Sveçla akuzon PDK-në se po e “amniston” Përparim Ramën: Rrethi po ngushtohet

Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka kritikuar Partinë Demokratike të Kosovës për qëndrimin ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, duke pretenduar se kjo parti nuk ka shprehur vërejtje apo mospajtime ndaj qeverisjes së tij.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, Sveçla ka përmendur kritikat e kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, ish-kryetarit të kësaj partie, Isa Mustafa, si dhe shqetësimet e KfW-së për ndërmarrjen “Termokos”.
Ai ka kritikuar gjithashtu gjendjen e qytetit, duke përmendur mbeturinat gjatë festivalit “Sunny Hill”, ndërsa ka rikthyer edhe pretendimet e bëra në bisedat e publikuara lidhur me legalizimet e objekteve në Prishtinë.
“Veç PDK-ja çele guri gojën”, ka shkruar Sveçla, duke pretenduar se pozitat në drejtoritë dhe ndërmarrjet publike të kryeqytetit janë arsyeja që PDK-ja nuk e kritikon Ramën.
Në fund, Sveçla ka kërkuar që drejtësia të trajtojë çështjet e ngritura dhe përgjegjësit të japin llogari.
“Rrethi po ngushtohet dhe gjërat po dalin në sipërfaqe. Drejtësia duhet ta bëjë punën e vet, përgjegjësit të japin llogari, ndërsa Prishtinës t’i kthehet shpresa që i është marrë”, ka shkruar ai. /Telegrafi/








































