LAJMI I FUNDIT:

Strategjia negative

Strategjia negative
Fotografia e Ibrahim Rugovës e botuar në revistën “Start”, më 1989. Fotoja është bërë nga fotoreporteri i Javores “Zëri”, Hazir Reka. Serbia ka bërë presione të mëdha që ky numër të mos dal fare në shitje, pikërisht për shkak të intervistës me Rugovën. Në fund, Serbia ndalon shitjen kudo ku kishte kontroll në ish-Jugosllavi (Serbi, Vojvodinë, Mal të Zi dhe Kosovë).

Më 26-27 prill të vitit 1988, në Beograd mbahet një takim mes shkrimtarëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, takim ky që zgjon kureshtjen e shumë mediave jugosllave e të huaja. Fjalimi i Ibrahim Rugovës (atëherë kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës) ka shkaktuar reagime të mëdha në Serbi, ndërsa pasqyrohet edhe në shtypin perëndimor duke e identifikuar Rugovën si intelektualin më të zëshëm në mbrojtjen e kauzës shqiptare në Kosovë. Këtë fjalim Telegrafi e sjellë të plotë.

Nga: Ibrahim Rugova


Të dashur kolege. të nderuar shokë, me takoi një nder i veçantë që përpara jush, sipas funksionit të tashëm, të flas në emër të kolegëve kosovarë që po marrin pjesë në këto biseda. Kur e pranuam ftesën tuaj për këto biseda. menduam se do të bëjmë sado pak në drejtim të sqarimit të disa gjërave, në kuptim të interpretimit lidhur me thirrjen tonë prej shkrimtarësh – të shpjegimit të disa çështjeve nga tema jonë. Gjatë përgatitjeve u bindëm edhe më shumë, madje edhe ato shtyrje terminesh e lloj-lloj reagimesh të pamatura lidhur me to kanë pasuar nga dëshira që bisedat tona të mbahen sa më të përgatitura dhe sa më serioze. Këto biseda gjithashtu duhet kuptuar si bisedime ndërmjet shkrimtarëve shqiptarë e serbë dhe jo si biseda të të gjithë intelektualëve shqiptarë, ndaj pas marrëveshjesh jemi përcaktuar që këtu të marrin pjesë vetëm anëtarët e Shoqatës, përkatësisht të Lidhjes.

Në bazë të ngarkimit të deritashëm të marrëdhënieve ndërmjet popujve tanë, në veçanti gjatë këtyre shtatë vjetëve të fundit, do të mund të pranohej se pranë tryezës po qëndrojnë armiqtë, mirëpo, në mbështetje të dëshirës sonë dhe historisë pozitive të popujve tanë, gjë që shpesh po harrohet apo po injorohet – mund të themi se këtu janë ulur miqtë që kanë tejet shumë mosmarrëveshje, me qellim që t’i kontribuojnë përmirësimit të këtyre marrëdhënieve.

Duke u nisur nga një kontradiktë e tillë reale, bisedat tona si një akt intelektual, përgjithësisht nuk e kanë për qëllim të sjellin masa, konkluzione e sanksione për mospërfilljen e tyre sipas ndonjë logjike pragmatiste apo sipas dëshirës militante të kujtdoqoftë. Sipas natyrës së të gjitha bisedave intelektuale, edhe këto tonat do të jenë këmbim mendimesh për disa çështje qenësore për marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë. Përveç kësaj, në kuptimin historik, ato marrëdhënie janë objekt i albanologjisë dhe disiplinave të saj, si dhe sllavistikës, përkatësisht serbistikës, madje edhe i ballkanistikës dhe i studimeve të vendeve të Evropës Juglindore. Siç dihet, në rrafshin e atyre disiplinave shkencore dhe sferave, përsa u përket marrëdhënieve shqiptaro-serbe, më shumë ka çështje të imponuara sesa të pazgjidhura, të cilat dikush dëshiron t’i ngrejë si çështje brenda kornizave të interpretimeve të njëanshme apo të mjegullimeve, madje edhe duke i imponuar zgjidhjet vetjake nga pozicioni i forcës dhe paragjykimeve shkencore nga shekulli i kaluar, të cilat kanë vazhduar për Ballkanin si regjion e të cilat më pastaj janë zbatuar me procesin e imitimit ndërmjet popujve të Ballkanit. Prandaj ne, si shkrimtarë dhe intelektualë nga ky krah, kujtojmë se i kuptojmë këto biseda si këmbim mendimesh me vullnet dhe qëllim të mirë, që, nëpërmjet procesit të shpjegimeve të shprehim pikëpamjet tona, kurse të tjerat mbeten çështje për shkencat – gjë që kërkon kohë dhe korrektësi shkencore pa pozicionin e forcës.

