LAJMI I FUNDIT:

Tahiri: 50 ditë qeverisje treguan se sa afër është Kurti me Serbinë e sa larg me Shqipërinë

Tahiri: 50 ditë qeverisje treguan se sa afër është Kurti me Serbinë e sa larg me Shqipërinë

Ish ministri i Drejtësisë nga radhët e Partisë Demokratike, Abelard Tahiri ka thënë sot se 50 ditë qeverisje treguan se sa afër është Albin Kurti me Serbinë dhe sa larg me Shqipërinë.

Tahiri në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Kurti në këto ditë të qeverisjes, u përpoq ta përulte Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj karshi Serbisë, në mënyrë të turpshme, antikombëtare e antishtetërore.


Lexoni të plotë postimin e Tahirit:

Për 50 ditë në qeverisje, Albin Kurti u përpoq ta përulte Republikën e Kosovës dhe qytetarët e saj karshi Serbisë, në mënyrë të turpshme, antikombëtare e antishtetërore.

E nisi me shkëmbimet gazmore me Bërnabiqin, duke harruar kauzën e tij. U hamend ta shndërrojë në vepër daljen në det të Serbisë përmes Kosovës, duke ia plotësuar kërkesën historike të saj.

Në kohë pandemie vazhdoi me dorëzimin e komunave veriore në duart e juridiksionit dhe pushtetit serb, duke i harruar zotimet për sovranitet në atë pjesë.

Përmes pranimit të 1000 testeve nga Serbia, rehabilitoi Vuçiqin si njeri human, personin që ishte pjesë e makinerisë së Millosheviqit, përgjegjësit për 13 mijë viktima civile në Kosovë.

U kujdes t’ia bëjë argatin Serbisë përmes këshilltarit të tij, që njeriun e përgatitur në Moskë e furnizuar në Beograd, Dik Martin, e quante si mik të Kosovës, e pjesëtarët e UÇK-së si kriminelë lufte.

Dhe kur nuk mund të pritej më shumë përulje nga një shqipfolës, ai e referoi për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, kushtetutën e Serbisë. Pra, kushtetutën në të cilën Kosova është pjesë e Serbisë, si territor, si shoqëri, si identitet e si histori.

50 dite qeverisje treguan se sa afër është Albin Kurti me Serbinë dhe sa larg me Shqipërinë. /Telegrafi/