LAJMI I FUNDIT:

Studentët kërkojnë që MKRS-ja të bëjë një muze brenda Kampusit të UP-së

Studentët kërkojnë që MKRS-ja të bëjë një muze brenda Kampusit të UP-së

Nën organizimin e Organizatës Studentore “Reforma” dhe Këshillit të Studentëve të Fakultetit Filozofik, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mbajti një ligjëratë të hapur me studentët e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Tema të cilën Gashi e ka trajtuar para studentëve, ishte: “Trashëgimia Kulturore e Kosovës dhe UNESCO”.


Gashi fillimisht shpalosi aktivitetet që Ministria të cilën ai e drejton është duke bërë në aspektin e ruajtjes dhe promovimit të monumenteve të cilat pasqyrojnë vlerat e mirëfillta të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës. Si hap të rëndësishëm drejt realizimit të këtij qëllimi, e cilësoi përgatitjen e draft-ligjit të ri për Trashëgiminë Kulturore në Republikën e Kosovës, i cili pritet që në një të ardhme sa më të afërt të merr edhe miratimin e Kuvendit. Ndërsa, gjatë diskutimit të çështjes së aplikimit të Kosovës për anëtarësim në UNESCO, ai tha se “është duke u bërë një punë e madhe në përmbushjen e detyrave dhe përgjegjësive tona në mënyrë që në vitin 2019, Kosova të mund të bëhet anëtare me të drejta të plota në UNESCO”.

Gjatë kësaj ligjërate, nga studentët ministrit iu kërkua që të përkrahet ideja që brenda hapësirave të kampusit universitar të bëhet një muze në të cilin do të vendoseshin artefakte dhe monumente të ndryshme që pasqyrojnë Trashëgiminë Kulturore të Kosovës, gjë të cilën Gashi e mirëpriti dhe u zotua se në kuadër të kompetencave dhe përgjegjësive të tij të jap maksimumin në mbështetje të realizimit të kësaj ideje shumë të qëlluar.