Nëse ne shkrimtarët zhvendosemi dhe përfytyrojmë veten midis dihotomisë së pushtetit dhe diturisë, midis pouvoir e savoir, atëherë vendi ynë i vërtetë është në savoir, me ç’gjë do të arrinim që intelektualët t’i shmangeshin shndërrimit në pouvoir terrible, sepse gjenden në terren të huaj. Nëse qëndrojmë aty ku e kemi vendin, d.m.th. në savoir, që është mjeti dhe fuqia jonë, nëse kemi ndonjë lloj fuqie, atëherë do të thotë se ekzistojmë dhe se veprojmë.

***

Fatkeqësisht. sot nocioni për Kosovën në Jugosllavi e sidomos ne Serbi, po vdes dita ditës. Kjo do të thotë se për Kosovën nuk ka më kuptim njerëzor, ndaj ka rënë ne shkallën me të ulët te mundshme. Është ky kuptim i zeros së bardhë, i cili mbështetet në kuptimin mitik, në përfytyrimin mitik brenda rrafshit të mitologjive moderne, të cilat bëhen surrogate të ideologjive të ndryshme dhe prapa të cilave qëndrojnë lloj-lloj strategjish me qëllime e metoda të përpunuara veçanërisht. Kështu, Kosova është bërë një mitologemë për t’u rrëzuar një e vërtetë historike dhe aktuale e cila funksionon sipas strategemave të njohura të një strategjie të fshehtë kundër një populli. Ja, këtë ne e quajmë strategji negative dhe do ta ekspozojmë në vazhdim. Brenda asaj strategjie ka shumë strategema, disa prej tyre edhe do t’i cekim, mirëpo, si tërësi ajo është ndërtuar gjatë kohë dhe hollësisht, dhe mjerisht edhe po zbatohet me të madhe. Prandaj, themi se po vdes nocioni për Kosovën sepse nuk mbështetet mbi gjendjen faktike dhe mbi vërtetësinë e të kuptuarit të këtij ekzistenciumi. Gjatë këtyre shtatë vjetëve janë krijuar disa etiketa të hekurta që shërbejnë si mekanizma të një strategjie të fshehtë negative, siç janë: nacionalizmi shqiptar apo irredentizmi, separatizmi, kundërrevolucioni, gjenocidi, fashizmi, shqiptarofobia, shqiptarizmi, heshtja e inteligjencies shqiptare, anarkia, paligjshmëria, eksplodimi popullativ dhe shumë e shumë të tjera. Përveç këtyre etiketave të shumta, në anën tjetër janë krijuar shenjat mbrojtëse, si: shpërngulja e serbëve dhe e malazezëve, drama kosovare, tragjedia kosovare, ekzodusi i serbëve, dyndjet e serbëve, dhunimet, përdhosjet, djegiet, dëmet etj. Edhe këto shenja mbrojtëse bëhen etiketa të reja dhe shumë më të forta.

