Spitali i Gostivarit: Ditët e fundit është rritur numri i pacientëve me diarre, dhimbje barku dhe temperaturë


Spitali i Gostivarit "Ferid Murad" ka dalë me njoftim në lidhje me helmimin e qytetarëve nga uji. Nga Spitali thonë se gjatë 3–4 ditëve të fundit, si pasojë e përhapjes së një epidemie në rajonin e Gostivarit, në Spitalin e Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad“ – Gostivar është regjistruar një rritje e konsiderueshme e numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore.
"Për shkak të fluksit të shtuar të pacientëve, spitali ka ndërmarrë masa të menjëhershme për përforcimin e stafit mjekësor dhe organizimin e punës në repartet ku është evidentuar numri më i madh i pacientëve, me qëllim që çdo qytetar të marrë shërbim sa më të shpejtë, cilësor dhe efikas. Shumica e pacientëve paraqiten me simptoma të ngjashme, si: të vjella, diarre, dhimbje barku, temperaturë të lartë, plogështi dhe simptoma të tjera gastrointestinale. Numri më i madh i pacientëve me këto simptoma është evidentuar në Repartin e Infektologjisë, Repartin e Pediatrisë dhe Njësinë e Urgjencës".
"Gjatë këtyre ditëve, në Spitalin e Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad“ – Gostivar janë ekzaminuar rreth 1.000–1.200 pacientë me simptomat e lartpërmendura. Të gjithë pacientëve u është ofruar ndihma e nevojshme mjekësore dhe është aplikuar terapia përkatëse, në përputhje me gjendjen e tyre shëndetësore. Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad“ – Gostivar, Sub.Spec.Dr. Emri Bajrami, duke e vlerësuar seriozitetin e situatës, ka ndërprerë pushimin vjetor dhe është angazhuar personalisht në koordinimin e aktiviteteve të spitalit. Së bashku me stafin drejtues dhe të gjithë kolektivin, ai po punon vazhdimisht për organizimin sa më efikas të shërbimeve, me qëllim që pacientëve t’u ofrohet kujdes shëndetësor në kohë dhe në nivelin më të lartë profesional.Në kuadër të koordinimit institucional, sot në Spitalin e Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad“ – Gostivar u zhvillua një takim pune ndërmjet drejtorit të spitalit, Sub.Spec.Dr. Emri Bajrami, dhe drejtorit të Qendrës për Shëndet Publik – Tetovë".
"Gjatë takimit u diskutua për situatën aktuale epidemiologjike, masat që po ndërmerren, si dhe për forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimit ndërmjet dy institucioneve në menaxhimin e situatës.Pas takimit, drejtuesit e të dy institucioneve vizituan Repartin e Pediatrisë dhe Repartin e Infektologjisë, ku u njohën nga afër me gjendjen në terren, ecurinë e trajtimit të pacientëve dhe punën e personelit mjekësor, duke shprehur mbështetje dhe falënderim për angazhimin e tyre të palodhshëm", thonë nga spitali.
Në fund thonë se Spitali i Përgjithshëm „Dr. Ferid Murad“ – Gostivar mbetet i përkushtuar për të ofruar shërbime shëndetësore cilësore dhe apelon tek qytetarët që të ndjekin rekomandimet e autoriteteve shëndetësore dhe të paraqiten për kontroll mjekësor në rast të shfaqjes së simptomave./Telegrafi/





































