LAJMI I FUNDIT:

Takimi i shpresës

Takimi i shpresës

Hekuran Nikçi

Presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri koreano-verior Kim Jong-un, do të takohen së shpejti. Por, pyetja shtrohet: ku do të mbahet ky takim.


Disa analistë të Azisë veriperëndimore kanë propozuar që takimi të mbahet në vendet, si: Pheniani, Panmunjomi, Ulan Batori (kjo propozuar nga presidenti mongoli, Khaltmaagiin Battulga)… apo në luftanijen amerikane afër brigjeve të Koresë Veriore… pastaj në Pekin, në Gjenevë, në Stokholm…

Në Phenian, në Panmunjom, në luftanijen amerikane afër brigjeve te Koresë së Veriut dhe në Pekin, ky takimi nuk do të mbahet për këto arsye:

“Rasti” i parë, Pheniani: edhe pse koreano-veriorët kanë propozuar që takimi të mbahet në kryeqytetin e tyre, amerikanët këtë propozim nuk do ta pranojnë për një arsye të vetme dhe të thjesht: kundërshtimi i përdorimi të takimit për propagandë kombëtare dhe ndërkombëtare të “kultit” të Kim Jong-unit.

“Rasti” i dytë, Panmunjomi: Ky vend ndodhet në zonën e demilitarizuar në Korenë e Jugut. Ndaj, takimi nuk ka shumë gjasa të mbahet aty.

“Rasti” i tretë, në luftanijen amerikane: Amerikanët do ta preferonin që takimi të mbahet në “tokën” e tyre lundruese, por ky vend do të ngjallte dyshime dhe pasiguri te koreano-verioret. Për më tepër, ky lokacion do të dëshmonte forcën dhe aftësitë ushtarake amerikane, gjë që koreano-veriorët nuk i duan.

“Rasti” i katërt, në Pekin: Pekini është tërheqës për Korenë e Veriut, për shkak të raporteve të mira që ka me Kinën. Por, një takim mes presidentit amerikan dhe liderit koreano-verior aty do të jetë i paarritshëm, sepse kinezët do të shfaqeshin si “Vëllai i Madh” e koreano-veriorët si i “Vogli” që pret të këshilla.

Pra, takimi mund të mbahet në Mongoli, meqë ky vend ka asistuar dhe promovuar takimin mes Japonisë dhe Koresë së Veriut; në Gjenevë, pasi Zvicra konsiderohet si territor “neutral” ku Kim Jong-uni do të ndihej rehat për faktin se ka “studiuar” aty; dhe në Stokholm meqë Suedia ende e ka Ambasadën e saj në Phenian dhe meqë suedezet shërbejnë si “forcë mbrojtëse” e amerikanëve në Korenë e Veriut.

Sidoqoftë, kudo e kurdo që të mbahet ky takim, ai takim do të jetë historik dhe do të kontribuojë në normalizimin e marrëdhënieve Amerikë-Kore e Veriut, si dhe në lehtësimin e sanksioneve amerikane për të mirën e gjithë gadishullit korean.