Nëse pak më kujdesshëm e shohim vetëm këtë sistem të etiketave, do të kuptojmë se kemi të bëjmë me një çështje krejtësisht të njëjtë, e një strategjie antishqiptare të cilës tash shtatë vjet po i prin një pjesë e shtypit të Beogradit, pastaj një pjesë e institucioneve kulturore e shkencore dhe asociacione të tjera. Klasës së parë të sistemit të etiketave i prin slogani: nacionalizmi apo irredentizmi shqiptar, kurse klasës së dytë: shpërngulja e serbëve dhe e malazezve, që e mbulojnë tërë situatën. Me sistemin e parë atakohet drejtpërdrejt populli shqiptar, ndërsa me të dytin, sipas logjikës së sakalitetit: në emër dhe në mbrojtje të viktimës, përsëri sulmohet dhe sakrifikohet i njëjti popull. Sidoqoftë, të dy klasët e etiketave e kanë një qëllim. Këto nuk janë veçse strategema të dala nga një logjikë mitologjike, dogmatike dhe thjeshtë eliminuese të gjërave dhe të njerëzve. Thënë më qartë, e tërë kjo strategji e ka fillin në strategjinë e përpunuar antishqiptare nga ana e borgjezisë serbe nga fundi i shekullit të kaluar dhe nga fillimi i këtij shekulli, e cila si e tillë për të gjithë ne është e mirënjohur. Mirëpo, ajo strategji ngapak është pasuruar me kushte të reja. Ajo tashti mbështetet edhe në koncepcionet e socializmit shtetëror dhe deformitetet e sigurimit shtetëror për gjykimet e shqiptarëve në të kaluarën. Kjo do të thotë se këtu kemi të bëjmë me ngjalljen e logjikës udbashe të viteve ’50 e ’60 ndaj shqiptarëve.

Nga kjo strategji e fshehtë dhe negative në rrafshin historik dhe në atë aktual, do të veçojmë vetëm disa çështje, përkatësisht disa strategema të cilat i lëvizin mekanizmat e rrethanave të tashme. Nga kjo pikëpamje historike, duke shfrytëzuar deri në maksimum shkencën e borgjezisë serbe, po lansohet teza se shqiptarët nuk e kanë historinë e vet; po diskualifikohet prejardhja e tyre dhe kjo po përdoret si mbështetje për mohimin e popullit shqiptar në kornizat evropiane, ndaj edhe të drejtat e tyre në kohën e tashme.

Në bazë të rezultateve shkencore, në shkencën evropiane sot është pranuar se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve të lashtë. Kjo do të thotë se populli shqiptar është një fqinj i lashtë i grekëve të lashtë dhe i romakëve me të cilët edhe sot e gjithë ditën jeton në fqinjësi. Ky element iliro-shqiptar ka qenë dhe ka mbetur në shekuj edhe në Kosovë. Është kjo një e vërtetë shkencore të cilën disa po duan ta politizojnë në emër të luftës kundër nacionalizmit shqiptar, mirëpo ç’është e drejta, ajo është një luftë kundër popullit shqiptar. Edhe gjatë mesjetës shqiptarët mbetën si një element me rëndësi në Kosovë, e këtë na e dëshmojnë të gjitha burimet shkencore dhe të gjitha hulumtimet. Ja një e dhënë: shkrimtari i vjetër shqiptar Pjetër Bogdani, në parathënien e veprës së tij Cuneus Prophetarum (Çeta e profetëve), thotë se librin e ka shkruar për popullin e vet shqiptar i cili në Kosovë përbën shumicën e popullatës dhe i cili e flet gjuhën shqipe. Kjo është një nga dëshmitë se populli shqiptar nuk ka ardhur në Kosovë në shekujt XVII e XVIII, siç pohojnë shkencëtarët borgjezë, por edhe shkencëtarët e sotëm serbë. Lypset përmendur edhe atë se në mesjetën e hershme shqiptarët kanë qenë nën Kishën e Lindjes. Edhe kjo flet për atë se elementi shqiptar nuk është zhdukur sipas logjikës mekanike dhe me atë se nuk ka ekzistuar në këto hapësira. Mirëpo, i tillë është fati i popujve që janë shfaqur në skenën e historisë. Këto hulumtime janë në fillim dhe shpresoj se do të sjellin rezultate të dëshiruara.

