LAJMI I FUNDIT:

Subvencionet, Peci paralajmëron fermerët: Çdo deklarim i rrejshëm do të ketë pasoja ligjore

Subvencionet, Peci paralajmëron fermerët: Çdo deklarim i rrejshëm do të ketë pasoja ligjore

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci ka paralajmëruar fermerët që do të kenë pasoja ligjore për deklarimet e rrejshme për subvencione.

Peci në një postim në Facebook ka bërë të ditur se nga kontrollet e ushtruara vitin e kaluar në masën 100% në 7 Komuna të Kosovës, kanë arritur të parandalojmë mashtrime me deklarime që kapin shumën afro 2 milionë euro.


“Më shumë se paralajmërim është lutja ime për ju që të jeni korrekt në procesin e aplikimit pasi edhe këtë vit Ministria do të ushtrojë kontrolle strikte dhe nuk do të tolerojmë mashtrime me deklarime të rrejshme. Çdo deklarim i rrejshëm që haset, ka pasoja ligjore për ata që zihen duke bërë një gjë të tillë”, ka deklaruar Peci.

Ministri ka shtuar se duhet të tregojmë përkushtimin tonë me ndershmëri dhe integritetit në këtë proces.

“Së bashku, le të mbjellim farën e besimit dhe transparencës ndërsa kultivojmë një të ardhme të begatë për bujqësinë e Kosovës”, tha Peci. /Telegrafi/