën se janë jashtë të sotmes sonë. Dhe si të tillë, ata kapen ku të munden, sulmojnë cilindo që i përballë me pasqyrën ku shihet qartë se të sotmen nuk mund ta ndërtojnë të ardhurit nga e djeshmja.

Nuk ka dyshim se ka ardhur koha kur Kosova duhet të ndahet nga ata politikanë që njohin vetëm artin e gënjeshtrave politike. Nga ata që partitë i konsiderojnë si pronë të veten e popullin vetëm si një turmë që ua mundëson me vite të tëra të jenë në pushtet. Politikanët e tillë nuk janë e ardhmja e Kosovës për një arsye shumë të thjeshtë: ata jetojnë ankthin e madh që i pushton politikanët që e kanë kuptuar se nëse ngelen jashtë qeverisë, si opozitar, partia e tyre nuk do të kishte as aq anëtar sa ka anëtarë kryesia e tyre sot.

Por, sigurisht se LDK – ja këtë strategji nuk do të mund ta zhvillonte nëse këtë ndihmë, mbase edhe pa vullnet, nuk do t’ia jepte partia e parë në pushtet, e cila në vazhdimësi bënë kompromise të dhembshme dhe pavarësisht të gjithave, prapë nuk e shpalos në opinion se ajo, e jo ata që shtirren, është viktimë e këtij koalicioni. Pra PDK-ja duhet hapur të tregojë edhe arsyet se viktimizon popullaritetin e vet vetëm për mirëqenien e të gjithëve në Kosovë, se shkel mbi interesat e saja e vetëdijshme se shtetit tonë sot më së paku i duhet një krizë politike, se interesi i popullit qëndron mbi interesin partiak.

E derisa LDK – ja vazhdon me plane, ndërsa PDK – ja bënë kompromise, partia që u rreshtua e treta, AAK – ja si duket e ka zgjidhur problemin. E ka kuptuar se këtij elektorati i duhet nga pak motive nga të dy partitë në qeveri, se votuesit nuk duan t’ia dinë nëse je i majtë ose i djathtë. Zgjodhën të jenë një hibrid i papërcaktuar, i cili do të ndryshojë kahe varësisht nga zhvillimet në terren. Iu përkushtuan me zell politikës ditore, e cila nuk është tjetër pos shterpe dhe e përkohshme, e cila do tua mundësoj më lehtë ta ndërrojnë trajtën dhe përmes sloganit të tyre të dikurshëm – vetëm drejt, ata zgjodhën një rrugë të tretë. Më në fund AAK-ja e sotme e jeton ëndrrën e përgjysmuar të ish kryeministrit, i cili shpreson se së shpejti do e jetojë edhe gjysmën e munguar të ëndrrës së tij.