LAJMI I FUNDIT:

Stop diskriminimit të shqiptarëve të Luginës

Pas dështimit dhe kapitullimit të plotë të Qeverisë së Kosovës në Dialogun e Brukselit, ku u hoqën të gjitha "vijat e kuqe", i tërë ky proces u vu në realizimin e agjendës serbe për pranimin e ftesës për anëtarësimin e Serbisë në BE. Kjo gjë, sipas të gjitha gjasave, pritet të ndodhë pas 1 janarit 2014. Kurse, Kosova nuk ka asnjë shpresë se do ta fitojë liberalizimin e vizave, sepse edhe vendet që e kanë fituar më herët këtë të drejtë, pas vendimit të fundit të Parlamentit të BE-së rrezikojnë t’u vendosen përsëri.

Kosova në këtë dialog rrezikoi gjithçka: simbolet e shtetësisë, legalizimin e kriminelëve serbë dhe futjen e tyre në sistemin ligjor e kushtetues dhe në organet e ruajtjes së rendit dhe ligjit Mbi të gjitha, Kosova sakrifikoi shqiptarët e Luginës së Preshevës, duke mos i përmendur fare.


Ata që e kanë përcjellë dialogun e Brukselit me pritje dhe me shpresa më të mëdha ishin shqiptarët e kësaj pjese! Por, mjerisht, rezultoi që këta të ishin edhe të zhgënjyerit dhe të trishtuarit më të mëdhenj, meqë çështja e tyre as që u shtrua në tavolinën e bisedimeve!

Kurse, Serbia dërgoi një "nëpunës të Beogradit", Zoran Stankoviqin, që të merret me shqiptarët e Luginës, i cili është vënë në realizim të planit sekret të Qeverisë së Serbisë të vitit 2002 për shpërnguljen definitive të shqiptarëve nga kjo anë. Si duket, partnerë për realizimin e këtij plani janë bërë edhe Qeveria e Kosovës dhe Këshilli i Evropës, si organ më i lartë i BE-së. Secili po i kryen obligimet dhe detyrat e veta në këtë drejtim: BE duke mos lejuar që të shtrohet kjo çështje në tavolinën e bisedimeve; Qeveria e Kosovës duke "aminuar", si dhe Serbia duke e realizuar në praktikë e papenguar nga askush.

Të gjitha veprimet e pakuptimta dhe të çoroditura e gjejnë përgjigjen racionale vetëm nëseshikohen nga kjo prizëm e realpolitikës antishqiptare që është duke ndodhur aktualisht.

Serbia tani propozon ndryshimin e flamurit shqiptar, ashtu si Italia fashiste që bëri me okupimin e Shqipërisë më 7 prill 1939 dhe me aneksimin e saj nën Mbretërinë e Perandor Emanuelit, duke vendosur fashon në mes shqiponjës dykrenëshe.

Por, as Qeveria e Kosovës nuk ka ngecur mbrapa në realizimin e “devotshëm” të detyrave të saja në këtë drejtim, duke vendosur taksa hyrëse drakonike për shqiptarët e Luginës së Preshevës në kufi dhe duke mos lejuar asnjë veturë të shqiptarëve të Luginës që të hyjë në truallin e "Kosovës nënë" pa e paguar këtë taksë!

Llogaritet se në këtë mënyrë Qeveria e Kosovës i plaçkitë "vëllezërit e vet mëtanë kufirit" me rreth 15-20 milion euro në vit, pa investuar asnjë cent dhe pa paraparë në buxhet të Kosovës asnjë lek për këta shqiptarë të mjerë.

Mimoza Kusari-Lila, si ministre u kujdes që ta demonstrojë kujdesin e saj për heqjen e taksave dhe ndalesave që ia vuri Maqedonia qytetarëve dhe ekonomisë kosovare, por "harroi" se pikërisht partia e saj, AKR, dhe kompania private e sigurimit e shefit të saj Behxhet Pacolli, është përfituesja dhe realizuesja e kësaj vepre antishqiptare.

Kosova duhet t’i përgjigjet me të njëjtën masë serbëve të Kosovës, duke mos lejuar flamurin shtetëror të Serbisë të valëvis në truallin e Kosovës, i pandryshuar, ashtu si valëvitet në Beograd dhe kudo në Serbi. Nëse Kosova nuk e bënë këtë dhe nëse Shqipëria me Kosovën nuk e ngrenë fuqishëm zërin kundër këtij propozimi serb, atëherë do ta nënshkruanin me dorë të vet kapitullimin para Serbisë.