LAJMI I FUNDIT:

“Stilografia”

“Stilografia”

“Stilografia”, libri më i ri i Sabri Hamitit, trajton ‘letërsinë e tashme shqipe’, në nivel interpretimi, duke e vënë në relacion me klasiken letrare shqipe dhe me sistemin e tërësishëm të kësaj letërsie.

“Stilografia”, vepër me shkrime kritike, paraqet konceptin themelor të trajtimit të shkrimit letrar, të dorëshkrimit, në vështrimin gjenuin të gjetjes së literaritetit. “Stilografia”, po ashtu paraqet kuptimin elementar të stilit individual, ‘lapsi’ e ‘letra’, duke provuar ‘bukurshkrimin’ në procesin e leximit të veprave letrare-artistike. “Stilografia” është vepër e përbërë nga tri pjesë.

Pjesa e parë, ‘Letrat e fundit’, në formën e abecedarit për letrat e tashme shqipe, trajton letërsinë shqipe të shekullit XXI, të cilën e shkruajnë dhe botojnë në të njëjtën kohë autorë të tre brezave. Një brez me veprat e fundit; një brez me veprat e shënueshme; dhe një brez me veprat paralajmëruese. Ndërkomunikimi i kësaj letërsie, vetvetiu shenjohet si sistem, i cili trajtohet në rrafshin e transformimeve mbrenda formave letrare të trashëguara. A. ‘Poligrafia e prozës’; B. ‘Enigma e poezisë’; C. ‘Sprovat e kritikës’; D. ‘Aktet dramatike’; nëpërmjet cilësimit, interpretimit e përmbledhësimit, lakmojnë ndritësimin e vlerave letrare, me ndryshimet e reja, për të paraqitur një fazë tjetër të letërsisë shqipe; sigurisht me autorë ilustrativë dhe vepra karakteristike.

Pjesa e dytë, ‘Kalendari’, pa propozuar një kohëtore të letërsisë shqipe, vë në evidencë vlera letrare, tashmë të artikuluara në kohë të veçanta, sidomos të lidhura me ngjarje kulturore të letërsisë shqipe. Ngjarjet letrare evidentohen në kohë, si e përtashme, por mbeten në kohë, si e përjetshme, duke marrë vlerën e veprave klasike me autorë  që bëjnë një trashëgimi letrare kombëtare. Kjo nuk e përjashton përpjekjen e pasosur të rivizitimit të tyre, duke riparë funksionin e tyre në sistemin e hapur të komunikimit letrar.

Pjesa e tretë, ‘Breviari’, si një ‘Shkurtore’, shpalon fenomene letrare, karakteristike për letërsinë shqipe, të cilat prekin në mënyrë të veçantë të gjitha epokat e kësaj letërsie, nëpër shkallë të konstantave dhe të ndryshimeve, mbrenda kësaj letërsie e, po ashtu, të krahasueshme me letërsi të tjera. Për t’u bërë ‘Breviari’ thelbësor e konkret, propozon një përzgjedhje veprash dhe autorësh, si argument të fundit letrar.

‘Autori’ ia njeh lirinë ‘Literarit’ (Lexuesit), që këtë vepër ta lexojë, duke nisur nga fillimi apo duke nisur nga fundi, sipas shijes së vet. Ka që pëlqejnë ta nisin leximin e letërsisë shqipe duke filluar nga Marin Barleti e Pjetër Bogdani për të arritur te Ismail Kadare e Anton Pashku. Ka që pëlqejnë të nisen nga të dytët për të arritur te të parët. /Telegrafi/