Stigma dhe paragjykimet që lëndojnë personat me aftësi të kufizuara

Personat me aftësi të kufizuara nuk kërkojnë mëshirë, por respekt dhe mundësi të barabarta
Ass. dr. Fahri Drevinja, mr.sciNeuropsikiatërTel: 044 502 508
Stigmatizimi dhe paragjykimet ndaj personave me aftësi të kufizuara mbeten një nga pengesat më të mëdha për integrimin dhe përfshirjen e tyre të plotë në shoqëri. Këto qëndrime negative lindin nga stereotipe, mungesë njohurish, frikë dhe besime të gabuara, duke sjellë diskriminim, përjashtim social dhe shpesh shkelje të të drejtave themelore. Në thelb, paragjykimet nuk flasin për realitetin e atyre që mbajnë një aftësi të kufizuar, por për paaftësinë tonë për të pranuar dhe respektuar ndryshimin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, më shumë se 1 miliard njerëz në botë, rreth 15% e popullsisë jetojnë me një formë të aftësisë së kufizuar. Megjithatë, për shekuj, këta individë, përfshirë fëmijët me paralizë, janë shpërfillur, gjykuar dhe shpesh përjetuar padrejtësi. Edhe sot, në shumë vende, ata vazhdojnë të përballen me kushte të pafavorshme për shkak të barrierave ekonomike, sociale dhe mendësive paragjykuese.
Edhe në Kosovë, ku përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të shoqërisë, nuk ka ende të dhëna të sakta për numrin e tyre. Sipas regjistrimit të vitit 2011, raportohen rreth 93,000 persona, ndërsa vlerësimet më të reja llogarisin shifrën nga 128,000 deri në 200,000. Banka Botërore (2023) jep një vlerësim prej rreth 128,000 personash, që përbëjnë afërsisht 8% të popullsisë.
Pasojat në jetën e përditshme
Një nga format më të zakonshme të stigmatizimit është mendimi se personat me aftësi të kufizuara janë “më pak të aftë” ose “më pak të vlefshëm” se të tjerët. Ky qëndrim sjell pasoja të drejtpërdrejta:
▪ vështirësi në arsimim,
▪ barriera në punësim,
▪ kufizime në jetën shoqërore dhe kulturore.
Shembull i shpeshtë është hezitimi i punëdhënësve për të punësuar persona me aftësi të kufizuara, duke i konsideruar më pak produktivë, gjë që zvogëlon ndjeshëm mundësitë e tyre për pavarësi financiare dhe zhvillim profesional.
Ndikimi në shëndetin mendor
Nga këndvështrimi psikiatrik, stigmatizimi është një faktor rreziku për ankthin, depresionin dhe çrregullimet post-traumatike. Përballja e vazhdueshme me diskriminim dhe etiketim negativ krijon ndjesi të vazhdueshme inferioriteti dhe izolimi. Përjashtimi nga rrjetet shoqërore të mbështetjes e përkeqëson situatën, duke u mohuar individëve një nga nevojat më themelore: ndjenjën e përkatësisë.
Tek fëmijët me paralizë, kjo pasqyrohet shpesh me vështirësi në vetëbesim dhe frikë nga refuzimi. Psikoterapia ofron hapësirë për t’i ndihmuar ata të përpunojnë emocionet, të zhvillojnë forcë të brendshme dhe të ndihen të vlefshëm përtej kufizimeve fizike. Edhe prindërit, që shpesh bartin barrën e gjykimeve shoqërore, kanë nevojë për mbështetje psikiatrike dhe psiko-edukim për të menaxhuar stresin dhe ndjenjat e fajit.
Edukimi dhe modeli social
Për të luftuar stigmatizimin, duhet vepruar në dy nivele:
▪ Individual – edukimi i personave me aftësi të kufizuara për të njohur dhe mbrojtur të drejtat e tyre, por edhe mbështetja psikoterapeutike për të zhvilluar aftësi përballuese dhe forcimin e identitetit. Terapia konjitive-sjellore (CBT) dhe terapia e pranimit dhe angazhimit (ACT) janë qasje që përdoren shpesh për të ndihmuar individët të kapërcejnë ndjenjat e turpit e të izolimit.
▪ Shoqëror – ngritja e ndërgjegjësimit publik, edukimi i familjeve, shkollave, ofruesve të shërbimeve, vendimmarrësve dhe mediave. Ndryshe nga modeli mjekësor, që e sheh aftësinë e kufizuar vetëm si problem biologjik, modeli social thekson se pengesa kryesore qëndron te qëndrimet e shoqërisë.
Studimet kanë treguar se ndërhyrjet edukative, sidomos te të rinjtë, ulin distancën sociale, përmirësojnë qëndrimet dhe rrisin vetëdijen për shëndetin mendor.
Roli i familjes
Familja është boshti kryesor i mbështetjes. Psikiatrit theksojnë se prindërit duhet:
▪ të ofrojnë mbështetje emocionale dhe pranim të plotë;
▪ të mos e fshehin gjendjen e fëmijës, sepse fshehja e shton stigmatizimin;
▪ të marrin pjesë në psiko-edukim familjar, ku mësojnë si të përkrahin fëmijën pa gjykim;
▪ të normalizojnë përvojën, duke e trajtuar si një sfidë shëndetësore, jo si turp.
Terapia familjare është një nga mjetet më të rëndësishme për të ndihmuar jo vetëm fëmijën me paralizë apo me aftësi të kufizuara, por edhe prindërit, që shpesh bartin stres dhe ndihen të izoluar nga shoqëria.
Roli i mediave
Mediat luajnë rol vendimtar në formësimin e perceptimeve. Shumë shpesh, ato e përforcojnë stigmatizimin me tituj sensacionalistë dhe stereotipe. Në vend të kësaj, duhet përdorur gjuhë e kujdesshme, raportime të bazuara në fakte dhe shembuj pozitivë të personave me aftësi të kufizuara si pjesëmarrës aktivë në shoqëri. Komunikimi i saktë është një aftësi që mund të mësohet dhe të përmirësohet.
Roli i psikiatrit
Psiko-edukimi – shpjegon natyrën e gjendjes, opsionet e trajtimit dhe mënyrat e menaxhimit.
Terapia individuale – ndihmon individin të përballojë stigmatizimin, të zhvillojë vetëbesim dhe mekanizma të shëndetshëm përballimi.
Terapia familjare – përfshin prindërit dhe kujdestarët për t’i ndihmuar të ofrojnë mbështetje të duhur.
Terapia në grup – ul izolimin dhe forcon ndjenjën e përkatësisë.
Puna me komunitetin – psikiatri merr pjesë në fushata ndërgjegjësimi, trajnime dhe ligjërata publike.
Avokimi – promovon politika shëndetësore dhe sociale që mbrojnë të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Përfundim
Asnjë sëmundje, përfshirë edhe çrregullimet e shëndetit mendor, nuk duhet parë si turp. Psikiatria moderne thekson se çrregullimi psikik nuk përcakton karakterin e individit: ai nuk e bën njeriun më pak të vlefshëm, nuk ia zvogëlon mirësinë, besnikërinë apo aftësinë për të dashur.
Personat me aftësi të kufizuara, qoftë fëmijë apo të rritur, janë individë me emocione, dëshira, synime dhe role shoqërore, njësoj si çdo tjetër. Ata nuk duhet parë përmes kufizimeve të tyre, por përmes potencialeve, forcës dhe personalitetit të tyre unik. Shoqëria fiton kur vlerëson diversitetin dhe kur çdo individ ndihet i respektuar dhe i pranuar. /Telegrafi/






















































