Albi Mall Superliga e Kosovës rikthehet sot (e shtunë) me xhiron e 32-të, ku sipas planprogramit do të luhen dy ndeshje.

Kampioni aktual Drita do të luajë në udhëtim ndaj Prishtinës së Re, ku do të synojë të mbajë edhe këtë xhiro distancën me Ballkanin.


Prishtina e Re në anën tjetër ka tri ndeshje radhazi pa fitore dhe do të tentojë të marrë një rezultat pozitiv për të shpresuar se mund ta sigurojnë mbijetesën në elitë.

Në takimin e fundit mes këtyre dy skuadrave të zhvilluar në Gjilan, Drita kishte arritur të triumfojë me rezultat të pastër 3-0.

E në anën tjetër do të luhet ndeshja tejet interesante mes Prishtinës dhe Malishevës.

Të dy ekipet kanë për objektiv kualifikimin në garat evropiane sezonin e ardhshëm andaj ky duel pritet të jetë me intensitet mjaft të fortë, marrë parasysh gjendjen në tabelë.

Malisheva aktualisht mban pozitën e tretë me 49 pikë, katër më shumë se Prishtina që renditet e katërta.

Një fitore eventuale e Prishtinës do t’i mbante ata fuqishëm në garë, ndërsa një rezultat pozitiv për Malishevën do ta konfirmonte formën fantastike që po kalojnë nën udhëheqjen e Bylbyl Sokolit.

Në takimin e fundit mes këtyre dy skuadrave, Malisheva kishte triumfuar me rezultat 3-0.

Kujtojmë se ndeshja e parë mes Prishtinës së Re dhe Dritës do të luhet në ora 14:00, ndërsa Prishtina-Malisheva në ora 16:00./Telegrafi/

telegrafi sport app