LAJMI I FUNDIT:

Takimet e Osmanit me krerët e partive për datën e zgjedhjeve lokale, kandidaturat e zyrtarizuara – emrat e mundshëm për kryetarë të komunave

Takimet e Osmanit me krerët e partive për datën e zgjedhjeve lokale, kandidaturat e zyrtarizuara – emrat e mundshëm për kryetarë të komunave
Foto: Arkiv

Presidentja e Kosovës,Vjosa Osmani ka përfunduar takimet me subjektet politike parlamentare, ku është diskutuar për datën e zgjedhjeve lokale.

Në takime ndaras, Osmani ka takuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u.d. kryetarin e PDK-së, Enver Hoxhaj, kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, përfaqësuesin AAK-së, Besnik Tahiri, kryetarin e Listës Serbe, Goran Rakiq si dhe me partitë e komuniteteve joshumicë: Vakat, RI, PAI, KDTP, IRDK, SDU, NDS, JGP dhe LPRK.

E, pas takimeve të mbajtura subjektet politike kanë treguar se cilat janë datat e preferuara për mbajtjen e zgjedhjeve, përcjell Telegrafi.

Lëvizja Vetëvendosjes përmes një komunikate të lëshuar për media ka bërë të ditur se kreu i partisë, Albin Kurti ka kërkuar nga presidentja që sa më shpejtë të caktohet data për zgjedhjet lokale.

“E pikërisht fitorja mbi 50% në këto zgjedhjet e fundit qendrore paralajmëron mandatet e fuqishme që do t’i marrim nëpër shumicën e komunave të Kosovës. Po shkojmë drejt fitores për shkak se ndryshimi që ka filluar do e marrë formën e tij të plotë, për shkak se zhvillimi i gjithëmbarshëm që ka filluar po e kërkon zhvillimin e secilës pjesë. Në këtë kuptim, qëndrimi që kryetari ynë, z. Kurti, paraqiti në presidencë ishte që data për zgjedhjet lokale të caktohet sa më shpejt e ato të mbahen sa më parë”, thuhej në njoftimin e LVV-së.

LDK dhe PDK kërkuan që 31 tetori të shpallet ditë e zgjedhjeve lokale

Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë kërkuar që data 31 tetor të shpallet ditë e zgjedhjeve lokale.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku pas takimit që ka pasur me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se partia e tij është e gatshme për t’u futur në garë zgjedhore.

“Ne jemi gati si LDK në çdo datë të mundshme për t’u futur në garë zgjedhore, por është rekomandim i yni që 31 tetori për shkak të organizimit më të mirë rreth zgjedhjeve, për shkak se Kosova është në pandemi dhe duhet të kalojë një kohë edhe për trajtimin dhe vaksinimin e rimëkëmbjen ekonomike. Por edhe çdo datë tjetër është e pranueshme për LDK-në. Ne i propozuam dhe i kërkuam presidentes që 31 tetorin ta shpall ditë të zgjedhjeve lokale”, ka thënë ai para mediave.

Kurse, ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj pas takimit me presidenten Vjosa Osmani ka thënë para mediave se kanë propozuar si datë për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, datën 31 tetor 2021.

“Ne mendojmë që institucionet që merren me organizim e zgjedhjeve duhet të kenë mjaft kohë që procesi të jetë i përgatitur mirë. Ne kemi kërkuar që si datë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve të jetë 31 tetori 2021, dhe mendojnë që është brenda afatit kushtetues dhe e dimë që deri atëherë komunat dhe institucionet që merren me organizimin e zgjedhjeve do të mund të ken kohë për përgatitje”, kishte deklaruar Hoxhaj pas takimit të zhvilluar me presidenten.

Ndërkaq, Shefi i Grupit Parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se kjo parti nuk ka pasur preferenca datash sa i përket mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Pas takimit me presidenten, Vjosa Osmani, ka thënë se me rëndësi është që kryetarët e komunave të kryejnë mandatet e plota, pa humbur asnjë ditë.

“Zgjedhjet të ndodhin në afatet kohore. Aty u diskutua data 31 tetor, ajo që dihet është se mandati i kryetarëve të komunave përfundon më 22 tetor, nuk është mirë me iu ndalë mandati asnjë ditë”, ka potencuar ai para mediave.

Ndryshe, nga presidenca kanë njoftuar që në ditët në vazhdim do të caktohet data për mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Ndërkohë, kur kanë mbetur edhe pak muaj nga mbajtja e zgjedhjeve lokale, subjektet politike tashmë kanë filluar lëvizjet e para me përcaktimin e kandidaturave për kryetarë të komunave.

Në bazë të kalendarit të rregullt zgjedhjet do të mbahen në tetor apo nëntor të këtij viti dhe tashmë PDK, LDK dhe AAK kanë zyrtarizuar kandidatët për disa komuna, derisa nga LVV ende nuk ka ndonjë zyrtarizim.

Pavarësisht kësaj, nga të gjitha partitë ka kandidat që kanë shpallur ambiciet për të garuar për kryetarë të komunave të caktuara.

AAK e cila qeverisë në shtatë komuna, është partia e parë që ka filluar zyrtarizmin e kandidaturave për zgjedhjet lokale të vjeshtës së këtij viti.

Daut Haradinaj – Prishtinë dhe Besnik Tahiri – Podujevë ishin dy kandidaturat e para surprizë nga AAK.

Arbër Tolaj do të jetë kandidatë nga kjo parti për kryetarë të Pejës.