Duke e përmbyllur këtë vërejtje të shkurtër rreth të vërtetës historike, duhet thënë se ajo pjesë e shkencës së historisë serbe lypset respektuar edhe rezultatet e historiografisë shqiptare e edhe të shkencave të tjera humanitare të cilat dita-ditës gjithnjë e më shumë po inkorporohen në shkencën evropiane. Dhe, siç e do rendi në shkencë, por edhe siç veprohet me të gjithë popujt, duhet pranuar rezultatet e shkencës së një populli i cili atë e krijon për vete mbi baza shkencore me qëllim që ta mohojë një popull të tërë. Duke i përmendur këto dy çështje themelore nga historia e popullit shqiptar, deshëm vetëm të theksojmë se nga shpie logjika e cila mëton të shpërndërrojë historinë e popullit tjetër. Mirëpo, edhe kjo i përket asaj strategjie negative e cila as historinë nuk e lë të qetë duke u nisur nga pasionet e çastit me dëshirën që të shtrembërojë fotografinë e një populli në botën bashkëkohore.

***

Sidoqoftë, atë strategji negative mund ta shohim më së miri nga çështjet aktuale. Në periudhën e pasluftës, përveç rezultateve të pamohueshme dhe të mëdha në të gjitha sferat kombësia shqiptare, megjithatë ka pasur shumë gabime që janë pjellë e një strategjie të përhershme dhe të fshehtë, për të mos u mundësuar zhvillimi i saj i përgjithshëm dhe mëtutjeshëm. Në prag të mbarimit te luftës (1945), kur shumica ishim të bindur në ngadhënjimin e shoqërisë së re në botë, siç thuhej atëherë, ne Kosovë pasoi pushteti ushtarak i cili solli plot trauma individuale e kolektive. Nga vitet ’50, kur kombësia shqiptare kishte filluar të hynte më shumë në shoqërinë e re, tok me deklaratën publike të shoqërisë për socializëm dhe barazi të kombeve e të kombësive, përsëri u aktivizua strategjia e fshehtë, të cilës i printe shërbimi i sigurimit shtetëror, i cili filloi të zbatonte strategji të hapur antishqiptare, porse tash me një formë të fshehur, duke i shpallur shqiptarët për armiq të shtetit dhe se duhet të mbahen nën mbikëqyrje të përhershme. Strategjia e fshehtë aplikohej për ta ruajtur autoritetin e shtetit në botë. Ajo strategji arrin kulmin me aksionin për grumbullimin e armëve, gjatë të cilit aksion kanë pësuar mbi 60 000 njerëz, sa me lëndime të lehta, sa të rënda dhe sa me vdekje. Gjatë asaj periudhe aktivizohen edhe tezat e paraluftës që shqiptarët të shpërngulen për në Turqi. Për qëllim të asaj strategjie shfrytëzohet edhe pakti ballkanik ndërmjet Jugosllavisë dhe Turqisë e vendeve të tjera të Ballkanit ashtu që kjo çështje të bëhej një çështje ndërshtetërore dhe një çështje e të ashtuquajturit vullnet i njerëzve. Sipas statistikave janë shpërngulur rreth 300 000 shqiptarë. Aso kohe fillon edhe fushata kundër inteligjencies së re shqiptare. Këtyre tezave u bashkohet edhe teza mbi prapambeturinë e Kosovës si premisë për shtypje ekonomike që shqiptarët të braktisin Kosovën, mënyrë kjo e heshtur për t’u çliruar nga ai element.

