LAJMI I FUNDIT:

Studentët e shqipes në Pekin marrin emra shqip, filmat e Shqipërisë dikur ishin hit në Kinë

Studentët e shqipes në Pekin marrin emra shqip, filmat e Shqipërisë dikur ishin hit në Kinë

Prej ditës që u quajt Mimoza, kinezja Fenghua Chen ndjeu një dashuri të re që pushtoi jetën e saj. Ishte 18 vjeçe. Një gjuhë e një vendi të vogël në anën tjetër të botës, tingëlloi bukur në artikulimin e saj. Dhe, krejt befas u vendos që ajo do të studionte gjuhën shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit.

Ajo sot është pedagoge e gjuhës shqipe në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Pekin, ndërsa në Tiranë ka shkuar të hulumtojë kinemanë shqiptare të viteve ‘60-’70 të shekullit të kaluar, për të përgatitur një disertacion.

Ajo ka lindur në qytetin kinez Fuzhou, kryeqendra e provincës Fujian, në juglindje të Kinës. Nga fëmijëria kujton lidhjen e veçantë të prindërve të saj dhe gjithë brezit të tyre me kinemanë shqiptare të viteve ’60-‘70 dhe nga ky përjetim i hershëm duket se vjen edhe ngasja drejt kësaj teme të veçantë.


Në Shqipëri të gjithë ju njohin me emrin Mimoza. Si ndodhi që ju, një vajzë kineze e dashuruar me gjuhën shqipe morët emrin Mimoza?
Faktikisht, në Shqipëri disa njerëz më quajnë Fenghua, të tjerëve u pëlqen më shumë të më quajnë Mimoza. Mimoza, më tingëllon bukur, jo vetëm në shqiptim, por edhe në kuptim, edhe pse ndoshta pak tradicional, jo aq modern.

Të gjithë shqipfolësit kinezë që diplomohen nga Universiteti i Gjuhëve të Huaja i Pekinit (BFSU në shkurtim), i cili është i vetmi universitet ku jepet gjuha shqipe në Kinë, kanë emrat e vet shqip. Kjo është tradita jonë prej kohësh. Qëllimi ynë është që që nga dita e parë kur mësojmë gjuhën shqipe, të qëndrojmë në një ambient plot me kulturë shqiptare.

Cili ka qenë kontakti juaj i parë me gjuhën shqipe?
Unë e kontakova gjuhën shqipe në konkurrencën e organizuar nga BFSU-ja për t’u pranuar në universitet. Është një provim paraprak me gojë dhe me shkrim që u dha në shkollën time të mesme, para se të bëhen provimet e maturës shtetërore. Në provimin me gojë na kërkuan të imitonim ca tinguj, fjalë dhe shprehje në shqip. Megjithëse asnjë njohuri nuk kisha në atë kohë për gjuhën, kjo gjuhë më tingëllonte më e bukur se një gjuhë tjetër që na dhanë në provim.

Si ndodhi që ju e vendosët ta studioni gjuhën shqipe?
Gjuha shqipe është një gjuhë e veçantë me histori të gjatë. Tërë brezi i prindërve të mi ruan një përshtypje të thellë për Shqipërinë, sidomos për filmat shqiptarë të viteve ’60-’70. Kështu që dukej sikur shqipja nuk ishte një gjuhë e panjohur, kur unë e zgjodha.

Tashmë ju jepni mësim gjuhën shqipe në Pekin apo jo? Kush interesohet për këtë gjuhë të një vendi kaq të vogël në Kinën me mbi një miliard banorë?
Studentët tanë vijnë nga vende të ndryshme të Kinës. Shumica e tyre janë maturantë nga shkollat e mesme të mira. Disa pëlqejnë shumë gjuhë, disa admirojnë universitetin tonë, disa ndoshta kanë kuriozitet për një gjuhë që përdoret rrallë. Gjithsesi, për arsye të ndryshme ata interesohen për gjuhën shqipe.

