eksperti-banner

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka bërë të ditur se pas identifikimit përmes analizës shkencore të ADN-së, në mbështetje të kërkesës së familjes, më 21 qershor 2026 do të bëhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit Hajdar Pepaj, i cili ishte në Listën e Personave të Zhdukur.

Në njoftim bëhet e ditur se ceremonia e rivarrimit do të mbahet më 21 qershor 2026, në varrezat e fshatit Kodrali, nga ora 16:00.


Paraprakisht, nga ora 15:00, do të mbahen homazhe te 'Lapidari i Ri' në fshatin Kodrali të Deçanit.

Ceremonia e rivarrimit organizohet nga Shoqatat e dala nga lufta - Dega në Deçan dhe Komuna e Deçanit, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Pepaj, njëkohësisht rithekson përkushtimin institucional për vazhdimin e angazhimit në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/