LAJMI I FUNDIT:

Spiunllëku nuk është revoltë

Spiunllëku nuk është revoltë

Arjan Curri, pata mundësinë të ndiqja një segment të dialogut tuaj me dr. Ilir Allkja të zhvilluar tek ” Zonë e lirë”.

Ajo çka më tërhoqi vëmendjen, ose më saktë ma vrau vëmendjen, ishte fakti se ju i këshillonit mjekët të bëheshin spiunë modernë.


Si e bënit këtë?!

Në ligjëratë të drejtë i thatë doktorit në studio: Ju nuk duhet të kishit dalë në media për të denoncuar mungesat në spital. Ju duhet të kishit komunikuar me gazetarët privatisht dhe gazetarët i shfaqnin në media mungesat dhe kështu nuk rrezikonit vendin e punës.

Shkurt, përmes filozofisë suaj, ju i këshilloni mjekët të bëhen spiunë modernë.

Me pak fjalë, sipas jush çdo individ që has një padrejtësi në institucionin ku punon, duhet të mbledhë fshehurazi informacionet brenda tij dhe t’ia dorëzojë një gazetari dhe gazetari vë drejtësinë në vend.

Revolta ka dy personazhe: Një njeri që ngulmon të shtypë një njeri tjetër dhe një njeri që refuzon të shtypet.

Përballja është mes këtyre dy personazheve.

Media mund të pasqyrojë revoltën, por kurrsesi një revoltë anonime. Revolta duhet të ketë një fytyrë dhe një emër që thotë: Mjaft më! Dhe, nëse fytyrës dhe emrit të revoltuar i bashkohen fytyra dhe emra të tjerë, atëherë drejtësia vihet në vend.

Bashkëpunimi në heshtje me gazetarët, nuk do ta sjellë kurrë dinjitetin qytetar.

Dinjitetin qytetar e sjell revolta qytetare që përballet me zë dhe me figurë me padrejtësinë përkatëse.

Post Scriptum: Spiunllëku nuk është revoltë. Spiunllëku mbetet spiunllëk. Revolta është dinjitet.