LAJMI I FUNDIT:

Studentët e FSI-së dhurojnë gjak (Foto)

Studentët e FSI-së dhurojnë gjak (Foto)

Fakulteti i Studimeve Islame, për nder të 17 shkurtit-Ditës së Pavarësisë së Kosovës, organizoi aktivitetin për dhurimin vullnetar të gjakut.

Artan Jashari, student në këtë fakultet, tha se është obligim i secilit që të dhurojë gjak, ngase konsideron se çdo njeri mund të ketë nevojë për shërim.


E Jeton Zenuni, mjek në Qendrën e Transfuzionit të Gjakut, tha për Ekonomia Online se aksioni i sotëm ka rezultuar të jetë shumë i suksesshëm, duke bërë të ditur se kanë grumbulluar më shumë se 50 doza të gjakut.

Ai bëri të ditur se nevojat për gjak në QKUK janë të shumta, andaj apeloi tek të gjitha institucionet, por edhe qytetarët që të vetorganizojnë aksione të tilla.

Ndërkaq dekani i këtij fakulteti, Fahrush Rexhepi, ka thënë se qëllimi i këtij aktiviteti është që të solidarizohen dhe të ndihmojnë të sëmurit, por edhe të festojnë 9-vjetorin e pavarësisë.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht në Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, rreth 85 për qind e nevojave të pacientëve i mbulojnë dhuruesit vullnetarë të gjakut, derisa për 15 për qind të pacientëve, ende vazhdojnë t’i mbulojnë familjarët.

Vetëm për nevojat e QKUK-së brenda 24 orëve, nevojiten 150 doza gjaku.