Studentët për Kosovën

Skandalet e fundit, më kujtuan ndikimin e studentëve, në historinë bashkëkohore të Kosovës. Gjatë viteve 1968, 1981 e 1997, studentët kosovarë, përmes organizimit të demonstratave, luajtën rol kyç në zhvillimet dhe orientimet politike të Kosovës.
Atëbotë, demonstratat që organizoheshin nga studentët mobilizonin edhe shoqërinë kosovare, thuaja se në të gjitha qytetet e Kosovës. Ndoshta, kjo për shkak se studentët përfaqësonin interesat e qytetarëve kosovar - më shumë se ç’e bënin politikanët e kohës!
Lëvizjet kyçe që ndërruan rrjedhën historike e politike të Kosovës erdhën pikërisht nga studentët.
Më 27 nëntor 1968, një grup i vogël studentësh kosovarë iniciuan demonstratën si rrjedhojë e së cilës veç tjerash u themelua Universiteti i Prishtinës, e u bënë avancime tjera politike për Kosovën brenda Jugosllavisë. Gjatë këtyre demonstratave, disa protestues u vranë, ndërsa 44 prej tyre u dënuan me gjyqe të inskenuara.
Pas më shumë se një dekade, ishin prapë studentët ata që filluan të kërkonin ndryshime. Më 11 mars 1981, filluan demonstratat në mense studentore, por gatishmëria e popullsisë kosovare për të mbështetur studentët, bëri që këto demonstrata të zgjerohen në qytete tjera të Kosovës.
Në historinë bashkëkohore të Ballkanit Perëndimor, kjo ngjarje njihet si pikënisje për shkatërrimin e Jugosllavisë dhe fillim i inicimit të ideve shtet-krijuese në Kosovë. Pas demonstratave të ’81-shit, shtypi Jugosllav njoftoi që 11 persona kanë vdekur; Amnesty International raportoi që numri i viktimave ka qenë rreth 300; ndërsa disa kosovarë thonë që rreth 1000 persona janë vrarë gjatë këtij organizimi.
Njëjtë, më 1997, ishin demonstratat e organizuara nga studentët ato që informuan botën, se Kosova po ndryshon metodën e rezistencës karshi regjimit të Beogradit. Studentët thyen tabutë dhe iluzionet e disave se vendi mund të çlirohej me koncepte politike paqësore! Edhe kjo demonstratë u përcoll me mobilizim masiv të tërë shoqërisë kosovare që njëzëri me studentët pushtuan rrugët në shumicën e qyteteve të Kosovës, duke kërkuar çlirimin e Kosovës dhe fillimin e implementimit të ideve, tanimë të kamotshme shtetkrijese.
Studentët për Kosovën përballuan dhe kaluan sfida të ndryshme! Ata madje ishin në hall edhe me disa politikanë të atëhershëm shqiptarë, përfshirë profesorë të UP-së, të cilët derisa shijonin benefitet e sistemit, kërkonin dënimin e organizatorëve të demonstratave! Por, pavarësisht këtyre sfidave, dhe faktit që maltretoheshin, helmoheshin masovikisht, përvëloheshin me ujë të nxehtë, hidheshin nga kate të larta të ndërtesave të regjimit, e vriteshin në mënyra më makabre të mundshme, studentët nuk tradhtonin idealet e tyre!
Këto ishin disa rreshta për studentët e mëhershëm, ndërsa, për këta të t’sotit, hiç s’di çka t’them!




















