Është një gjuhë sfiduese, e vështirë apo…?
Në radhë të parë, nga ana gjuhësore nuk më duket asnjëherë se gjuha shqipe nuk konkurrohet me gjuhët e tjera të botës. Gjuha shqipe përbën një sistem të arsyeshëm fonetik, gramatikor, leksikor dhe është ngulitur në historinë e gjatë të popullit shqiptar, me frazeologjizma të pasura dhe të mençura.

Respektoj faktin se keni krijuar një gjuhë tipike ndryshe nga popujt përreth me kaq pak popullsi. Duke u futur në thellësinë e gjuhës shqipe, me leximin e veprave letrare shqipe, në komunikim me shqiptarët në Kinë ose këtu, është e natyrshme që më ka lindur një dashuri për gjuhën shqipe dhe për popullin shqiptar. Nuk mund të themi se gjuha shqipe është e lehtë për t’u zotëruar, por nuk është një gjuhë që s’e kapim dot. Gjithçka varet se sa përpjekje kemi bërë për të.

A mund të na tregoni diçka nga jeta juaj atje para se të shkonit në Pekin?
Jam lindur në qytetin Fuzhou, kryeqendra e provincës Fujian, në juglindje të Kinës. Para se të shkoja në Pekin, isha njësoj me çdo vendas atje, duke shijuar jetën e përditshme më të qetë, kuzhinën jugore të shijshme, duke bërë shoqëri dhe duke u bashkuar me prindërit dhe të afërmit e mi. Kina është një vend shumë i madh, duket sikur një kontinent për shqiptarët, prandaj për mua më kanë munguar dhe vazhdon të më mungojnë shumë gjëra pasi u largova atje. Shpesh më merr malli për vendlindjen time dhe miqtë e mi nga fëmijëria.

Keni ardhur në Shqipëri prej disa muajsh dhe qëllimi juaj është të punoni për një temë mjaft interesante që lidhet me kinematografi në shqiptare të para viteve ’90…?
Më kanë nxitur shumë arsye që të bëj këtë temë interesante. Këtu doja t’ju shpjegoja tri më kryesoret. Së pari, megjithëse ka kohë që jehona e filmave shqiptarë të viteve ’60-’70 ka kaluar, ndikimi i tyre akoma përmendet nga artistët, kritikët dhe shikuesit kinezë të thjeshtë. Madje mishërohet ende aty-këtu në filmat e sotëm kinezë. Mjafton një rast që në filmin humoristik të regjisorit të njohur kinez, “Personal Tailor” të vitit 2013, ishin imituar dhe paraqitur elementet e “Ngadhënjimit mbi vdekje” në episodin e tij të parë.

Pra, si fenomen historik kulturor, vlen që të studiohet dhe analizohet me teoritë dhe metodat e sotme, për të nxjerrë më parë vlerat e tyre që janë harruar, për të zbuluar kontributin e dhënë që të na duken vetëm me kalimin e kohës.

Së dyti, përhapja dhe dublimi i filmave artistikë shqiptarë nuk ishte një punë e lehtë që në fillim të viteve ’50, meqë u kryen në atë kohë të izoluar, pa marrë parasysh – qoftë kostot, qoftë tregun. Natyrisht ka lindur një pikëpyetje e madhe se pse kinezëve u pëlqyen filmat shqiptarë, për të cilën jam shumë kurioze.

Së treti, mendoj se nëpërmjet studimit të këtyre filmave, nga ana kulturore dhe historike, ne do të njihemi më mirë me marrëdhëniet kinezo-shqiptare të kësaj periudhe. Sidomos, të rinjtë kinezë që nuk janë rritur me filmat shqiptarë, do të kuptojnë më mirë rolin e luajtur të këtyre filmave në jetën shoqërore kineze, për t’ju afruar realitetit historik të asaj periudhe. Duke shfrytëzuar kushtet e favorshme në zotërimin e gjuhës shqipe, do të jetë një studim shumë i vlefshëm që do t’i japë brezit të vjetër dhe atij të ri një pamje më të larmishme, më reale për filmat shqiptarë të vjetër.

