Vendimi për rastin “Drenica 1”, Sami Lushtaku dhe shtatë të tjerë shpallen të pafajshëm

Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar nga të gjitha akuzat ish-komandantin e UÇK-së, Sami Lushtakun, dhe shtatë persona të tjerë të përfshirë në rastin e njohur si “Drenica 1”.
Trupi gjykues ka vendosur që të gjithë të akuzuarit të shpallen të pafajshëm, pasi sipas gjykatës nuk është gjetur asnjë provë që do të dëshmonte fajësinë e tyre.
“Nuk është gjetur asnjë provë që do të vërtetonte fajësinë e të pandehurve”, është thënë gjatë shpalljes së vendimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Shpenzimet e procedurës penale bien në barrën e mjeteve buxhetore të Gjykatës.
Ndryshe, në këtë rast gjykimi ka vazhduar për pikën 16, 17 dhe 18 të aktakuzës ndaj Sami Lushtakut, Ismet Haxhës, Rrustem Rrukolli, Fatmir Mjaku, Rexhep Xhota, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani, për të cilët ishte veçuar procedura.
Në këtë rast, në pikat tjera të aktakuzës ngarkoheshin: Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Lushtaku, Sahit Jashari, Ismet Haxha, Mergim Lushtaku, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Yll Blakaj, Gzim Ahmeti, Xhevdet Zena, Mervete Hasani-Lushtaku, Agim Ukaj, Ismail Dibrani, Sami Gjoka dhe Nexhib Shatri.
Prokuroria pretendonte se ky grup ka kryer veprat penale të “pengimit të dëshmisë apo procedurës zyrtare” dhe “frikësim gjatë procedurës zyrtare”.
Sipas aktakuzës, ata nga qershori 2013 deri në shtator 2015, i kanë detyruar dy dëshmitarë t’i ndryshojnë dëshmitë e tyre në rastin “Drenica”.
Akuzat në rastin “Drenica” lidhen me keqtrajtim të civilëve në Likoc gjatë luftës. Për këtë rast janë dënuar disa persona. /Telegrafi/






































