LAJMI I FUNDIT:

Tahiri për Ligjin e Pagave: Me këtë dinamikë të qeverisë as në vitin 2024 nuk do të hyjë në zbatim

Tahiri për Ligjin e Pagave: Me këtë dinamikë të qeverisë as në vitin 2024 nuk do të hyjë në zbatim
Foto: Arkiv

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se me dinamikën me të cilën është duke shkuar Qeveria e Kosovës nuk do të ketë Ligj të Pagave edhe për dy vitet e ardhshme.

Tahiri në një prononcim për media pas mbledhjes së Kryesisë në Kuvendin e Kosovës ka thënë se është hera e gjashtë që janë duke mbajtur mbledhje dhe nuk ka proces të vendimmarrjes.

Sipas tij kjo është e papranueshme dhe siç tha ai kjo bie në linjë edhe me vlerësimin që ka dhënë Bashkimi Evropian (BE).

“Është hera e gjashtë që ne dalim në konferencë për shtyp pas mbledhjes së Kryesisë dhe s’kemi çka me thënë sepse s’ka kuorum dhe s’ka proces të vendimmarrjes. Është proces i papranueshëm dhe fatkeqësisht po bie në linjë edhe me vlerësimin që na ka dhënë BE-ja”, ka thënë Tahiri.

Gjatë prononcimit, Tahiri theksoi se Ligji i Pagave po shtyhet me qëllim që mos të hyj në zbatim në janar të vitit të ardhshëm.

Ai gjithashtu shtoi se siç po shihet me këtë dinamikë që është duke vazhduar qeveria as në janar të vitit 2024 nuk do të hyjë në zbatim ky ligj.

“Ligji i Pagave po shtyhet me të vetmin qëllim që mos të hyj në zbatim në janar të vitit të ardhshëm. Shihet qartë që qeveria ka dështuar dhe jo në janar të vitit 2023, por siç shihet me këtë dinamikë nuk do të hyjë në zbatim asnë janar të vitit 2024”, ka thënë ndër të tjera, Tahiri.

Ndryshe, Projektligji për Paga të Sektorit Publik më 15 shtator kishte dalë në konsultim publik, ku të gjitha palët kanë pasur mundësinë që të japin mendimet e tyre për 15 ditë pune. /Telegrafi/