Sulmuesi i Interit, Mehdi Taremi, i cili ishte në Iran, vendin e tij të lindjes, kur shpërtheu lufta me Izraelin, arriti të arratiset nga Teherani, raporton La Gazzetta dello Sport.

Konkretisht, Taremi mbërriti në qytetin e tij të lindjes pas një udhëtimi të gjatë me makinë dhe e informoi trajnerin Cristian Chivu se ishte shëndoshë e mirë.


Reprezentuesi iranian nuk mundi t’i bashkohej Interit javën e kaluar për të udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara me nënkampionët e Evropës, por ai ishte vazhdimisht në kontakt me drejtuesit e klubit.

Interi tani ka marrë lajmin se Taremi ka arritur të arrijë në qytetin e tij të lindjes, Bushehr, pas një aventure prej më shumë se 1,000 kilometrash me makinë.

"Familja po e priste që ai të kthehej shëndoshë e mirë pas udhëtimit të rrezikshëm në jug, në bregdetin jugperëndimor të Gjirit Persik. Taremi mbajti kontakt me menaxherin e ekipit, madje foli me trajnerin Chivu dhe dërgoi mesazhe në grupin e ekipit në WhatsApp për të siguruar shokët e tij të ekipit", raporton Gazzetta dello Sport.

Taremi po stërvitet vetë për të qëndruar në formë në rast se është e mundur që të largohet nga vendi dhe të mbërrijë në Shtetet e Bashkuara për fazën eliminatore të Kupës së Botës për Klube. /Telegrafi/ 

telegrafi sport app