Thonë se disa filma shqiptarë janë shumë të famshëm në Kinë. Është e vërtetë? Pse u bënë kaq të famshëm?
Filmat artistikë shqiptarë, sidomos ata të viteve ’60-’70 ishin si filmat e Hollivudit sot në Kinë, për shembull “Oshëtimë në bregdet” (1966), “Ngadhënjim mbi vdekjen” (1967), “Plagë të vjetra” (1969), “I teti në Bronx” (1970). Gjatë asaj periudhe, afro 40 për qind të këtyre filmave ishin dubluar dhe shfaqur në të njëjtin vit në Kinë. Siç e dimë, në tërë periudhën, qoftë xhirimi, qoftë dublimi i filmave ishin veprime shtetërore. Të dyja institucionet shtetërore kinomatografike monopolizuan prodhimet e filmave, ashtu edhe distribucionin dhe dublimin e tyre. Se cilët filma mund të prodhoheshin dhe dubloheshin, sa mund të shfaqeshin, kjo varej nga të dyja shtetet, jo nga tregu, as nga popujt.

Gjatë gjithë kohës, nëpërmjet bashkëpunimit të të dyja palëve, këta filma shqiptarë ishin njohur dhe ishin pëlqyer hap pas hapi nga kinezët deri në një shkallë të paimagjinueshme. Përveç elementeve politike dhe ideologjike, nuk mund të mos përfshihen cilësia artistike e këtyre filmave, përpjekjet që bënë krijuesit shqiptarë për t’iu shmangur skematizmit, politizimeve shprehëse dhe efekti i tyre ekzotik të cilët ishin edhe shkaqe të rëndësishme që filmat shqiptarë morën sukses në Kinën e atëkohshme.

Si është jeta juaj këtu në Shqipëri? Si u përshtatët? Cilët janë miqtë tuaj këtu?
Jeta ime në Shqipëri është e larmishme, me mësime, studime, takime të shumta. Kam ndier që koha më ka ikur shumë shpejt. Mëgjithëse orari është pak i ngjeshur, kam shumë mall për familjen, për Kinën. Po shijoj bukurinë e jetës sime në këtë qytet të vogël. Kam takuar pedagogë, regjisorë, aktorë të respektuar, studentë të dashur dhe jam njohur me qytetarë të thjeshtë këtu. Ata janë të shoqërueshëm, të hapur, të sinqertë dhe më kanë dhënë shumë ndihmë, jo vetëm në mësime e studime, por edhe në jetë. Mund të them se është e lehtë që të zësh miq me shqiptarët. Shkurt: një përshtypje të bukur kam për shqiptarët dhe jetën këtu.

A do të riktheheshit sërish, pasi të përfundoni temën tuaj? A keni të tjera interesa që ju lidhin me Shqipërinë?
Nuk di saktësisht kur të rikthehem në Shqipëri, por mendoj se përgjigja nuk është kurrë negative. Kam shumë interesa për kulturën dhe historinë shqiptare, sidomos gjuhën dhe letërsinë. Si një pedagoge e gjuhës shqipe, puna më e rëndësishme është mësimdhënia: si të tërheq studentët tanë të studiojnë gjuhën shqipe e ku qëndron bukuria e asaj gjuhe. Këto janë disa gjëra që më prekin pothuaj çdo ditë. /Shqiptarja/

Në trend Lajme

Më shumë
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Joseph: Supriza e KS-së ishte se Kosova dhe Rusia u pajtuan për rëndësinë e fushatës ajrore të NATO-s, Putin e ka hedhur Serbinë nën autobus

Lajme
UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

UP-ja pezullon nga puna profesorin Xhevat Krasniqi që dyshohet për ngacmim seksual

Lajme
Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Nënat e Srebrenicës falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pas publikimit të raportit nga DASH

Haradinaj kërkon dorëheqjen e Qeverisë Kurti, pas publikimit të raportit nga DASH

Lajme
​Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

​Raporti i DASh-it, opozita e vlerëson shqetësues, pushteti mohon ndërhyrjet në sistem të drejtësisë

Lajme
Kalo në kategori