Pas vitit 1966, kur deri diku u demaskua ajo strategji e fshehtë e sigurimit shtetëror, pason përmirësimi i gjendjes. Duhet pranuar se atëherë për të parën herë shqiptarët zunë të gëzojnë të drejtat kombëtare, qytetare, kulturore dhe ekonomike në një shkallë më të lartë. Mirëpo, tash problemi paraqitet si çështje e pushtetit. Serbët e malazezët të cilët dominonin në pushtetin e asaj kohe, nuk duan të kyçen për rrjedhat e reja, sepse i kanë humbur privilegjet. Ata nuk e pranojnë situatën e re. Pastaj pason propaganda e zyrtareve te rënë të UDB-së se duhet kërcënuar me migrimin e asaj popullate nën etiketën e shpërnguljeve, në mënyrë që një ditë ajo të bëhej një çështje me përmasa më të gjera. Edhe ajo propagandë ka qenë në formën e strategjisë së fshehtë.

Pas ngjarjeve të vitit ’81, përsëri promovohen pasionet e vjetra, tezat e vjetra. Dalin në shesh të gjitha trajtat e strategjisë së mëparshme tinëzake. E gjithë kjo bëhet në emër të demokracisë, të lirisë së shtypit dhe të politikës së lirë. Kërkohet rrënimi i të gjithave që kanë fituar shqiptarët pas Plenumit të Brioneve. Thënë më shkurt, kjo është hakmarrje për atë periudhë dhe, do të thoshim se ajo ishte një politikë fanatike e sovetos e cila shndërrohet në shovinizëm e revanshizëm të hapur. Nën shtypjen e mass-mediumeve dhe të mass-politikës, shqiptari i sotëm është bërë njëfarë lloj përbindëshi ekzotik që kërcënon. Sipas kësaj logjike, lypset përdhosur e sakatosur sa më shumë popullin shqiptar edhe historikisht edhe aktualisht, në mënyrë që të krijohen pandehma sa më të mëdha për përjashtimin e tij nga jeta. Tash mund të flasim për penjtë e fshehur të kësaj strategjie negative e cila është bërë publike, penj që mbulohen me mass-mediume dhe forma të ndryshme të ekskomunikimit dhe të anatemimit.

Si një formë e re e ekskomunikimit të shqiptarëve krijohet miti i ri për Kosovën në shkencë, në shtyp, në literaturë. Miti i vjetër mbi Kosovën, i cili qe krijuar kundër turqve dhe Perandorisë Osmane dhe i cili para luftës shndërrohet në mit kundër shqiptarëve, tashti paraqitet përsëri në atë formë, me petka të reja. Derisa në periudhën e paraluftës ishte kundër te gjithë shqiptarëve në Ballkan, miti i ri mbi Kosovën sot është i drejtuar kundër shqiptarëve në Jugosllavi, e veçanërisht në Kosovë, në mënyrë që të shfronësohet popullata shqiptare.

***

Duke pasur parasysh tërë këtë strategji negative, tashmë nuk mund të thuhet as përfundohet se kemi të bëjmë me një eufori të kapërcyeshme. Ajo strategji ka për qëllim që shqiptarët t’i bëjë të gjunjëzohen përpara masave të reja, që elementi shqiptar të zvogëlohet, të bëhet “i durueshëm” dhe simbolik. Pastaj nuk do të ketë më probleme, sipas asaj logjike, që pas disa dhjetëvjetshave të asimilohen apo të bien në minimum. Madje edhe sot, fatkeqësisht, duhet thënë se në disa dokumente zyrtare ka tingëllima të teorive të vjetra për Kosovën, siç është Programi jugosllav për Kosovën për popullzimin e serbëve dhe të malazezëve, në rend të parë nga programi i Çubrilloviqit.