Zgjedhjet lokale: Kandidaturat e zyrtarizuara deri më tani dhe emrat e mundshëm për kryetarë të komunave
Lexo po ashtu Zgjedhjet lokale: Kandidaturat e zyrtarizuara deri më tani dhe emrat e mundshëm për kryetarë të komunave

Përpos Obiliqit, ku kryetari aktual Xhafer Gashi është tërhequr nga AAK, në të gjitha komunat tjera që qeverisë AAK do të garojnë kryetarët aktual.

Ardian Gjini – Gjakovë, Bali Muharremaj – Suharekë, Zenun Çelaj – Klinë, Bashkim Ramosaj – Deçan, Smajl Lafiti – Rahovec, Agron Kuçi – Junik.

LDK e cila drejton shtatë komuna, deri më tani ka zyrtarizuar vetëm kandidaturën e Përparim Ramës për Prishtinën.

Gazmend Muhaxheri i cili drejton Komunën e Pejës, ka konfirmuar disa herë se do të jetë në garë edhe për një mandat në këtë komunë.

Edhe Xhafer Tahiri ka konfirmuar se do të jetë në garë edhe për një mandat në Vushtrri.

Për një mandat tjetër duket se do të kandidojnë edhe Imri Ahmeti për Lipjanin dhe Sokol Haliti për Vitinë.

Emri i Ekrem Hysenit është përmendur si më i mundshmi nga LDK për Podujevën. Për të thuhet se ka konsensus të gjerë nga Dega e LDK-së në Podujevë, njofton Telegrafi.

Nga LDK ende nuk dihet nëse do të rikandodjnë për rizgjedhje Lutfi Haziri në Gjilan dhe Haki Rugova në Istog.

PDK deri më tani ka zyrtarizuar kandidaturat për disa komuna.

Shaqir Totaj edhe njëherë do të provojë të rikthejë Prizrenin në qeverisjen e PDK-së.

Pos Totajt, PDK ka zyrtarizuar edhe rikandidimin e Naim Ismajlit në Shtime, komunë kjo të cilën PDK e drejton prej shumë mandatesh.

Rrahim Ternava dje është zyrtarizuar si kandidatë i PDK-së për kryetar të Fushë Kosovës.

Dega e PDK-së në Skenderaj ka deklaruar se Sami Lushtaku është zyrtarizuar si kandidatë i kësaj partie për kryetar të komunës.

Rikandidimin për kryetar të Drenasit nga PDK e ka shpallur edhe Ramiz Lladrovci.

Ende nuk dihet nëse për një tjetër mandat do të kandidojnë Agim Aliu për Ferizajn dhe Shaban Shabani për Dragashin, komuna këto që i qeverisë PDK.

LVV deri më tani nuk ka zyrtarizuar asnjë kandidaturë për kryetarë të komunave.

Deri më tani si kandidatë më i mundshëm për Prishtinën nga kjo parti përflitet Arben Vitia.

Ambicien për të garuar për Prizrenin nga LVV deri më tani e ka shprehur deputetja Drita Millaku, ndërkohë që komuna drejtohet nga Mytaher Haskuka i LVV-së.

Agim Bahtiri ka deklaruar se do të garojë edhe për një mandat në krye të Komunës së Mitrovicës, por kësaj radhe nën logon e LVV-së. Për këtë Bahtiri ka thënë se ka edhe mbështetjen e LVV-së.

Për kryetarë të komunës së Pejës nga LVV pritet të garojë Gazmend Agusholli. Telegrafi ka mësuar se kandidatura e Agushollit është miratuar në Kryesi të Pejës dhe pritet që të merr edhe mbështetjen nga qendra.

Nga ana tjetër, AKR sot ka zyrtarizuar sot kandidaturën e Selim Pacollit për Prishtinën./Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Perandoria e shantazhit dhe shkatërrimi i grupit 'AlbKings' - si publikoheshin foto e video nudo të vajzave shqiptare

Perandoria e shantazhit dhe shkatërrimi i grupit 'AlbKings' - si publikoheshin foto e video nudo të vajzave shqiptare

Drejtësi
Ardita Sinani shpall fitoren në Preshevë, Fronti për Ndryshim fiton Bujanocin

Ardita Sinani shpall fitoren në Preshevë, Fronti për Ndryshim fiton Bujanocin

Lugina
Përplasja në distancë e Gërvalles me Presidenten, MPJD thyen heshtjen

Përplasja në distancë e Gërvalles me Presidenten, MPJD thyen heshtjen

Politikë
Zbardhet fjalimi i Pjetër Shalës në Hagë: Unë nuk e di për çka duhet të paguaj, m’u shkatërrua jeta!

Zbardhet fjalimi i Pjetër Shalës në Hagë: Unë nuk e di për çka duhet të paguaj, m’u shkatërrua jeta!

Drejtësi
Rrëfimi i nënës së 7-vjeçares së rrëmbyer para 32 vitesh: Shpresoj ta kenë birësuar, jo t’i kenë shitur organet

Rrëfimi i nënës së 7-vjeçares së rrëmbyer para 32 vitesh: Shpresoj ta kenë birësuar, jo t’i kenë shitur organet

Lajme
“I kemi hyrë në borxh”, ish-kryeministri britanik Tony Blair me statujë në Ferizaj

“I kemi hyrë në borxh”, ish-kryeministri britanik Tony Blair me statujë në Ferizaj

Komunat
Kalo në kategori