LAJMI I FUNDIT:

Taksa rriti vetëdijesimin e konsumatorëve për konsumimin e prodhimeve vendore

Taksa rriti vetëdijesimin e konsumatorëve për konsumimin e prodhimeve vendore

Derisa viti 2018 po konsiderohet të ketë qenë viti zgjedhor për Odën Ekonomike të Kosovës (OEK), viti që po hyjmë pritet të jetë luftimi i informalitetit.

Kryetari i OEK-ut , Berat Rukiqi, ka thënë se gjatë vitit 2019-të, për herë të parë do të organizohet konferenca ndërkombëtare për tregun e punës, ku pritet të diskutohet e ardhmja e vendeve të punës.


“Procesi zgjedhor ka ndikuar në dinamikën e aktiviteteve. Dhe, fokusi në pjesën e mbetur ka qenë ri-pozicionimi i Odës si akteri më i rëndësishëm për mbrojtjen e sektorit privat në vend. Dhe besoj që këtë e kemi arritur”, tha ai.

Rukiqi bëri të ditura edhe objektivat e OEK-ut për vitin 2019. Sipas tij, OEK do të angazhohet vazhdimisht në promovimin e importit dhe eksportit.

“Viti 2019 për OEK-un do të jetë vit i luftës kundër informalitetit, për shkak se çdo ditë e më shumë informaliteti dhe konkurrenca jo e drejtë po bëhen barriera kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit. Sa i përket ekonomisë në vitin 2018-të, nëse flasim për aspektet pozitive, do ta përmendi trendin pozitiv të rritjes ekonomike, 3.7 për qind në vitin 2017, 4.2 për qind në 2018-ën. Reformën fiskale, duhet të jemi të sinqertë, reformat fiskale e kanë ndihmuar sidomos sektorin prodhues. Sot, 650 kompani prodhuese përfitojnë nga ndryshimet në politikat fiskale”, u shpreh ai.

Ai ka folur edhe rreth vendosjes së masës 100 për qind ndaj mallrave serbe.
“Konsiderohet se kemi një ngritje të vetëdijes. 80 për qind e konsumatorëve konsiderojnë që taksa ka ndikuar në ngritjen e vetëdijes për produktet e vendit dhe për mundësitë apo për alternativat tjera nga vendet e tjera dhe që nuk janë prodhime serbe. Kjo ngritje e vetëdijes është efekti më pozitiv i taksës kisha me thënë”, tha Rukiqi. /Telegrafi/