Sveçla reagon pas deklaratës së Komunës së Prishtinës: Kryetari nuk mund të fshihet prapa të emëruarve të tij

Shefi i Grupit të Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla ka reaguar pas zhvillimeve lidhur me pretendimet për parregullsi në Komunën e Prishtinës, duke drejtuar kritika ndaj kryetarit të kryeqytetit, Përparim Rama.
Sveçla ka deklaruar se kryetari i Komunës nuk mund të shmangë përgjegjësinë duke u distancuar nga personat e emëruar prej tij.
“Kryetari nuk mund të fshihet prapa të emëruarve të tij. Ata janë vartës që punojnë për të. Përparim Rama është përgjegjësi kryesor”, ka shkruar Sveçla.
Ai ka kërkuar që Prokuroria të veprojë sa më shpejt lidhur me rastin.
“Kërkojmë e urojmë veprim sa më të shpejt të Prokurorisë”, ka shkruar Sveçla.
Reagimi i tij vjen pas kallëzimit penal të paralajmëruar nga këshilltarët komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj kryetarit të Prishtinës dhe zyrtarëve të kabinetit të tij, lidhur me pretendime për parregullsi të mundshme në proceset e legalizimit të objekteve në kryeqytet. /Telegrafi/









































