LAJMI I FUNDIT:

Tahiri për Ligjin e Pagave: Sa ta marrim aktgjykimin, menjëherë do ta bëjmë publik grupin punues

Tahiri për Ligjin e Pagave: Sa ta marrim aktgjykimin, menjëherë do ta bëjmë publik grupin punues

Javën e kaluar Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat në Sektorin Publik, duke e pranuar kërkesën e Avokatit të Popullit pas ankesave të disa sindikatave.

Pas pezullimeve, Gjykata ka vendosur që ky Ligj në tërësi nuk është në përputhshmëri me disa nene të Kushtetutës së Kosovës.


Zëvendëskryeministri Besnik Tahiri, në konferencë për medie ka thënë se, pret ta marr aktgjykimin e plotë të Kushtetueses që të krijohet grupi punues për këtë Ligj.

“Ende nuk kemi një vendim apo aktgjykim të prerë nga Gjykata Kushtetuese, por kemi një njoftim dhe kemi bërë analizën, ku njëkohësisht ashtu siç kemi njoftuar do të nisim takimet për këtë. Sa ta marrim aktgjykimin, menjëherë do ta bëjmë publik grupin punues tek ministria që do ta trajtoj këtë temë. Ajo se çfarë kemi parë nga ky njoftim, çfarëdo që nuk kontestohet si çështje nga vendimi i Kushtetueses do të trajtohet si e tillë dhe do të mbetet. E dyta, aty ku ka hapësirë për sugjerime eksplicite për korrigjim, menjëherë do ta bëjmë. Dhe e treta, në qoftë se ka ndonjë rekomandim, apo sugjerim të prerë që diçka të largohet, ne duhet ta largojmë pasi që nuk ka instancë më të lartë se Gjykata Kushtetuese për ta trajtuar këtë temë”, tha Tahiri, përcjell Telegrafi.

Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?
Lexo po ashtu Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?

Deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Ligji pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese. /Telegrafi/