Opinioni jugosllav, por edhe kompetentët duhet të kuptojnë njëherë e mirë se nuk mund të sillen asisoj me një popull. Shqiptarët në Jugosllavi sot jetojnë si një bashkësi e organizuar shoqërore me kombet e kombësitë tjera. Ata duan të jenë të barabartë, t’i gëzojnë të gjitha të drejtat kombëtare e qytetare dhe të marrin pjesë në përgjegjësitë dhe të drejtat për t’u zhvilluar tutje, ashtu që frytet e reja të botës bashkëkohore t’i zhvillojnë në frymën e traditës së vet kulturore e historike, siç u ka hije të gjithë popujve të botës moderne. Çfarëdo imponimi në emër të ndonjë hipoteze qytetëruese nga ana e kombeve të “civilizuar”, qenësisht është një akt jocivilizues i cili barazohet me dhunën ndaj tjetrit. Kombësia shqiptare po ashtu dëshiron që edhe më tutje të zhvillojë qenien e vet kombëtare e shoqërore, jo vetëm si etnikom, por si një shoqëri e organizuar bashkë me të tjerët dhe të komunikojë me tërë kulturën shqiptare dhe me kulturat e tjera në vend e në botë.

Ishin këto vetëm disa trajta të strategjisë negative e cila sot po aplikohet në Kosovë. Lirisht mund të themi se një strategji e tillë nuk e ndihmon përmirësimin e gjendjes në Kosovë dhe nuk është mirë për asnjë komb a kombësi të kësaj hapësire.

Dhe, në fund imponohet pyetja: si të përmirësohet ajo gjendje e cila nuk është aq alarmante siç po trumbetohet nga të gjitha anët tash shtatë vjet. Për këtë qëllim ne sugjerojmë disa propozime të cilat do të dilnin nga strategjia negative, qëllimin dhe anatominë e së cilës e theksuam me disa raste, apo strategema. Do të thotë se ne japim disa sugjerime që do t’i takonin një strategjie pozitive të cilën duhet aplikuar në Kosove.

1. Duhet lënë që gjendjen në Kosovë ta zgjidhin vetë kombet dhe kombësitë nëpërmjet një marrëveshjeje të përbashkët dhe të paimponuar apo me masa të ngushta politike a të ashpra etatiste. Për këtë qëllim nuk duhet ngushtuar autonominë e Krahinës, ndaj ajo është një e dhënë historike dhe aktuale dhe është një formë e rregullimit dhe e përparimit te marrëdhënieve ndërmjet kombeve, kombësive dhe të gjithë njerëzve qe jetojnë në të. Do të thotë: atë autonomi duhet pasuruar edhe më.

2. Duhet liruar potencialin njerëzor në të gjitha sferat në Kosovë, ngase është bllokuar tash shtatë vjet e më shumë. Atë potencial duhet kyçur në zhvillimin e mëtutjeshëm të Kosovës.

3. Duhet pranuar disa gabime që janë bërë në Kosovë pas vitit 1981, gjë që i ka hije çdo shteti modern i cili ndryshon strategjinë në kuptimin pozitiv. P.sh. duhet rehabilituar të dënuarit dhe praktikën ndëshkimore duhet vendosur në kornizat e normave kushtetutare e ligjore të cilat vlejnë për të gjithë qytetarët e kombeve e të kombësive. Duhet garantuar të drejtën në punë e në shkollim, pa marrë parasysh orientimet politike ndaj dispozitave në fuqi.

4. Gjendja në Kosovë nuk është edhe gjithaq e keqe, po e theksoj përsëri, siç po trumbetohet nga çdo anë dhe mund të përmirësohet qenësisht vetëm nëpërmjet demokracisë dhe humanizmit të marrëdhënieve, e jo me represion: pikërisht ashtu siç kemi kërkuar para afro dy vjetëve, kërkesë ajo të cilën fatkeqësisht më duhet u përsëris edhe sot.

E gjithë kjo nënkupton se duhet dhënë fund strategjisë negative, përkatësisht duhet aplikuar strategjinë pozitive e cila kërkon më shumë sens, mirëkuptim dhe respektim mes njerëzve të të gjitha kombeve dhe kombësive në Kosovë dhe më gjerë. Kjo nuk është e pamundur. Kjo është bindja jonë e thellë intelektuale për të cilën angazhohemi sot dhe në të ardhmen. /Telegrafi/

Ibrahim Rugova (foto: Hazir Reka, 1988)