Spotify po prezanton një veçori të re që do t’u mundësojë përdoruesve të dallojnë nëse një artist është i krijuar nga Al.

Nga mesi i shtatorit, në disa profile artistësh do të shfaqet një etiketë “AI Persona”, e cila do të tregojë se identiteti i artistit nuk i përket një personi real.


Spotify thotë se synimi është të rrisë transparencën, pasi përdoruesit janë shqetësuar nga profile që duken si artistë të vërtetë, por në fakt janë krijuar nga AI.

Etiketa do të shfaqet në profilin e artistit, në seksionin “About”, në rezultatet e kërkimit dhe pranë këngëve në playlistat.

Përdoruesit do të mund të klikojnë mbi të për të parë nëse artisti e ka deklaruar vetë se është një personazh i krijuar nga AI apo nëse etiketa është vendosur nga Spotify pas një verifikimi.

Kompania thekson se etiketa lidhet me identitetin e artistit dhe jo domosdoshmërisht me mënyrën se si është krijuar muzika.

Fenomeni i muzikës së gjeneruar nga AI po rritet me shpejtësi. Deezer vlerëson se rreth 60 mijë këngë të krijuara tërësisht nga AI ngarkohen çdo ditë në platformë. Ndërkohë, Spotify thotë se vetëm vitin e kaluar hoqi rreth 75 milionë këngë spam, shumë prej të cilave ishin të krijuara me AI.

Një tjetër problem është manipulimi i dëgjimeve, ku përdoren botë për të luajtur vazhdimisht këngë dhe për të gjeneruar të ardhura artificiale.