Sulm me bombë në një qytet sirian, të paktën 23 të vdekur dhe 80 të lënduar


Siria sërish është tronditur pas një lajmi të një sulmi, i cili po hetohet si terrorist.
Të paktën 23 civilë janë vrarë pas një sulmi me bombë-veturë në një qytet verior sirian të kontrolluar nga rebelët e mbështetur nga Turqia.
Të paktën 80 persona janë plagosur kur automjeti shpërtheu pranë një stacioni autobusi në al-Bab, rreth 40 km në veri-lindje të qytetit Alepo, raporton BBC.
Ekipet e shpëtimit ende po kërkojnë të mbijetuar mes rrënojave të ndërtesave të dëmtuara. Nuk dihet ende kush ishte pas shpërthimit, transmeton Telegrafi.
Sidoqoftë, ka pasur një numër sulmesh në al-Bab që kur e kontrollojnë rebelët dhe trupat turke, të cilët larguan ISIS-in në vitin 2017.
Kujtojmë se një rast i tillë kishte ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, i cili kishte lënë të vdekur 18 persona gjersa autoritetet turke fajësuan milicinë e Njësive të Mbrojtjes së Popullit Kurd Sirian (YPG), të cilën Ankaraja e konsideron organizatë terroriste. /Telegrafi/





































