LAJMI I FUNDIT:

Stabilizohet tregu i valutave, investitorët presin takimin e Bankës së Anglisë

Stabilizohet tregu i valutave, investitorët presin takimin e Bankës së Anglisë

Dollari amerikan është stabilizuar në sesionin e sotëm, ndërsa juani kinez ka rënë në nivelin më të ulët në dy muajt e fundit.

Në anën tjetër, paundi britanik po qëndron në nivelin më të lartë në 1 vit përballë dollarit, sepse investitorët presin që Banka e Anglisë së vijojnë me politikën monetare shtrënguese në takimin e ditës së sotme.


Tregjet presin se banka qendrore do të ndërmarrë rritjen e 12-të me radhë në normave të interesit.

Ndërkohë, në lidhje me Rezervën Federale, analistët parashikojnë se ky institucion do të bëjë një pauzë disa mujore me normat e interesit, pasi inflacioni shfaqi shenja të ngadalësimin edhe gjatë prillit.

Indeksi që mat ecurinë e dollarit amerikan, përballë shportës me 6 monedhat kryesore ndërkombëtare po qëndron në rreth 101.4 pikë.

Në anën tjetër, euro ka zbritur sërish poshtë nivelit teknik të 1.1 në raport me dollarin amerikan. Në tregun e kriptovalutave, Bitcoin vijon qëndrueshmërinë pranë 27,500 dollarëve, ndërsa Ethereum po tregtohet në rreth 1,840 dollarë. /Scan/