Beteja shumëvjeçare për godinën, ku ka lindur Hitleri, më në fund ka mbaruar, njoftoi Ministria e Brendshme e Austrisë.

Gjykata e Lartë austriake ka vendosur në anë të shtetit duke lënë shumën fillestare të ofruar prej saj për kompensimin e ish-pronarëve të godinës.

Hitleri ka lindur në qytetin Braunau am Inn pranë kufirit me Gjermaninë në vitin 1889.

Pasi nazistët erdhën në pushtet, shtëpia u ble nga partia dhe u përdor si një lloj qendre kulti fashiste.

Pas luftës ajo iu kthye pronarëve fillestarë dhe u bë një herë bibliotekë, më pas shkollë teknike dhe më pas qendër kujdesi për njerëzit me aftësi të kufizuara, përcjell gsh.

Godina kishte mbetur e braktisur prej pesë vitesh, qëkur Parlamenti austriak votoi marrjen e pronës me qëllim që të parandalohej kthimi i saj në një vend pelegrinazhi për neonazistët.

Pronares Gerlinde Pommer iu akorduan si kompensim 810.000 euro.

Megjithatë një gjykatë në qytetin e Ried-it vendosi, që Pommer duhej dëmshpërblyer më shumë, duke e vlerësuar kompensimin për të me 1,5 milionë euro.

Ky vendim u hodh poshtë nga Gjykata e Lartë rajonale në Linz dhe të hënën Gjykata e Lartë e vendit në Vjenë e gjeti të drejtë vendimin e gjykatësve të Linz-it.

Qeveria austriake po konsideron ndërkohë plane që ose ta shembi godinën, ose ta ndryshojë atë tërësisht që të mos ketë asgjë të përbashkët me pamjen e saj të dikurshme.

Një konkurs arkitekturor do të organizohet për të përcaktuar të ardhmen e saktë të godinës.

Ministri i Brendshëm Wolfgang Peschorn tha, se kjo “do të parandalojë çdo lloj aktiviteti rinovimi të Partisë Nacional-Socialiste”.