LAJMI I FUNDIT:

Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?

Çfarë kishte paraparë Ligji për Paga në Sektorin Publik që u shpall i pavlefshëm nga Gjykata Kushtetuese?

Deputetët e legjislaturës së kaluar të Kuvendit të Kosovës me 62 vota për, asnjë kundër dhe 1 abstenim, në muajin shkurt të vitit 2019, kishin miratuar Ligjin për Pagat në Sektorin Publik.

Ligji pritej të rregullonte pagesën e të punësuarve që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Vlera e pagës bazë llogaritet duke shumëzuar koeficientin e klasës së pagës me vlerën monetare të koeficientit prej 239 euro për vitin e parë. Raporti i koeficienteve është një me dhjetë të shpërndarë në 69 nivele të koeficienteve. Koeficienti më i lartë është 10, pozitë kjo që e mban vetëm Presidenti i Kosovës, më pas është niveli i 9, ku bëjnë pjesë kryetari i Kuvendit, Kryeministri dhe Kryetari i Gjykatës Kushtetuese.


Pra, Ligji rregullonte rritjen e pagave për 70 për qind të punëtorëve në sektorin publik, kurse 30 për qind e tyre mbetën jashtë. Por, punëtorë në sektorë të ndryshëm publikë, kishin shprehur pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligj.

Lidhur më këtë, më 6 dhjetor të vitit të kaluar institucioni i Avokatit të Popullit e kishte dërguar Ligjin në Gjykatë Kushtetuese, për “vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën”.

Avokati i Popullit, Hilmi Jashari pati thënë se, “ankesat e paraqitura tek Avokati i Popullit janë të ndryshme, varësisht nga pozita dhe institucionet që kanë paraqitur ankesë, përmes së cilave shfaqen pakënaqësitë lidhur me përcaktimet dhe përfshirjen e tyre në Ligjin për Pagat në Sektorin Publik”.

Pas kësaj, Kushtetuesja kishte vendosur që të pezullohej deri më 30 mars zbatimi i këtij Ligji, më pastaj, ishte vendosur që pezullimi të vazhdohej deri më 30 qershor, ku dhe përfundimisht kjo Gjykatë e shpalli të pavlefshëm këtë Ligj.

Pezullimi i Ligjit për Paga ngjall reagime politike dhe veprime sindikale
Lexo po ashtu Pezullimi i Ligjit për Paga ngjall reagime politike dhe veprime sindikale

Drejtuesit sindikalistë patën bërë thirrje që Gjykata Kushtetuese që të marrë vendim të drejtë dhe mos të pezullojë apo anuloj Ligjin për Paga, por vetën të bëhen ndryshime në ata sektor ku ka pakënaqësi.

Gjykata Kushtetuese në njoftimin e bërë për media ka thënë se ka ardhur në përfundim se Ligji i kontestuar nuk kishte harmonizuar pagat në nivel të të gjithë sektorëve. Aty ka theksuar se ka pasur përjashtime arbitrare dhe të paarsyetuara për disa institucione, përfshirë: Forcën e Sigurisë së Kosovës, Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, Agjencinë Kosovare të Privatizimit, Bankën Qendrore të Kosovës dhe vet Kuvendin.

“Gjykata arriti në përfundimin se, përjashtimet e akorduara me Ligjin e kontestuar kundërshtojnë haptazi vet qëllimin e ‘harmonizimit’ gjithëpërfshirës për të cilin thuhet të jetë nxjerrë. Rrjedhimisht, përjashtimet e bëra u konsideruan se shkojnë kundër vet qëllimit të Ligjit dhe krijojnë diferencime të paarsyetuara, të padëshmuara dhe arbitrare”, thuhet në arsyetim të Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese shpall të pavlefshëm Ligjin për Pagat
Lexo po ashtu Gjykata Kushtetuese shpall të pavlefshëm Ligjin për Pagat

Më tej, në vendimin e Kushtetueses thuhet se gjatë analizës së Ligjit, Gjykata është fokusuar qëllimisht tek “uljet” arbitrare të pagës dhe jo te “rritja” e pagave për faktin se, Kuvendi gjatë ligjbërjes është dashur të përkujdeset për të drejtat e personave të cilëve iu shkurtohet paga.

“Arsyet për ulje pagash duhet të jenë shumëfish më të qëndrueshme se sa arsyet për rritje pagash, ngase të parat pakësojnë një të drejtë ekzistuese ndërkaq të dytat shtojnë mbi një të drejtë ekzistuese. Thënë këtë, Gjykata potencon që Ligjvënësi është në të drejtën e tij që pas këtij Aktgjykimi të ndërmerr çfarëdo lloj hapi për të rritur pagat në sektorin publik ashtu që të përmbush çdo synim të politikës publike për rritje pagash në sektorë të caktuar. Nuk është detyrë e Gjykatës që të shprehet se ku dhe si duhet të bëhen rritjet e pagave. Modalitetet e mundshme për këtë çështje ngelen plotësisht në diskrecion të Kuvendit dhe të Qeverisë”, thuhet ndër të tjera në vendim.

Zëvendëskryeministri Tahiri: Shokues vendimi për anulimin e Ligjit të Pagave
Lexo po ashtu Zëvendëskryeministri Tahiri: Shokues vendimi për anulimin e Ligjit të Pagave

Zëvendëskryeministri, Besnik Tahiri, e ka quajtur shokues vendimin e Gjykatës Kushtetuese për anulimin e Ligjit për Paga.

Tahiri, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ky është mohim i të drejtës në përfitim nga puna për mbi 62 mijë shërbyes civilë.

Edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë, Rrahman Jasharaj, shpalljen të pavlefshëm të Ligjit, e ka quajtur lajm të keq dhe se fillimi i vitit shkollor do të ketë probleme.

Po ashtu, kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla, ka reaguar ashpër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Pagat, duke paralajmëruar bojkotim të punës nga mantelbardhët. /Telegrafi/