LAJMI I FUNDIT:

STIKK mbanë Kuvendin e 10-të zgjedhor

STIKK mbanë Kuvendin e 10-të zgjedhor

Shoqata për Teknologji të Informacionit dhe të Komunikimit të Kosovës (STIKK) ka organizuar Kuvendin e dhjetë me radhë, ku bëri prezantimin e sukseseve dhe sfidave gjatë 10 viteve të funksionimit të STIKK si dhe shpalosja e projekteve të ardhshme ambicioze të cilat kanë për qëllim përmasimin e ambientit të bërjes së biznesit për sektorin e TIK në Kosovë.

Përveç kompanive anëtare të shoqatës, të pranishëm në këtë ngjarje ishin Valdrin Lluka — ministër i Zhvillimit Ekonomik, Bujar Cakolli — Zëvendësministër i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Stein-Ivar Lothe Eide — zëvendësambasador i Norvegjezë në Kosovë si dhe Ottilie Mooshofer — Udhëheqëse e Ekipit të projektit CETEP GIZ.


Në fjalimet e tyre të rastit, theks i veçantë iu kushtua rolit që ka STIKK në përkrahjen e sektorit të TIK në aspektin e zhvillimit të një mjedisi të favorshëm për rritjen e përshpejtuar të sektorit, zhvillimin e burimeve njerëzore si dhe ofrimin e shërbimeve me qëllim të krijimit të mundësive të reja bizneore.
Përfaqësuesit e Qeverive Norvegjeze dhe Gjermane, konfirmuan përkrahjen dhe bashkëpunimin për zhvillimin e STIKK dhe sektorit të TIK në përgjithësi, si sektor prioritar për gjenerimin e vendeve të reja të punës.

Ministri Lluka tregoi rreth përkrahjes së vazhdueshme të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ndaj STIKK në projektet e tyre në zhvillimin dhe promovimin e sektorit të TIK, projekte dhe aktivitete të krijuara në përputhshmëri me Strategjinë Nacionale për Teknologji të Informacionit.

Ministri theksoi se fokus i veçantë i ministrisë është TIK dhe se po punon që sektori të rritet dhe të përfitojë sa më tepër.

Më tutje Lluka tregon për mbështetjen që po i bëhet STIKK në finalizimin e Parkut Teknologjik ‘’Tech Park Prishtina” dhe se është I bindur rreth ndikimit dhe rëndësisë të këtij parku në zhvillimin e sektorit të TIK, e rrjedhimisht edhe ekonomisë së Kosovës në përgjithësi.

Gjatë pjesës punuese të Kuvendit të dhjetë të STIKK, para anëtarëve të shoqatës u prezantuan raporti i punës një vjeçare të vitit 2017, plani i punës për 2018 si dhe planet afatgjate, me fokus të veçantë në TechPark Prishtina.

Aktivitet vjetor i Kuvendit është edhe përzgjedhja e nëntë anëtarëve të rinj të bordit, ku Donjeta Sahatçiu (Rrota) u zgjodh kryetare e bordit ndërsa Vigan Budima (Asseco) nënkryetar i bordit të STIKK. /Telegrafi/