Reperi i njohur me origjinë nga Kosova, Azet, ka reaguar publikisht pas raportimeve të mediave gjermane, të cilat shkruanin se një pajisje shpërthyese kishte shpërthyer mbrëmjen e së mërkurës në hyrje të një pallati apartamentesh në Düsseldorf, objekt që figuron në pronësi të artistit.

Lajmi ngriti shqetësime të menjëhershme tek fansat dhe publikun, pasi shpërthimi u raportua si i dyshimtë. Mirëpo, Azet vendosi t’i japë fund spekulimeve me një deklaratë të qartë në llogarinë e tij në Instagram.


Në reagimin e tij, reperi sqaroi se nuk ka qenë objektiv i ndonjë atentati, duke theksuar se ngjarja nuk lidhet aspak me të personalisht: “Nuk ka pasur asnjë atentat ndaj meje. Unë kam disa prona, përkatësisht banesa kolektive. I prekur ka qenë një nga këto objekte – unë vetë nuk banoj aty. Ngjarja nuk ka lidhje me mua”.

Foto: Azet/InstaStory

Azet gjithashtu bëri të ditur se ai zotëron disa pasuri të paluajtshme dhe se apartamenti ku ndodhi shpërthimi është vetëm një nga objektet e tij, pa qenë vendi i tij i banimit.

Aktualisht autoritetet gjermane po hetojnë rrethanat e incidentit, ndërsa nuk ka raportime për të lënduar.

Reagimi i shpejtë i reperit ka qetësuar fansat, të cilët menjëherë pas lajmit kishin shprehur shqetësim në rrjete sociale. /Telegrafi/