LAJMI I FUNDIT:

Takimi Kurti – Vuçiq pritet të ndodhë më 2 maj, BE ende pa njoftim zyrtar

Takimi Kurti – Vuçiq pritet të ndodhë më 2 maj, BE ende pa njoftim zyrtar

Kanë kaluar një muaj nga takimi i fundit i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Dyshja zhvilluan takime se bashku me përfaqësuesit e BE-së në qytetin e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, ku edhe si rezultat i bisedimeve u arrit erdhe një aneks marrëveshje mes dy vendeve.

Zyrtarë e Bashkimit Evropian, kanë thënë se Kosova dhe Serbia janë të obliguar kontraktualisht të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe Aneksin, duke bërë të qartë se nëse nuk e bëjnë këtë, atëherë do të braktisin rrugën drejt Bashkimit Evropian.


Megjithëse u bë thirrje e shumtë për respektimin e ankes marrëveshjes, BE deri tani ende nuk ka konfirmuar se kur do të ndodhë takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi.

Zoi Muletier nga zyra për media e BE-së, në një deklaratë për Telegrafin, ka thënë se deri tani nuk kanë caktuar takim dhe se kur të ndodhë kjo do të bëjnë njoftimin me kohë.

“Si gjithmonë, ne do të njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të dialogut të nivelit të lartë në kohën e përshtatshme”, u shpreh ajo.

Telegrafi para disa ditëve ka raportuar se takimi i radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit pritet të mbahet më 2 maj.

Takimi i radhës Kurti – Vuçiq pritet të ndodhë më 2 maj
Lexo po ashtu Takimi i radhës Kurti – Vuçiq pritet të ndodhë më 2 maj

Ndryshe, ditë më parë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se marrëveshja e arritur në Ohër duhet të zbatohet plotësisht.

Kurti më tej ka shtuar se nuk duhet të ketë zbatim të pjesshëm dhe as vonesa në zbatimin e saj.

“Ne kemi kaluar 2 vitet e fundit në Bruksel duke diskutuar një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme mes Kosovës dhe Serbisë. Më 18 mars në Ohër, HR/VP Josep Borrell shpalli zyrtarisht marrëveshjen. Ajo që është rënë dakord tani duhet të zbatohet plotësisht dhe menjëherë. Asnjë zbatim i pjesshëm dhe pa vonesa”, kishte shkruar Kurti në Twitter.

Këtë reagim Kurti e bëri pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili kishte pohuar se do të zbatojnë disa pjesë të marrëveshjes.

Kosova dhe Serbia më 27 shkurt u pajtuan për Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, apo siç njihet edhe si propozimi evropian për normalizim. Më 18 mars, palët, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, arritën pajtim për aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit. /Telegrafi/